Leximet e ditës
JAVA E XIII GJATË VITI
E MARTË
Antifona e hyrjes Ps 46, 2
Duartrokitni, o popuj të gjithë, brohoritni Hyjit me zë gëzimi.
Kolekta
O Hyj, Ti deshe që, në saje të birësimit, të jemi bij të dritës: mos lejo kurrë të na zotërojë errësira e gabimit, por bëj të jemi përherë të shndritur me shkëlqimin e së vërtetës. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Zan 19, 15-29) (fq. 38/9)
Atëherë Zoti lëshoi mbi Sodomën e Gomorën, në formë të shiut, gaca sulfuri.
Lexim prej Librit të Zanafillës
Në ato ditë, 15 engjëjt e nxitnin Lotin dhe i thonin: »Çohu, merre gruan tënde dhe dy bijat e tua që i ke këtu që të mos mbarosh për shkak të kobësisë së qytetit.« 16 Pasi ai po ngarritej, dy burrat e kapën për dore atë, gruan e tij dhe dy bijat e tija, sepse Zoti kishte mëshirë për të, 17 e nxorën jashtë dhe e qitën prej qytetit. Aty i tha njëri: »Ik, shpëto jetën! Mos u kthe prapa dhe mos u ndal askund në këtë fushë, por shpëtoje veten në mal se mbarove!«
18 Loti u tha: »Mos e thëntë Zoti! 19 Shërbëtori yt gjeti hir para teje dhe pate dhimbje të madhe ndaj meje duke ma shpëtuar jetën. Por, unë nuk mund të shpëtoj në mal pa më kapur e keqja dhe do të vdes. 20 Qe, këtu afër është qyteti. Qytet i vogël në të cilin mund të ik të strehohem. A nuk është kjo gjë e vogël që po e kërkoj për të shpëtuar jetën?« 21 I tha: »Ja, edhe për këtë gjë po ta pranoj uratën: nuk do ta shpartalloj qytetin për të cilin fole. 22 Shpejto e shpëto në këtë qytet, sepse nuk do të mund të bëj asgjë, derisa të mos hysh atje.«
Për këtë arsye ai qytet u quajt Segor.
23 Dielli lindte mbi tokë e Loti hyri në Segor.
24 Atëherë Zoti lëshoi mbi Sodomën e Gomorën, në formë të shiut, sulfur e zjarr. Ata binin prej Zotit, prej qiellit. 25 I zhbiu ato qytete dhe tërë krahinën përreth, të gjithë banorët e qyteteve dhe tërë bimësinë mbi tokë. 26 Gruaja e Lotit shikoi prapa dhe u bë trupore kripe.
27 Abrahami u çua herët në mëngjes dhe erdhi në atë vend ku ishte ndalur më parë para Zotit. 28 Ia lëshoi sytë së largëti Sodomës dhe Gomorës edhe mbarë rrafshinës. I pa shkëndijat që ngriheshin nga toka thua se ishin tym furre.
29 Mirëpo, ndërsa Hyji po i shkretonte qytetet e asaj rrafshine, i ra ndër mend Abrahami dhe kështu e skajoi Lotin para se të shkretonte qytetet, në të cilat banonte.
Fjala e Zotit
Psalmi 26 (25) (fq. 684)
Ref. Na trego, o Zot, mëshirën tënde.
2 Më shqyrto, o Zot, e më vër në provë,
m'i pastro me zjarr veshka e zemër!
3 Para sysh e kam dashurinë tënde,
jetoj e veproj sipas drejtësisë sate.
Ref. Na trego, o Zot, mëshirën tënde.
9 Mos e shoqëro shpirtin tim me atë të mëkatarëve
as jetën time me atë të gjakësorëve.
10 Në duart e tyre është paudhësia,
e djathta e tyre është plot ryshfet.
Ref. Na trego, o Zot, mëshirën tënde.
11 E unë jetoj në pafajësinë time,
më shpërble, o Zot, e ki dhembje për mua.
12 Tashmë këmba ime shklet në udhë të shtruar:
në bashkime do ta bekoj Zotin.
Ref. Na trego, o Zot, mëshirën tënde.
Aleluja!
Zoti është rojtari yt, ai kujdeset për ty; Ai është në të djathtën tënde e nuk lejon që të lëndohet këmba jote. (Khr. Ps 120, 5.8)
Ungjilli (Mt 8, 23-27) (fq. 1394)
U urdhëroi erërave dhe detit e u bë qetësi e madhe.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, 23 Jezusi si hyri në barkë, pas tij u nisën edhe nxënësit e tij. 24 Dhe ja, në det u çua një stuhi e madhe aq sa valët po e mbulonin barkën; e ai flinte.
25 Atëherë nxënësit iu afruan, e zgjuan dhe i thanë: »Ndore tënde, o Zot, se u mbytëm!«
26 »Pse po frikësoheni, o fepakët? - u tha dhe atëherë u ngrit, u urdhëroi erërave dhe detit e u bë qetësi e madhe. 27 Njerëzit të habitur thoshin: »Kush është ky që po i nënshtrohen erërat dhe deti?«
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
O Hyj, Ti vepron me anën e sakramenteve të tua: bëj, po të lutemi, që shërbesa jonë të jetë e denjë për këtë fli të shenjtë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 102, 1
Bekoje, shpirti im, Zotin dhe krejt qenia ime emrin e tij të shenjtë.
Ose: Gjn 17, 20-21
Atë, për ta po të lutem, që të jenë një në ne, që të besojë bota se Ti më ke dërguar, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
Na përtëriftë në jetë, po të lutemi, o Zot, flija hyjnore që ta kushtuam dhe e morëm, kështu që, të bashkuar përherë me ty në dashuri, të japim fryte të qëndrueshme për amshim. Nëpër Krishtin Zotin tonë.