Leximet e ditës

JAVA E XXXII GJATË VITIT

 

E MËRKURË

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 87, 3

 

Të arrijë te Ti, o Zot, lutja ime; prirja veshin tënd uratës sime!

 

Kolekta

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm, dëboje prej nesh çdo pengesë për jetën tonë, që me qetësi të shpirtit dhe të trupit, të mund t’i kushtohemi lirisht shërbesës sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Tit 3, 1-7) (fq. 1684/5)

 

Ishim të pamend por mirësia e Zotit na shpëtoi.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit drejtuar Titit

 

Fort i dashur! 1 Përkujtoj se duhet t'i nënshtrohen pushtetit dhe autoritetit: t'i dëgjojnë, të jenë të gatshëm për të kryer çdo vepër të mirë. 2 Të mos fyejnë askënd, t'u shmangen grindjeve, të lëshojnë pe, të tregojnë butësi të vazhdueshme kundrejt të gjithë njerëzve. 3 Sepse edhe ne dikur ishim të pamend, të padëgjueshëm; endeshim larg së vërtetës, robër të dëshirave dhe të prirjeve të ndryshme; kemi jetuar, në të këqija dhe në smirë, të denjë për të qenë të përbuzur; kemi urryer njëri-tjetrin.

4 Por, kur u dëftua mirësia e Hyjit, Shëlbuesit tonë, dhe dashuria e tij ndaj njerëzve 5 Ai na shëlboi, jo në saje të veprave tona që ne i bëmë në drejtësi, por në saje të mëshirës së vet: me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes që jep Shpirti Shenjt, 6 të cilin me begati e ndikoi në ne nëpër Jezu Krishtin, Shëlbuesin tonë, 7 që, të shfajësuar me anë të hirit të tij të jemi, në saje të shpresës, trashëgimtarë të jetës së pasosur.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 23 (22) (fq. 681)

 

Ref. ZOTI ËSHTË BARIU IM, ASGJË NUK MË MUNGON

 

1 Zoti është bariu im,

asgjë nuk më mungon.

2 Nëpër fusha të gjelbra ai më jep pushim

më prin në ujëra të qeta,

3 shpirtin ma përtërin.

Ai më prin shtigjeve të drejta

në saje të dashurisë së Emrit të vet.

 

Ref. ZOTI ËSHTË BARIU IM, ASGJË NUK MË MUNGON

 

4 Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes,

s' trembem nga e keqja

sepse ti je me mua:

thupra jote dhe kërraba

për mua janë ngushëllim.

 

Ref. ZOTI ËSHTË BARIU IM, ASGJË NUK MË MUNGON

 

5 Ti ma shtron tryezën përpara

ndër sy të armiqve të mi,

me vaj erëmirë kryet ma lyen,

gotën ma mbush plot e përplot.

 

Ref. ZOTI ËSHTË BARIU IM, ASGJË NUK MË MUNGON

 

6 Hiri dhe mirësia do të më përcjellin

në të gjitha ditët e jetës sime,

do të banoj në shtëpinë e Zotit

derisa të jem gjallë.

 

Ref. ZOTI ËSHTË BARIU IM, ASGJË NUK MË MUNGON

 

Aleluja!

Të mbushur me Shpirtin Shenjt, e falënderojmë për çdo gjë Hyjin Atë, në emër të Zotërisë tonë Jezu Krishtit. (Krh. Ef 5, 18.20)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 17, 11-19) (fq. 1490)

 

A nuk u gjet asnjë që të kthehet e t'i japë lavdi Hyjit, përveç këtij të huaji?

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

11 Duke udhëtuar për Jerusalem, Jezusi kaloi nëpër Samari e Galile. 12 Kur hyri në një fshat i dolën para dhjetë të gërbulur. Ata zunë vend larg 13 e filluan të bërtasin: »Jezus, Mësues, ki dhimb për ne!«

14 Kur i pa u tha: »Shkoni e paraqituni priftërinjve!«

E ndodhi që, ndërsa po shkonin, u pastruan.

15 Njëri prej tyre, si pa se u shërua, u kthye duke e lëvduar Hyjin me zë të madh. 16 Ra përmbys para këmbëve të Jezusit dhe iu falënderua. E ky ishte samaritanas.

17 Jezusi mori fjalën e tha: »Po a nuk u pastruan të dhjetët? Ku janë nëntë tjerët? 18 A nuk u gjet asnjë që të kthehet e t'i japë lavdi Hyjit, përveç këtij të huaji? 19 Çohu e shko - i tha - feja jote të shpëtoi!«

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Shikoje me mirësi, o Zot, këtë fli, që të fitojmë me përkushti çka kryejmë me misterin e mundimeve të Birit tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 22, 1-2

 

Zoti është Bariu im, asgjë nuk më mungon; më mballon kullotave të gjelbra, më prin në ujëra të qeta.

 

Ose: Lk 24, 35

 

Nxënësit e njohën Zotin Jezus kur ndau bukën.

 

Lutja pas kungimit

 

Të falënderojmë, o Zot, që na forcove me dhuratën e shenjtë, dhe po i lutemi bujarisë sate që, nën ndikimin e Shpirtit tënd, të përshkuar me fuqinë qiellore, të qëndrojmë me çiltëri në hirin tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.