Leximet e ditës

PASHKËT

 

JAVA E DYTË E PASHKËVE

 

E HËNË

 

Antifona e hyrjes Rom 6, 9

 

Krishti i ngjallur prej të vdekurish, nuk vdes më; vdekja nuk ka më pushtet mbi të, aleluja.

 

Kolekta

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm, të përtërirë në saje të hirit të Pashkëve nuk jemi më në përngjasimin e prindit tonë tokësor, bëj, po të lutemi, të shndërrohemi në përngjasimin e autorit tonë qiellor. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Vap 4, 23-31) (fq. 1550)

 

Pasi e kryen uratën, të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt dhe u vunë ta shpallin me guxim Fjalën e Hyjit.

 

Lexim prej Veprave të Apostujve

 

Në ato ditë, posa i lëshuan, Pjetri dhe Gjoni, 23 shkuan te të vetët dhe u treguan çka u thanë kryepriftërinjtë dhe paria e popullit. 24 Ata, kur morën vesh, të gjithë së bashku iu lutën Hyjit kështu: “O Zot, Ti krijove qiellin, tokën e detin dhe gjithçka është në ta! 25 Ti the nëpërmjet Shpirtit Shenjt me gojë të atit tonë Davidit, shërbëtorit tënd: ‘Përse çohen peshë paganët e përse fiset bëjnë shestime të kota? 26 Mbretërit e dheut po ngrihen kundër, princat bëjnë besëlidhje kundër Zotit e kundër të Shuguruarit të tij.’ 27 Qe, në këtë qytet, vërtet, bënë lidhje Herodi e Ponc Pilati me paganë e me fiset e Izraelit kundër Jezusit ‑ Shërbëtorit tënd të shenjtë, të cilin ti e shugurove, 28 kështu s’bënë tjetër veçse çka dora jote e vullneti yt paracaktoi të bëhet.

29 E tani, o Zot, shih kërcënimin e tyre e bëj që shërbëtorët e tu ta shpallin me plot guxim Fjalën tënde! 30 Shtrije dorën tënde e bëj shërime, shenja të bindshme e mrekulli me fuqinë e Emrit të Shërbëtorit tënd të shenjtë, Jezusit.”

31 Pasi e kryen uratën, u trand vendi ku ishin të bashkuar, të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt dhe u vunë ta shpallin me guxim Fjalën e Hyjit.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 2 (fq. 660)

 

Ref. I LUMI AI NJERI, QË SHPRESON NË ZOTIN.

 

1 Përse paganët çohen peshë

e përse popujt bluajnë punë të kota?

2 Mbretërit e tokës po ngrihen,

princat me përbetim çohen kundër Zotit e Mesisë së tij:

3 “Le t’i këputim vargjet e tyre,

le ta flakim prej nesh zgjedhën e tyre”!

 

Ref. I LUMI AI NJERI, QË SHPRESON NË ZOTIN.

 

4 Qeshet Ai që selinë e ka në qiell,

i Larti Zot i përqesh ata!

5 Pastaj u thotë në hidhërimin e vet,

me felgrimin e hidhërimit të vet i huton:

6 “Unë e kam shuguruar mbretin tim

mbi Sion, malin tim të shenjtë”!

 

Ref. I LUMI AI NJERI, QË SHPRESON NË ZOTIN.

 

7 Unë do ta shpall vendimin e Zotit.

Ai më tha: “Ti je im Bir, unë sot të linda!

8 M’i kërko e unë për pronë do të t’i jap popujt,

nën sundimin tënd gjithçka përfshin toka.

9 Sundo mbi ta me skeptër hekuri

dhe do t’i thyesh porsi vegsha vorbëtari”!

 

Ref. I LUMI AI NJERI, QË SHPRESON NË ZOTIN.

 

Aleluja!

Nëse u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit. (Kol 3, 1)

Aleluja!

 

Ungjilli (Gjn 3, 1-8) (fq. 1508)

 

Kush nuk rilind prej së larti, nuk mund ta shohë Mbretërinë e Hyjit.

 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

 

1 Tashti ndër farisenj ishte një njeri që quhej Nikodem, një nga bujarët e judenjve. 2 Ky erdhi natën te Jezusi dhe i tha: “Rabbi, e dimë se ti je Mësues që erdhi prej Hyjit, sepse askush s’mund t’i bëjë këto mrekulli, që i bën ti, po qe se Hyji nuk është me të.”

3 Jezusi i përgjigji: “Përnjëmend, përnjëmend po të them: kush nuk lind përsëri prej së larti, nuk mund ta shohë Mbretërinë e Hyjit.”

4 “Si është e mundur ‑ i tha Nikodemi ‑ të lindë njeriu kur është i moçëm? A thua mund të hyjë përsëri në barkun e nënës së vet e të lindë?”

5 Jezusi përgjigji: “Përnjëmend, përnjëmend po të them: kush nuk lind me anë të ujit e të Shpirtit nuk mund të hyjë në Mbretërinë e Hyjit. 6 Çka lind prej mishit, mish është, e çka lind prej Shpirtit, shpirt është. 7 Mos u çudit që të thashë: ‘Duhet të lindni përsëri prej së Larti.’ 8 Era fryn në drejtimin që do; ia dëgjon ushtimën e nuk di nga vjen e kah shkon. Kështu ndodh edhe me secilin që lind prej Shpirtit.”

 

Fjala e Zoti

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji, o Zot, dhuratat e Kishës sate në festë: dhe pasi je Ti shkaku i gjithë këtij gëzimi, jepi edhe frytin e haresë së përhershme. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

PREFACIONI I PASHKËVE – II

Jeta e re në Krishtin

 

46. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,

por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,

kur u flijua Krishti, Pashka jonë.

Nëpër të lindin bijtë e dritës për jetën e pasosur

dhe besimtarëve u hapen dyert e parajsës.

Me vdekjen e tij u shëlbua vdekja jonë,

e në ngjalljen e tij u ngjall edhe jeta e të gjithëve.

Prandaj njerëzimi në mbarë botën

galdon me harenë e plotë të Pashkëve.

Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore

e këndojnë himnin e lavdisë sate

duke thënë pa pushim:

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I PASHKËVE – III

Krishti i ngjallur gjithmonë ndërmjetëson për ne

 

47. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,

por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,

kur u flijua Krishti, Pashka jonë.

Ai nuk pushon së flijuari për ne

dhe na mbron duke ndërmjetësuar përjetësisht para teje.

Një herë i flijuar, më nuk vdes,

një herë i vrarë, jeton për amshim.

Prandaj njerëzimi në mbarë botën

galdon me harenë e plotë të Pashkëve.

Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore

e këndojnë himnin e lavdisë sate

duke thënë pa pushim:

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

Antifona e kungimit Gjn 20, 19

 

Jezusi qëndroi midis nxënësve të vet dhe u tha: Paqja me ju, aleluja.

 

Lutja pas kungimit

 

Shikoje me mirësi, o Zot, popullin tënd që e përtërite me sakramentet e përjetshme, bëj të arrijë ngjalljen e trupit në lavdi. Nëpër Krishtin Zotin tonë.