Leximet e ditës
KRESHMET
E ENJTE PAS SË MËRKURËS SË PËRHIME
Antifona e hyrjes Krh. Ps 54, 17-20.23
Kur e thirra Zotin në ndihmë, ai ma dëgjoi zërin dhe më shpëtoi prej atyre që më sulmojnë. Lëshoja kujdesin tënd Zotit dhe ai do të të japë fuqi.
Kolekta
Po të lutemi, o Zot, priju veprave tona me hirin tënd dhe përcilli me ndihmën tënde, kështu që, veprimtaria jonë të zërë fill prej teje dhe me ndihmën tënde, të kryhet. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Lp 30, 15-20) (Fq. 252)
Sot e vura para teje bekimin e mallkimin.
Lexim prej librit të Ligjit të përtërirë
Moisiu foli e tha: 15 “Shiko! Unë sot po të ofroj ndër sy të tu jetën e lumturinë po edhe vdekjen e mjerimin. 16 Nëse do t’i dëgjosh urdhërimet e Zotit, Hyjit tënd, që unë sot po t’i urdhëroj: ta duash Zotin, Hyjin tënd, të ecësh udhëve të tija, t’i mbash urdhërimet, ligjet e rregulloret e tija, atëherë do të jetosh. Për më tepër, Zoti do të shtojë e do të bekojë në tokën që po hyn për ta trashëguar. 17 Por, nëse zemra jote shmanget e nuk do të dëgjosh dhe, i ngashënjyer nga gabimi, shkon e adhuron dhe u shërben zotave të tjerë, 18 unë sot po ju parakallëzoj: do të zhdukeni fare e do të vdisni në një kohë të shkurtër në tokën që, pasi ta keni kaluar Jordanin, do të hyni për ta trashëguar.
19 Thërras sot për dëshmitarë kundër jush qiellin e dheun: jua vura para jetën e vdekjen, bekimin e mallkimin. Zgjidhe, pra, jetën, që të jetosh ti e trashëgimtarët e tu, 20 e duaje Zotin, Hyjin tënd, dëgjo zërin e tij, qëndroji besnik ‑ sepse ai është jeta jote, gjatësia e ditëve të tua ‑ që të banosh në tokën për të cilën Zoti iu përbetua etërve të tu Abrahamit, Izakut e Jakobit, se do t’ua japë.”
Fjala e Zotit
Psalmi 1 (Fq. 659)
Ref. LUM AI QË SHPRESON NË ZOTIN.
1 Lum njeriu që nuk i ndjek këshillat e bakqijve,
që nuk qëndron në udhën e mëkatarëve
e nuk rri së bashku me përqeshës,
2 por kënaqet në Ligjin e Zotit
dhe e kujton atë ditë e natë.
Ref. LUM AI QË SHPRESON NË ZOTIN.
3 Ai është porsi pema e mbjellë në bregun e ujit që rrjedh,
e cila frytin e vet e jep në stinë
dhe gjethet kurrë s’i vyshken:
i ecën mbarë gjithçka të ndërmarrë.
Ref. LUM AI QË SHPRESON NË ZOTIN.
4 Jo, kështu jo, s’do t’u ndodhë të paudhëve,
por ata janë porsi byku që shpërndan era.
6 Sepse Zoti e di udhën e të drejtëve,
kurse udha e bakëqijve do të mbarojë.
Ref. LUM AI QË SHPRESON NË ZOTIN.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Kërkoni të mirën e jo të keqen: e atëherë do të jetoni dhe Zoti Hyj do të jetë me ju. (Krh. Am 5, 14)
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Ungjilli (Lk 9, 22-25) (Fq. 1475)
Kush ta humbë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: 22 “Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë, ta përbuzin pleqtë, kryepriftërinjtë dhe skribët, ta vrasin dhe të tretën ditë të ngjallet.”
23 Mandej iu drejtua të gjithëve: “Nëse ndokush do të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet çdo ditë dhe të më ndjekë. 24 Sepse, kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbë, ndërsa kush ta humbë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë. 25 E njëmend, ç’dobi do të kishte njeriu, nëse fiton mbarë botën, por humb vetveten ose e rrënon?
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoji me mirësi, po të lutemi, o Zot, flitë tona, që po t’i kushtojmë mbi altar të shenjtë që t’i japin nder emrit tënd e neve të na fitojnë ndjesë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I KRESHMËVE – I
Kuptimi shpirtëror i Kreshmëve
39. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ti çdo vit mirësisht bën që besimtarët e tu
t’i presin me gëzim dhe me shpirt të pastruar
misteret e Pashkëve,
kështu që, duke i kryer me zell
detyrat e përshpirtërisë dhe veprat e dashurisë,
me pjesëmarrje të shumtë në misteret me të cilat u rilindën,
të arrijnë plotësinë e hirit të bijësisë në shpirt.
Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,
me frone dhe zotërues,
dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,
po këndojmë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
PREFACIONI I KRESHMËVE – II
Pendesa shpirtërore
40. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Ti ua caktove bijve të tu këtë kohë të veçantë
për të ripërtërirë pastërtinë e shpirtit
që me shpirt të lirë nga ndjenjat e çrregullta,
të angazhohen për vlerat e përkohshme
në mënyrë që t’i kërkojnë më shumë vlerat e përhershme.
Dhe prandaj, me shenjtërit dhe me të gjithë engjëjt,
të lavdërojmë duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Antifona e kungimit Ps 50, 12
Krijo në mua, o Hyj, një zemër të pastër dhe ma përtërij një shpirt të qëndrueshëm.
Lutja pas kungimit
Me përvujtëri po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, që dhurata qiellore që kemi marrë të jetë gjithherë shkaku i ndjesës dhe i shpëtimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Lutja mbi popull (mund të përdoret sipas dëshirës)
Popullit tënd, o Hyj i gjithëpushtetshëm, ia ke zbuluar rrugën për jetën e amshuar. Bëj që të kalojë nëpër këtë rrugë që të arrijë tek ti, drita e vërtetë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.