Leximet e ditës

KRESHMET

 

E MËRKURA E PËRHIME

 

Antifona e hyrjes Ur 11, 24.25.27

 

Ti, o Zot, do gjithçka që është dhe nuk urren asnjë nga krijesat e tua, ti i harron mëkatet e njerëzve që pendohen dhe i fal, sepse ti je Zoti, Hyji ynë.

 

Përjashtohet akti pendestar, sepse zëvendësohet nga riti i mbivendosjes së hirit.

 

Kolekta

 

Bëj, o Zot, ta fillojmë me agjërimet e shenjta udhën e kthimit të vërtetë, kështu që, me armët e pendesës, të dalim ngadhënjyes në luftim kundër shpirtit të së keqes. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyjt për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Jl 2, 12-18) (Fq. 1247/8)

 

      Shqyeni zemrat e jo petkat.

 

      Lexim prej librit të Joelit profet

 

      Kështu thotë Zoti: 12 “Qysh tash kthehuni me gjithë zemër kah unë, me agjërim, me vaj e dënesje! 13 Shqyeni zemrat e jo petkat, kthehuni kah Zoti Hyji i juaj, sepse është i butë e edhe i mëshirshëm, i durueshëm e shumë i dhimbshëm, ndien keqardhje për fatkeqësi.” 14 Kush e di? Ndoshta kthehet edhe fal e lë pas vetes, ndoshta, bekimin! Fli dhe kushte Zotit Hyjit tuaj!

      15 Bini borisë në Sion! Shenjtërohuni me agjërim, shpalleni një mbledhje të shenjtë! 16 Bashkojeni popullin, shenjtërojeni mbledhjen, mblidhni pleqtë, mblidhni të vegjlit e foshnjat për gjiri, le të dalë dhëndri nga dhoma e vet, le të dalë nusja nga oda e vet! 17 Ndërmjet tremes dhe lterit le të qajnë priftërinjtë shërbëtorët e Zotit e le të thonë: “Fale, o Zot, popullin tënd, mos lejo të turpërohet prona jote e të sundojnë mbi të paganët!” Përse të thuhet ndër paganë: “Ku është tash Hyji i tyre?” 18 Iu dhimbt Zotit toka e vet, e fali popullin e vet.

 

      Fjala e Zotit

 

Psalmi 51 (50) (fq. 714)

 

Ref. NA FAL, O ZOT, SEPSE KEMI MËKATUAR.

 

3 Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate,

pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!

4 Më laj krejtësisht prej mëkatit tim

e më pastro prej fajit tim!

 

Ref. NA FAL, O ZOT, SEPSE KEMI MËKATUAR.

 

5 Sepse e pranoj paudhësinë time:

mëkatin tim përherë e kam para sysh.

6 Ty, vetëm ty të kam rënë në faj

dhe kam bërë ç’është keq para teje.

 

Ref. NA FAL, O ZOT, SEPSE KEMI MËKATUAR.

 

12 Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër,

përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!

13 Mos më flak larg fytyrës sate,

mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.

 

Ref. NA FAL, O ZOT, SEPSE KEMI MËKATUAR.

 

14 Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd,

dhe më forco me shpirt të gatshëm.

17Zhdrrivilloji, o Zot, buzët e mia,

Dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde.

 

Ref. NA FAL, O ZOT, SEPSE KEMI MËKATUAR.

 

Leximi i dytë (2 Kor 5, 20-6, 2) (Fq. 1631/2)

 

      Pajtohuni me Hyjin. Ja momenti i volitshëm.

 

      Lexim prej letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve.

 

      Vëllezër, 20 Jemi përfaqësuesit e Krishtit! Hyji ju qorton përmes nesh! Ju përbejmë në emër të Krishtit: Pajtohuni me Hyjin! 21 Atë që kurrë nuk bëri mëkat, Hyji për ne e bëri mëkat, në mënyrë që në Të ne të bëhemi drejtësi e Hyjit.

      6, 1 Mbasi jemi bashkëpunëtorë me Të, ne ju qortojmë: mos e lini pa fryt hirin që morët prej Hyjit! 2 Ai thotë: ‘Në kohë të volitshme të vështrova, në ditë të shpëtimit të ndihmova.’ Ja, pra, tani koha e volitshme, ja, pra, dita e shpëtimit!

 

      Fjala e Zotit

 

      Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Sot mos e bëni zemrën tuaj gur, por dëgjojeni zërin e Zotit. (Krh. Ps 95,8)

      Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

Ungjilli (Mt 6, 1-6.16-18) (fq. 1390)

 

      Ati yt që sheh në fshehtësi, do të shpërblejë.

 

      Leximi i Ungjillit të shenjtë    sipas Mateut

 

      Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet : 1 “Ruajuni se i bëni veprat e mira tuajat në sy të njerëzve për t’u parë prej tyre! Përndryshe nuk do të keni farë shpërblimi te Ati juaj që është në qiell.

      2 Prandaj, kur të ndash lëmoshë, mos i bjer borisë para vetes, sikurse bëjnë shtiracakët në sinagoga dhe në rrugë të madhe për t’u nderuar prej njerëzve. Për të vërtetë po ju them: u ndanë me atë shpërblim! 3 Ndërsa ti, kur të bësh lëmoshë, mos të dijë e majta çka bën e djathta, që lëmosha jote të jetë e fshehtë, 4 e Ati yt që sheh në fshehtësi, do ta shpërblejë.” 5

      “Kur të thoni uratë, mos bëni si shtiracakët, të cilëve u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshe të rrugëve, që t’i shohin njerëzit. Përnjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim! 6 Ndërsa ti, kur të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle pas vetes derën e lutju Atit tënd që është në fshehtësi; e Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë.

      16 “Edhe kur të agjëroni, mos u mërrolni porsi shtiracakët, të cilët marrin një hije të rëndë në fytyrë për t’u treguar njerëzve se agjërojnë: përnjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim! 17 Ti, përkundrazi, kur të agjërosh, përeroje kryet tënd dhe laje fytyrën tënde, 18 që të mos e vënë re njerëzit se po agjëron, por Ati yt, që është në fshehtësi. Ati yt që sheh në fshehtësi, do të shpërblejë.”

 

      Fjala e Zotit

 

Bekimi dhe mbivendosja e hirit

 

Pas homilisë meshtari, në këmbë dhe me duar të bashkuara, thotë:

 

Vëllezër të dashur, t’i lutemi me përvujtëri Hyjit Atë, që në saje të hirit të vet të begatshëm, të denjohet ta bekojë këtë hi, që do të vendosim mbi krerët tanë në shenjë pendese.

 

Të gjithë luten për ndonjë çast në heshtje. Pastaj meshtari, me duar të shtrira, vazhdon:

 

O Hyj, që ke mëshirë për ata që pendohen dhe u dhuron paqe atyre që kthehen, vëru vesh me butësi lutjeve tona dhe mbi shërbëtorët e tu, të prekur me këtë hi, zbraze me mëshirë hirin e bekimit tënd, kështu që, duke e mbajtur shpirtin kreshmor, të meritojmë me zemër të pastruar ta arrijmë kremtimin e misterit pashkor të Birit tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

P. Amen.

 

ose:

 

O Hyj, që nuk do vdekjen, por kthimin e mëkatarit,vështroji me butësi lutjet tona, bekoje këtë hi që do të vendosim mbi kokat tona dhe duke ditur se jemi pluhur dhe në pluhur do të kthehemi, bëj që me ushtrimin e pendesës kreshmore ta fitojmë faljen e mëkateve dhe risinë e jetës në përngjasimin e Birit tënd të ngjallur, që jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.

P. Amen.

 

Dhe, pa thënë asgjë, stërpik hirin me ujin e bekuar.

Besimtarët paraqiten tek meshtari dhe ai i mbivendos secilit hirin, duke thënë:

 

Kthehuni dhe besojini Ungjillit

 

   apo:

 

Kujtohu, o njeri, se pluhur ke qenë e pluhur do të bëhesh.

 

Ndërkohë këndohet

 

Antifona 1

 

Të shndërrojmë jetën, të përhihemi dhe të bëjmë pendesë. Të agjërojmë dhe të qajmë para Zotit, sepse Hyji ynë ka mëshirë të madhe për të na i falur mëkatet tona.

 

Antifona 2 Krh. Jl 2, 17; Est 13, 17

 

Ndërmjet tremes dhe altarit do të qajnë priftërinjtë, shërbëtorët e Zotit dhe le të thonë: Fale, o Zot, popullin tënd, dhe të mos mbyllet goja e atyre që këndojnë lavdet e tua.

 

Antifona 3 Ps 50, 3

 

Shlyeje, o Zot, fajin tim.

 

Kjo antifonë mund të alternohet me vargjet e Psalmit 50 Ki mëshirë për mua, o Hyj.

 

Përgjigjësori Krh. Bar 3, 2; Ps 78, 9

 

Të përtërihemi ne, që pa dije kemi mëkatuar, që të mos na vijë papritmas vdekja dhe të mos na mungojë koha e kthimit.

* Na dëgjo, o Zot, dhe ki mëshirë, sepse kemi mëkatuar kundër teje. Na ndihmo, o Zot, Shëlbuesi ynë, dhe pash nderin e emrit tënd, na shpëto, o Zot.

* Na dëgjo, o Zot, dhe ki mëshirë, sepse kemi mëkatuar kundër teje.

 

Mund të këndohet edhe ndonjë këngë tjetër e përshtatshme.

 

Si ka mbaruar mbivendosja e hirit, meshtari lan duart dhe vijon me lutjen e gjithëmbarshme. Mesha vazhdon si zakonisht.

 

Nuk thuhet Besoj.

 

Liturgjia e eukaristisë

 

Lutja mbi dhurata

 

Po ta kushtojmë, o Zot, këtë fli, me të cilën po i fillojmë kremtorisht kreshmët. Bëj që përmes veprave të pendesës dhe të dashurisë, t’i frenojmë dëshirat e dëmshme, e të pastruar nga mëkati, të mund t’i kremtojmë si duhet mundimet e Birit tënd, që jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.

 

PREFACIONI I KRESHMËVE – III

Frytet e pendesës

 

41. Ky prefacion thuhet në Meshët e ditëve të lira të Kreshmëve dhe në ditë agjërimi.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ti deshe që ne të të falënderojmë

me anën e mbajtjes së Kreshmëve

që neve mëkatarëve na e zbut krenarinë

dhe duke na nxitur t’i ndihmojmë skamnorët

na bën t’i përngjajmë dashamirësisë sate.

Dhe prandaj, po të madhërojmë bashkë me engjëjt e panumërt

duke kënduar këngën e lavdit:

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I KRESHMËVE – IV

Frytet e agjërimit

 

42. Ky prefacion thuhet në Meshët e ditëve të lira të Kreshmëve dhe në ditë agjërimi.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ti me agjërim trupor i ndrydh veset, e lartëson mendjen

dhe jep virtytet e shpërblimet,

nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Nëpër të engjëjt e lavdërojnë madhërinë tënde,

zotëruesit të adhurojnë e dridhen pushtetet.

Qiejt e fuqitë qiellore e serafinët e lumtur

bashkohen për të brohoritur me galdim.

Me ta, po të lutemi, bëj të marrin pjesë edhe zërat tanë

ndërsa përvujtërisht po themi:

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 1, 2-3

 

Ai që e kujton Ligjin e Zotit ditë e natë, do ta japë frytin e vet në stinë.

 

Lutja pas kungimit

 

I paçim në ndihmë, o Zot, sakramentet që morëm, kështu që agjërimet tona të të pëlqejnë ty dhe neve të na vlejnë si ilaç shërimi. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Lutja mbi popull

 

Në mbarim të meshës meshtari, me duar të shtrira mbi popull, thotë këtë lutje:

 

Jepu, o Hyj, shpirtin e pendesës atyre që me përvujtëri i nënshtrohen madhështisë sate dhe bëj të meritojnë nga mëshira jote shpërblimet e premtuara atyre që pendohen. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Bekimi dhe mbivendosja e hirit mund të bëhen edhe jashtë meshës. Në këtë rast bëhet Liturgjia e fjalës, duke përdorur këngën e hyrjes, kolektën dhe leximet me këngët e tyre, si për meshë. Vijon homilia dhe bekimi e mbivendosja e hirit. Riti mbaron me lutjen e gjithëmbarshme, bekimin dhe dërgimin e fundit.