Leximet e ditës
JAVA E XVII GJATË VITIT
E SHTUNË
Antifona e hyrjes Krh. Ps 67, 6-7.36
Hyji është në banesën e vet të shenjtë; Hyji që i bashkon të gjithë në banesën e vet, ai i jep popullit të vet pushtet dhe fuqi.
Kolekta
O Hyj, Ti je mburoja e atyre që shpresojnë në ty: pa ty asgjë s’është e vyeshme as e shenjtë; na pajis me mëshirën tënde dhe na prij e na drejto, ashtu t’i përdorim të mirat e kalueshme, që qysh tani të jepemi pas të mirave të amshuara. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Lev 25, 1.8-17) (fq. 160/1)
Në vitin e jubileut le të kthehet secili në pronën e vet.
Lexim prej Librit të Levitikut
1 Në malin e Sinait Zoti foli me Moisiun e tha: 8 “Numëroj shtatë javë vitesh, domethënë shtatë herë shtatë, që të gjitha së bashku bëjnë dyzetë e nëntë vjet. 9 Atëherë bjeri trumbetës në muajin e shtatë, të dhjetën ditë të muajit, Ditën e shpërblimit, bini trumbetës anekënd vendit tuaj. 10 Të pesëdhjetin vjet shpalleni vit të shenjtë; kumtoni në mbarë vendin çlirimin e të gjithë banorëve. Ky le të jetë për ju jubile: le të kthehet secili në pronën e vet, le të kthehet secili në fisin e vet të mëparshëm. 11 I pesëdhjeti vit le të jetë për ju jubile: mos mbillni, mos korrni çka të mbijë vetvetiu në arat dhe mos i vilni vreshtat e pakrasitura, 12 sepse është jubileu, një gjë e shenjtë për ju. Hani çka të mbijë vetvetiu në ara.
13 Në këtë vit jubilar secili prej jush le të kthehet në pronën e vet.
14 Kur t’i shitesh ndonjë send të afërmit tënd ose të blesh ndonjë send prej tij, askush të mos e shfrytëzojë vëllanë e vet, por të blejë prej tij sipas numrit të vjetëve pas jubileut 15 dhe ai le të të shesë sipas numrit të viteve të fryteve. 16 Sa më shumë vite të mbesin pas jubileut, ashtu të rritet edhe çmimi dhe sa më pak kohë të numërosh, aq më pak të kushtojë shitja: sepse i duhet të shesë kohën e fryteve. 17 Mos i shfrytëzoni të afërmit tuaj, por druaje Hyjin tënd, sepse unë jam Zoti, Hyji juaj”.
Fjala e Zotit
Psalmi 67 (66) (fq. 730)
Ref. Zoti na bekon me dritën e fytyrës së vet.
2 Hyji pastë mëshirë për ne dhe na bekoftë,
bëftë të ndriçojë fytyra e tij mbi ne,
3 që në tokë të njihet udha e tij,
në të gjitha kombet shpëtimi i tij.
Ref. Zoti na bekon me dritën e fytyrës së vet.
5 Le të galdojnë e le brohorisin popujt,
sepse popujt i gjykon me drejtësi,
sepse kombet mbi tokë ti i sundon.
Ref. Zoti na bekon me dritën e fytyrës së vet.
6 Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj,
mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!
8 Na bekoftë Hyji!
Frikë e paçin mbarë skajet e botës!
Ref. Zoti na bekon me dritën e fytyrës së vet.
Aleluja!
Lum ata që salvohen për shkak të drejtësisë, sepse e tyre është Mbretëria qiellore. (Krh. Mt 5, 10)
Aleluja!
Ungjilli (Mt 14, 1-12) (fq. 1403)
Herodi dërgoi që t’ia shkurtonin kryet Gjonit e nxënësit e Gjonit shkuan dhe i treguan Jezusit.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
1 Në atë kohë Herodi tetrark dëgjoi ç’flitej për Jezusin 2 dhe u tha shërbëtorëve të vet: “Ky është Gjon Pagëzuesi! U ngjall së vdekuri! Ja, përse ka pushtet të bëjë mrekulli!”
E vërtet Herodi e kishte zënë Gjonin, e kishte lidhur dhe e kishte qitur në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të vet. 4 Sepse Gjoni i kishte thënë: “Nuk guxon ta mbash për grua Herodiadën!” 5 Herodi donte ta vrasë, por druante nga populli, sepse Gjonin e mbanin për profet.
6 Në ditëlindjen e Herodit, bija e Herodiadës vallëzoi para të grishurve dhe aq i pëlqeu Herodit, 7 sa që me përbetim i premtoi se do t’i japë çkado që t’i kërkojë. 8 Ajo, e mësuar prej së ëmës: “Ma jep ‑ tha ‑ këtu në pjatë kryet e Gjon Pagëzuesit!” 9 Mbretit i erdhi keq, por për shkak të përbetimit e të të grishurve, urdhëroi t’i jepet. 10 Dërgoi dikë dhe ia shkurtoi Gjonit kryet në burg. 11 Kryet e Gjonit e sollën në pjatë, ia dha vajzës e kjo së ëmës.
12 Pastaj erdhën nxënësit e Gjonit, e morën trupin e tij dhe e varrosën, pastaj shkuan dhe i treguan Jezusit.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoji, o Zot, dhuratat që bujaria jote na ka falur, e bëj që këto mistere të shenjta, në saje të hirit tënd, ta shenjtërojnë jetën tonë të tanishme dhe të na çojnë drejt gëzimeve të amshuara. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 102, 2
Bekoje, shpirti im, Zotin dhe mos i harro bamirësitë e tij.
Ose: Mt 5, 7-8
Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë. Lum të pastrit në zemër, sepse do ta shohin Hyjin.
Lutja pas kungimit
E morëm, o Zot, sakramentin hyjnor, kujtimin e përjetshëm të mundimeve të Birit tënd; bëj, po të lutemi, që kjo dhuratë që kemi marrë prej dashurisë së tij të pakufi të na vlejë për shpëtimin tonë. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.