Leximet e ditës

JAVA E XXVIII GJATË VITIT

 

E DIEL

 

C

 

Antifona e hyrjes Ps 129, 3-4

 

Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot, o Zot, e kush do të qëndrojë para teje? Por te Ti gjendet falja, o Hyj i Izraelit.

 

Thuhet Lavdi.

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

Na priftë, o Zot dhe na shoqëroftë përherë hiri yt dhe vazhdimisht na bëftë të kujdesshëm të kryejmë vepra të mira. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (2 Mbr 5, 14-17) (fq. 442)

 

Naamani u kthye te njeriu i Hyjit!

 

Lexim prej Librit të dytë të Mbretërve

 

14 Naamani zbriti dhe u la shtatë herë në Jordan si i kishte urdhëruar njeriu i Hyjit, iu shërua trupi i tij, iu bë si trupi i fëmijës së njomë dhe u shërua.

15 Atëherë me mbarë ndjekësorinë e vet u kthye te njeriu i Hyjit, qëndroi përpara tij e i tha: "Tani po e di se s'ka Perëndi në asnjë vend tjetër, përveç në Izrael! Po të lutem, pra, prano një dhuratë prej anës së shërbëtorit tënd." 16 Por ai iu përgjigj: "Pasha jetën e Zotit, kujt i shërbej, assesi s'i marr. " Megjithëse iu vu për së tepërmi, Elizeu nuk pranoi assesi.

17 I tha Naamani: "Mirë, pra, si të duash. Por, po të lutem, më lejo të marr unë, shërbëtori yt, vetëm aq dhe sa mund të bartin dy mushq, sepse shërbëtori yt nuk do t'i kushtojë fli shkrumbimi ndonjë zoti tjetër përveç Zotit.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 98 (97) (fq. 770/1)

 

Ref. Shëlbimi i Zotit është për të gjithë njerëzit.

 

1 Këndoni Zotit një këngë të re,

sepse bëri vepra të mrekullueshme!

Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,

me fuqi të krahut të vet të shenjtë.

 

Ref. Shëlbimi i Zotit është për të gjithë njerëzit.

 

2 Zoti e dëftoi shpëtimin e vet,

përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.

3 I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet

kundrejt shtëpisë së Izraelit.

 

Ref. Shëlbimi i Zotit është për të gjithë njerëzit.

 

Të gjitha skajet e botës e panë

shëlbimin e Hyjit tonë.

4 Mbarë Toka le t'i brohoritë Zotit,

le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.

 

Ref. Shëlbimi i Zotit është për të gjithë njerëzit.

 

Leximi i dytë (2 Tim 2, 8-13) (fq. 1680)

 

Nëse durojmë me Krishtin, bashkë me të do të mbretërojmë.

 

Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Timoteut

 

Fort i dashur! 8 Kujtoje Jezu Krishtin të ngjallur nga të vdekurit nga trungu i Davidit sipas Ungjillit që unë predikoj, 9 për shkak të cilit vuaj deri edhe në pranga sikur të isha keqbërës. Por fjala e Hyjit nuk është në pranga! 10 Këndej edhe duroj çdo vështirësi për të mirën e të zgjedhurve që edhe ata ta fitojnë shëlbimin, që është në Krishtin Jezus bashkë me lumturinë e amshueshme. 11 E vërtetë është kjo fjalë: "Nëse ne vdiqëm bashkë me Të, bashkë me Të edhe do të jetojmë. 12 Nëse qëndrojmë besnikë, bashkë me Të do të mbretërojmë. Nëse i biem mohit, edhe Ai do të na bjerë mohit. 13 Nëse ne nuk i jemi besnikë - Ai mbetet besnik! Sepse Ai kurrsesi nuk mund ta mohojë vetveten!

 

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Ju jeni fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë: shpallni veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme. (Krh. 1 Pjt 2, 9)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 17, 11-19) (fq. 1490)

 

A nuk u gjet asnjë që të kthehet e t'i japë lavdi Hyjit, përveç këtij të huaji?

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

11 Duke udhëtuar për Jerusalem, kaloi nëpër Samari e Galile. 12 Kur hyri në një fshat i dolën para dhjetë të gërbulur. Ata zunë vend larg 13 e filluan të bërtasin: »Jezus, Mësues, ki dhimb për ne!«

14 Kur i pa u tha: »Shkoni e paraqituni priftërinjve!

E ndodhi që, ndërsa po shkonin, u pastruan.15 Njëri prej tyre, si pa se u shërua, u kthye duke e lëvduar Hyjin me zë të madh. 16 Ra përmbys para këmbëve të Jezusit dhe iu falënderua. E ky ishte samaritanas. 17 Jezusi mori fjalën e tha: »Po a nuk u pastruan të dhjetët? Ku janë nëntë tjerët? 18 A nuk u gjet asnjë që të kthehet e t'i japë lavdi Hyjit, përveç këtij të huaji? 19 Çohu e shko - i tha - feja jote të shpëtoi!«

 

Fjala e Zotit

 

Thuhet Besoj.

 

Besoj në një Hyj të vetëm,

Atin e gjithëpushtetshëm,

krijuesin e qiellit e të tokës,

të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.

Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,

një të vetmin Birin e Hyjit,

të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.

Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,

Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.

I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,

nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.

Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.

Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:

E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt

prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.

U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,

pësoi dhe u varros

dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve

e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.

Dhe përsëri do të vijë me lavdi

për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,

e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,

që rrjedh prej Atit e prej Birit,

që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,

që foli me anë të profetëve.

Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.

Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.

Pres ngjalljen e të vdekurve

dhe jetën e pasosur. Amen.

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji, o Zot, bashkë me lutjet e besimtarëve, edhe flitë e kushtuara, që me përkushtinë ndaj shërbesës së shenjtë, të kalojmë në lumturinë qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 33, 11

 

Pasanikët u varfëruan dhe patën uri, ndërsa ata që kërkojnë Zotin do të kenë çdo të mirë.

 

Ose: 1 Gjn 3, 2

 

Kur Zoti të shfaqet, do të bëhemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim ashtu si është.

 

Lutja pas kungimit

 

Po të lutemi me përvujtëri, o Zot, që sikurse na ushqen me Trupin e Gjakun e shenjtë, ashtu edhe na bëj pjesëtarë të natyrës hyjnore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.