Leximet e ditës
KRESHMET
E PREMTE PAS SË MËRKURËS SË PËRHIME
Antifona e hyrjes Ps 29, 11
Zoti më dëgjoi dhe pati mëshirë për mua, Zoti u bë ndihmëtari im.
Kolekta
Përcilli me mirësi, po të lutemi, o Zot, veprat e pendesës që kemi filluar, kështu që, pendesës, të cilën e ushtrojmë përjashta, t’i përgjigjet përmirësimi i brendshëm i shpirtit. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Is 58, 1-9) (Fq. 1040)
Ky është agjërimi që më pëlqen.
Lexim prej librit të Isaisë profet
1 Kështu thotë Zoti: “Bërtit me zë të lartë e mos pusho, porsi bori lartësoje zërin tënd! Shpallja popullit tim fajet e tija, shtëpisë së Jakobit mëkatet e tij.
2 Sepse ata më kërkojnë ditë për ditë dhe dëshirojnë t’i njohin udhët e mia, porsi populli që vepron drejtësinë që nuk e harron të drejtën e Hyjit të vet. Kërkojnë prej meje gjyq të drejtë, dëshirojnë të jenë afër Hyjit. 3 “Pse të agjërojmë, kur ti nuk na shikon, pse ta përulim shpirtin tonë, nëse ti s’e di?” Ja, në ditën e agjërimit tuaj ju gjeni punë dhe i mbytni në punë të gjithë punëtorët tuaj. 4 Ja, ju agjëroni për t’u fjalosur e grindur, e rraheni grushte si të patenzonë.
Mos agjëroni më si sot, nëse doni të dëgjohet zëri juaj këtu lart. 5 Pse, a i tillë është agjërimi që unë zgjodha, dita kur njeriu bën vetëmohim? Të ulësh porsi zunkthi kokën tënde, të shtrosh grathore edhe hi? A thua këtë do ta quash agjërim e ditë që i pëlqen Zotit?
6 Vallë, a s’është agjërimi që unë zgjodha: t’i këputësh verigat e padrejtësisë, t’i zgjidhësh leqet e zgjedhës, t’i lëshosh të lirë të ndrydhurit, të copëtosh çdo zgjedhë? 7 A jo ta ndash bukën tënde me të uriturin, t’i shtiesh në shtëpinë tënde skamnorët e të pastrehët? Kur ta shohësh të zhveshurin, vishe dhe mos e përbuz farefisin tënd. 8 Atëherë do të zbardhë porsi agimi drita jote, shërimi yt do të vijë më shpejt; para teje do të ecë drejtësia jote e do të të përcjellë lavdia e Zotit.
9 Atëherë do të thërrasësh e Zoti do të të dëgjojë, do ta thërrasësh e ai do të përgjigjet: “Këtu jam!”
Fjala e Zotit
Psalmi 51 (50) (Fq. 714)
Ref. TY TË PËLQEN, O ZOT, SHPIRTI I PENDUAR.
3 Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate,
pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!
4 Më laj krejtësisht prej mëkatit tim
e më pastro prej fajit tim!
Ref. TY TË PËLQEN, O ZOT, SHPIRTI I PENDUAR.
5 Sepse e pranoj paudhësinë time:
mëkatin tim përherë e kam para sysh.
6 Ty, vetëm ty të kam rënë në faj
dhe kam bërë ç’është keq para teje.
Ref. TY TË PËLQEN, O ZOT, SHPIRTI I PENDUAR.
18 Sepse ti nuk kënaqesh në fli,
e, nëse të kushtoj fli shkrumbimi, s’të pëlqejnë.
19 Flija e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar;
ti, o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërmuar!
Ref. TY TË PËLQEN, O ZOT, SHPIRTI I PENDUAR.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Kthehuni, se mbretëria e Hyjit është ngjat. (krh. Mt 4, 17)
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Ungjilli (Mt 9, 14-15) (Fq. 1395)
Kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin, atëherë edhe ata do të agjërojnë.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Atëherë 14 iu afruan nxënësit e Gjonit e i thanë: “Përse ne dhe farisenjtë agjërojmë shpesh, kurse nxënësit e tu nuk agjërojnë?”
15 Jezusi u përgjigji: “A është e mundur të mbajnë zi dasmorët derisa të jetë me ta dhëndri? Por, do të vijë koha, kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin. Atëherë edhe ata do të agjërojnë.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Po ta kushtojmë, o Zot, flinë e pendesës kreshmore dhe po të lutemi, që nëpër të, të të pëlqejnë zemrat tona dhe ne të na bëjë më të gatshëm për vepra të vetëmohimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I KRESHMËVE – I
Kuptimi shpirtëror i Kreshmëve
39. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ti çdo vit mirësisht bën që besimtarët e tu
t’i presin me gëzim dhe me shpirt të pastruar
misteret e Pashkëve,
kështu që, duke i kryer me zell
detyrat e përshpirtërisë dhe veprat e dashurisë,
me pjesëmarrje të shumtë në misteret me të cilat u rilindën,
të arrijnë plotësinë e hirit të bijësisë në shpirt.
Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,
me frone dhe zotërues,
dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,
po këndojmë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
PREFACIONI I KRESHMËVE – II
Pendesa shpirtërore
40. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Ti ua caktove bijve të tu këtë kohë të veçantë
për të ripërtërirë pastërtinë e shpirtit
që me shpirt të lirë nga ndjenjat e çrregullta,
të angazhohen për vlerat e përkohshme
në mënyrë që t’i kërkojnë më shumë vlerat e përhershme.
Dhe prandaj, me shenjtërit dhe me të gjithë engjëjt,
të lavdërojmë duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Antifona e kungimit Ps 24, 4
Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua dhe m’i mëso shtigjet e tua.
Lutja pas kungimit
Po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, që me pjesëmarrjen në këtë sakrament të pastrohemi prej të gjitha mëkateve që të bëhemi të përshtatshëm për t’i marrë mjetet e mirësisë sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Lutja mbi popull (mund të përdoret sipas dëshirës)
Populli yt, o Hyj i mëshirshëm, le t’i kujtojë gjithmonë mrekullitë e tua dhe, duke ecur në rrugën e pajtimit, të meritojë të gëzojë pamjen tënde për amshim. Nëpër Krishtin Zotin tonë.