Leximet e ditës

TË KREMTET E ZOTIT GJATË VITIT

E Diela I pas Rrëshajëve

 

TRINIA E SHENJTË

 

C

 

e kremte

 

Në këtë Meshë përdoret ngjyra e bardhë.

 

Antifona e Hyrjes

 

Qoftë bekuar Hyji Atë dhe i Njëlinduri, Biri i Hyjit, edhe Shpirti Shenjt, për mëshirën që tregoi ndaj nesh.

 

Thuhet Lavdi

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

O Hyj Atë, Ti ke dërguar në botë Birin tënd, Fjalën e së Vërtetës dhe Shpirtin shenjtërues, për t’u zbuluar njerëzve misterin e jetës sate; bëj që me dëshmimin e besimit të vërtetë, ta njohim lavdinë e Trinisë së amshuar dhe të adhurojmë Një Hyj të vetëm dhe të gjithëpushtetshëm. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Fu 8, 22-31) (fq. 839)

 

Para se të krijohej toka Urtia ishte.

 

Lexim prej Librit të Fjalëve të urta

 

Urtia e Hyjit thotë: 22 “Zoti më kishte që në fillim të udhëve të veta, që në fillim, para se të krijonte ndonjë gjë. 23 Kam qenë shuguruar prej amshimit, që në kohët më të lashta, para se të krijohej toka. 24 Ende nuk ishin humnerat e unë isha e ngjizur, ende nuk ishin burimet e ujërave të shumta, 25 para se të viheshin themelet e maleve, para se të ishin kodrat, unë linda. 26 Ende nuk e kishte krijuar tokën as fushat, as elementet e para të pluhurit të tokës. 27 Kur i ujdisi qiejt, unë isha pranë, kur hoqi një rreth, ligj të sigurt, rrethues të humnerës, 28 kur në lartësi i dendi retë, kur i bëri të fuqishme burimet e humnerës 29 kur ia vuri kufirin rrethues detit dhe ujërave që të mos i kalojnë kufijtë e vet, kur tokës ia qiti themelet, 30 unë isha pranë si kryemjeshtër: kënaqësia e tij për çdo ditë, duke luajtur pranë tij gjithë kohën, 31 duke luajtur mbi globin tokësor: kënaqja ime është të jem me bijtë e njerëzve.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 8 (fq. 665)

 

Ref. O ZOT, ZOTI YNË, SA I MREKULLUESHËM ËSHTË EMRI YT.

 

4 Kur e sodis qiellin ‑ veprën e gishtave të tu,

hënën e yjet që ti i vendose,

5 çka është atëherë njeriu që ta kujtosh,

biri i Adamit që të përkujdesesh për të?

 

Ref. O ZOT, ZOTI YNË, SA I MREKULLUESHËM ËSHTË EMRI YT.

 

6 E pra, e bëre pak më të vogël se engjëjt,

e kurorëzove me lavdi e shkëlqim,

7 i dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua.

Gjithçka vure nën këmbët e tija.

 

Ref. O ZOT, ZOTI YNË, SA I MREKULLUESHËM ËSHTË EMRI YT.

 

8 Ia nënshtrove delet e kafshët të gjitha,

për më tepër edhe egërsirat e fushës,

9 shpendët e ajrit dhe peshqit e detit,

të gjitha që përshkojnë udhët e detit!

 

Ref. O ZOT, ZOTI YNË, SA I MREKULLUESHËM ËSHTË EMRI YT.

 

Leximi i dytë (Rom 5, 1-5) (fq. 1594)

 

Dashuria e Hyjit u dhurua në zemra tona me anë të Shpirtin Shenjt që na u dhurua.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve

 

Vëllezër, 1 të shfajësuar, pra, me anë të fesë, jemi në paqe me Hyjin nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë, 2 nëpër të cilin [me anë të fesë] fituam hirin, në të cilin tani jemi dhe me të cilin mburremi, sepse shpresojmë se do të kemi pjesë në lumturinë e Hyjit.

3 Madje, jo vetëm kaq! Ne mburremi edhe për vuajtjet, sepse e dimë mirë se vuajtja sjell qëndresën, 4 qëndresa na bën besnikë të sprovuar e besnikëria e sprovuar sjell shpresën, 5 e shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua.

 

Fjala e Zoti

 

Aleluja!

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt: Hyjit që është, që ishte e që po vjen! (Krh. Zb 1, 8)

Aleluja!

 

Ungjilli (Gjn 16, 12-15) (fq. 1534/5)

 

Gjithçka ka Ati, është imja.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 12 “Kam edhe shumë të tjera për t’ju thënë por tani s’mund t’i kuptoni. 13 E kur të vijë ai ‑ Shpirti i së Vërtetës ‑ Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën.

Ai s’do të flasë prej vetvetes, por do të flasë çka të dëgjojë dhe do t’ju zbulojë të ardhmen. 14 Ai do të më lëvdojë, sepse do të marrë prej simes e do t’ju zbulojë juve.

15 Gjithçka ka Ati, është imja. Prandaj edhe ju thashë: ‘Merr prej simes dhe do t’ju zbulojë juve’.”

 

Fjala e Zotit

 

Thuhet Besoj.

 

Besoj në një Hyj të vetëm,

Atin e gjithëpushtetshëm,

krijuesin e qiellit e të tokës,

të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.

Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,

një të vetmin Birin e Hyjit,

të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.

Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,

Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.

I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,

nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.

Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.

   Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:

E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt

prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.

U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,

pësoi dhe u varros

dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve

e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.

Dhe përsëri do të vijë me lavdi

për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,

e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,

që rrjedh prej Atit e prej Birit,

që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,

që foli me anë të profetëve.

Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.

Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.

Pres ngjalljen e të vdekurve

dhe jetën e pasosur. Amen.

 

Lutja mbi dhurata

 

O Zot, Hyji ynë, po e thërrasim emrin tënd që t’i shenjtërosh këto kushte të shërbesës sonë dhe që, në saje të tyre, të na shndërrosh edhe ne në dhuratën tënde të amshuar. Nëpër Krishtin Zotin tonë

 

Prefacioni: Misteri i Trinisë së Shenjtë

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ti, bashkë me të Njëlindurin Birin tënd e me Shpirtin Shenjt,

je një Hyj i vetëm, e një Zot i vetëm,

tre Persona, por në një natyrë.

E vërtet, atë që ne, të zbuluar prej teje,

e besojmë mbi lavdinë tënde,

e besojmë edhe për Birin tënd e për Shpirtin Shenjt.

Kështu, kur shpallim Hyjin e vërtetë e të amshuar,

ne njëkohësisht adhurojmë Trininë e personave,

njëninë e natyrës e barazinë e madhërisë.

Prandaj edhe engjëjt e kryeengjëjt,

kerubinët e serafinët,

nuk pushojnë kurrë së brohorituri njëzëri:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

Antifona e kungimit Gal 4, 6

 

Pasi jeni bij, e dërgoi Hyji në zemrat tuaja Shpirtin e Birit të vet, i cili thërret: Abba, o Atë.

 

Lutja pas kungimit

 

Na vleftë për shpëtimin e trupit dhe të shpirtit, o Zot, Hyji ynë, kungimi i shenjtë që morëm dhe dëshmimi që bëmë në nder të një Hyji të vetëm në tre Persona hyjnore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.