Leximet e ditës
KËRSHËNDELLAT
E kremte
Mesha e agimit
Antifona e Hyrjes Krh. Is 9, 1.5; Lk 1, 33
Sot zbardhi për ne drita, sepse na lindi Zoti dhe do të quhet: i Mrekullueshmi, Hyji, Princi i paqes, Ati i shekullit të ardhshëm. Mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Thuhet
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm, ti na përshkon me dritën e re të Fjalës së mishëruar. Bëj, po të lutemi, të shkëlqejë në veprat tona ai mister që, me anën e fesë, shndrit në mendjen tonë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Is 62, 11-12) (fq. 1045)
Ja po vjen shpëtimtari yt.
Lexim prej librit të Isaisë profet
11 Ja, çka Zoti bën të dëgjohet deri në skajet e tokës: “Thoni bijës së Sionit: Ja, po vjen shpëtimtari yt, ja, me vete e ka shpërblimin e dhurata e tij përpara tij.
12 Do t’i quajnë “Popull i shenjtë” “Të shpërblyerit e Zotit”, kurse ti do të quhesh: “I kërkuari”, ‑ Qytet i pabraktisur!”
Fjala e Zotit
Psalmi 97 (96), 1.6.11-12 (fq. 769)
Ref. Sot për ne lindi drita.
1 Zoti mbretëron! Le të galdojë toka,
le të gëzohen ishujt e shumtë!
6 Qiejt e shpallin drejtësinë e tij,
të gjithë popujt e shohin lavdinë e tij.
Ref. Sot për ne lindi drita.
11 Lindi drita për të drejtin,
e gëzimi për zemërmirët.
12 Gëzohuni, o të drejtë, në Zotin,
nderojeni Emrin e tij të shenjtë.
Ref. Sot për ne lindi drita.
Leximi i dytë (Tit 3, 4-7) (fq. 1684/5)
Na shëlboi në saje të mëshirës së vet.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Titit
Fort të dashur, 4 kur, u dëftua mirësia e Hyjit, Shëlbuesit tonë, dhe dashuria e tij ndaj njerëzve 5 Ai na shëlboi, jo në saje të veprave tona që ne i bëmë në drejtësi, por në saje të mëshirës së vet: me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes që jep Shpirti Shenjt, 6 të cilin me begati e ndikoi në ne nëpër Jezu Krishtin, Shëlbuesin tonë, 7 që, të shfajësuar me anë të hirit të tij të jemi, në saje të shpresës, trashëgimtarë të jetës së pasosur.
Fjala e Zotit
Aleluja!
Lavdi Hyji në më të lartin qiell e paqe mbi tokë njerëzve që i ka për zemër! (Lk 2, 14)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 2, 15-20) (fq. 1461)
Barinjtë gjetën Marinë, Jozefin e Foshnjën.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
15 Posa engjëjt u larguan prej tyre në qiell, barinjtë i thanë njëri‑tjetrit: “Ejani të shkojmë, pra, deri në Betlehem e të shohim çka ndodhi ‑ngjarjen që na e kumtoi Zoti.”
16 Shkuan me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin e Foshnjën të vënë në grazhd. 17 Kur e panë, u treguan ç’u tha engjëlli për Foshnjën. 18 Të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga ato që thanë barinjtë. 19 Maria i mbante mend me kujdes të gjitha këto ngjarje dhe i shoshiste në zemrën e vet.
20 Barinjtë mandej u kthyen duke lëvduar e madhëruar Hyjin për gjithçka kishin dëgjuar e parë, pikërisht ashtu siç u tha engjëlli.
Fjala e Zotit
Thuhet Besoj. Në fjalët E u mishërua bien në gjunjë.
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
Bëj, o Zot, që dhuratat tona të jenë të denja për misteret e Krishtlindjes, që sikurse Jezu Krishti shndriti si njeri dhe Hyj, po ashtu këto dhurata tokësore ta përftojnë në ne jetën hyjnore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I KRISHTLINDJES, I
Krishti dritë
31. Ky prefacion thuhet: në Meshët e Krishtlindjes e të tetores së tyre; brenda tetores së Krishtilindjes edhe ne Meshët që përndryshe do ta kishin prefacionin vet, me përjashtim të atyre Meshëve që e kanë prefacionin e vet për misteret hyjnore ose Vetjet; dhe në ditë të lira të Krishtlindjes.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi të Zotit
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjemend është punë e denjë e drejtë,
është detyrë e jona dhe burim shëlbimi,
të falemi nderit gjithmonë e gjithkund,
Ty, o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar:
sepse me anën e misterit të Fjalës së mishëruar,
në sytë e shpirtit tonë ndriçoi një rreze e re
e shkëlqimit tënd.
Kështu që, duke e njohur Hyjin në mënyrë të dukshme,
me anën e tij jemi tërhequr kah dashuria e sendeve të padukshme.
Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe me kryengjëj,
me frone dhe zotërues,
dhe me të gjitha aradhen e ushtirsë qiellore,
po këndojmë himinin e lavdisë sate,
duke thënë pa pushuar:
Shenjt, Shenjt, shenjt...
Kur përdoret Kanoni Romak, thuhet Të bashkuar i veçantë.
Antifona e Kungimit Krh. Zak 9, 9
Gëzo, bija e Sionit, galdo, bija e Jerusalemit: ja, po vjen Mbreti yt: Shenjt dhe Shpëtimtari i botës.
Lutja pas kungimit
O Zot, ne kemi pranuar me përshpirtëri të gëzueshme lindjen e Birit tënd. Bëj ta njohim plotësisht me fe fshehtësinë e këtij misteri, dhe ta duam me dashuri të përsosur. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Mund të përdoret trajtëza e bekimit kremtor, fq. 511.