Leximet e ditës

14 shtator

LARTËSIMI I KRYQIT TË SHENJTË

Festë

 

Antifona e hyrjes   Krh. Gal 6, 14

 

Ne mburremi me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit: në të e kemi shpëtimin, jetën dhe ngjalljen tonë;  në saje të tij kemi qenë shpëtuar e liruar.

 

Thuhet Lavdi

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti deshe që i Njëlinduri Biri yt të vdesë në Kryq për shpëtimin e të gjithë njerëzve; bëj që, pasi e njohëm këtu mbi tokë këtë mister, t’i gëzojmë në qiell frytet e shëlbimit të tij. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë  (Nr 21, 4b-9) (fq. 195)

 

            Kushdo që e shikon gjarprin bronzi, pasi ta ketë ngrënë gjarpri, do të shpëtojë.

 

            Lexim prej Librit të Numrave

 

Në ato ditë, 4 populli udhës filloi ta humbasë durimin, 5 zuri të ankohej kundër Zotit e Moisiut. Thonin: “Pse na nxore nga Egjipti a për të vdekur në këtë shkretëtirë? S’ka bukë, as s’ka ujë; kurse kjo e zezë haje na e mërziti shpirtin”!

6 Për këtë arsye Zoti çoi në popull gjarpërinj të hidhur, të cilët e hanin popullin dhe vdiqën shumë njerëz prej Izraelit. 7 Atëherë erdhën te Moisiu e i thanë: “Bëmë mëkat kur folëm kundër Zotit e kundër teje; lutu ti që të na i heq qafës gjarpërinjtë”!

Moisiu u lut për popull, 8 e Zoti tha: “Punoje gjarprin helmues e vëre në shtyllë si shenjë: kushdo që, pasi ta ketë ngrënë gjarpri, po qe se e shikon, do të shpëtojë”.

9 Moisiu e punoi një gjarpër prej bronzit dhe e vuri për shenjë; këdo që hante gjarpri, si e shikonte atë, shërohej.

 

            Fjala e Zotit

 

Psalmi   78 (77) (fq. 745)

 

Ref.   TI, O ZOT, JE SHËLBIMI YNË

 

1 Dëgjoje me kujdes, populli im, mësimin tim,

vëru vesh fjalëve të gojës sime.

2 Po e hap gojën time për të mësuar me shëmbëlltyra,

do t’ju tregoj fshehtësi të kohëve të shkuara.

 

Ref.   TI, O ZOT, JE SHËLBIMI YNË

 

34 Kur i vriste, atëherë e kërkonin

e përsëri ktheheshin tek Hyji;

35 u binte në mend se Hyji është strehimi i tyre,

Hyji i tejetlartë Shëlbuesi i tyre.

 

Ref.   TI, O ZOT, JE SHËLBIMI YNË

 

36 Porse prapë e gënjenin me gojën e tyre,

e rrenin me gjuhën e vet:

37 zemra e tyre nuk ishte me të,

besë nuk kishin në Besëlidhjen e tij.

 

Ref.   TI, O ZOT, JE SHËLBIMI YNË

 

38 E Ai, i mëshirshëm, ua falte fajin,

në vend që të shkatërronte,

shpeshherë e ndalte zemërimin e vet

e nuk ndizej në furinë e vet.

 

Ref.   TI, O ZOT, JE SHËLBIMI YNË

 

Leximi i dytë  (Fil 2, 6-11) (fq. 1656)

 

Krishti e përuli vetveten; prandaj Hyji e lartësoi.

 

            Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Filipianëve

 

Jezu Krishti, 6 edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të, 7 por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz dhe, për kah pamja e jashtme, dukej vetëm njeri.

8 E përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekjen në kryq.

9 Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër 10 që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë 11 dhe çdo gjuhë të dëshmojë: ‘Jezu Krishti është Zot!’ Në nder të Hyjit Atë.

 

            Fjala e Zotit

 

            Aleluja!

Po të adhurojmë, o Krisht, e po të bekojmë, sepse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën mbarë.

            Aleluja!

 

Ungjilli   (Gjn 3, 13-17) (fq. 1508/9)

 

            Duhet që Biri i njeriut të lartësohet.

 

            Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

 

Në atë kohë Jezusi i tha Nikodemit: 13 «Askush nuk u ngjit në qiell, përveç Birit të njeriut që zbriti nga qielli. 14 Dhe, sikurse Moisiu e lartësoi gjarprin në shkreti, po ashtu duhet të lartësohet edhe Biri i njeriut, 15 që kushdo të besojë në të ta ketë jetën e pasosur.

16 Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën sa që dha një të vetmin Birin e vet kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por të ketë jetën e pasosur. 17 Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të.»

 

            Fjala e Zotit

 

Kur kjo festë bie të dielën, thuhet Besoj.

 

Besoj në një Hyj të vetëm,

Atin e gjithëpushtetshëm,

krijuesin e qiellit e të tokës,

të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.

Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,

një të vetmin Birin e Hyjit,

të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.

Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,

Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.

I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,

nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.

Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.

     Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:

E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt

prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.

U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,

pësoi dhe u varros

dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve

e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.

Dhe përsëri do të vijë me lavdi

për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,

e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,

që rrjedh prej Atit e prej Birit,

që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,

që foli me anë të profetëve.

Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.

Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.

Pres ngjalljen e të vdekurve

dhe jetën e pasosur. Amen.

 

Lutja mbi dhurata

 

Bëj, po të lutemi, o Zot, që kjo fli të na pastrojë prej të gjitha fajeve, pasi mbi altarin e kryqit e zhbiu mëkatin e tërë botës. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Teksti pa notat:

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ti vetë vendose që njerëzimit mbarë

t’i vinte shpëtimi prej drurit të kryqit,

që jeta të zinte fill po aty, nga lindi vdekja

e që armiku, ngadhënjyes me anë të drurit,

prej drurit edhe të mbetej i mundur,

nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Nëpër të engjëjt e lavdërojnë madhërinë tënde,

zotëruesit të adhurojnë e dridhen pushtetet.

Qiejt e fuqitë qiellore e serafinët e lumtur

bashkohen për të brohoritur me galdim.

Me ta, po të lutemi, bëj të marrin pjesë edhe zërat tanë

ndërsa përvujtërisht po themi:

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

Antifona e kungimit   Gjn 12, 32

 

Unë, kur të jem lartësuar nga toka,

do t’i tërheq tek unë të gjithë njerëzit.

 

Lutja pas kungimit

 

Të përtërirë me shujtën e shenjtë që Ti na e dhurove, me përvujtëri po të lutemi, o Zot Jezu Krisht: Ti na dhe jetën me anën e drurit të kryqit tënd; na dhuro edhe lumturinë e ngjalljes. Ti që jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.