Leximet e ditës

KËRSHËNDELLAT

   E kremte

 

Mesha e ditës

 

Antifona e Hyrjes Is 9, 5

 

Na lindi një foshnjë, fituam një djalë, mbi supet e tij u vu shenja e mbretërisë dhe emrin e ka: Engjëlli i Këshillit të lartë.

 

Thuhet

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

O Hyj, ti që denjësinë e natyrës njerëzore mrekullisht e trajtove dhe më mrekullisht e ke përtrirë, bëj, po të lutemi, të bëhemi pjesëtarë të Hyjnisë së Jezu Krishtit, i cili u denjua të marrë pjesë në natyrën tonë njerëzore, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Is 52, 7-10) (fq. 1034)

Të gjitha viset e tokës do ta shohin shpëtimin e Hyjit tonë.

 

Lexim prej librit të Isaisë profet

 

7 Sa të bukura janë mbi male këmbët e kasnecit që sjell lajmin e mirë të paqes, që sjell lajm të mirë, që shpall shëlbimin, që i thotë Sionit: ‘Zoti yt mbretëron!’

8 Dëgjo! Rojet e tua me të madhe gërthasin, të gjithë së bashku lëshojnë zë hareje se me sytë e vet po shohin se po kthehet Zoti në Sion!  9Gëzohuni e galdoni së bashku, rrënjat e Jerusalemit, sepse Zoti po e ngushëllon popullin e vet, po e shpërblen Jerusalemin! 10 Sepse Zoti e shpërvoli krahun e vet të shenjtë para syve të mbarë popujve, të gjitha viset e tokës do ta shohin shpëtimin e Hyjit tonë.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 98 (97), 1.2-3.3-4.5-6 (fq. 770)

 

Ref. Mbarë toka e pa shëlbimin e Zotit tonë.

 

1 Këndoni Zotit një këngë të re,

sepse bëri vepra të mrekullueshme!

Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,

me fuqi të krahut të vet të shenjtë.

 

Ref. Mbarë toka e pa shëlbimin e Zotit tonë.

 

2 Zoti e dëftoi shpëtimin e vet,

përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.

3 I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet

kundrejt shtëpisë së Izraelit.

 

Ref. Mbarë toka e pa shëlbimin e Zotit tonë.

 

Të gjitha skajet e botës e panë

shëlbimin e Hyjit tonë.

4 Mbarë toka le t’i brohoritë Zotit,

le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.

 

Ref. Mbarë toka e pa shëlbimin e Zotit tonë.

 

5 Këndoni Zotit me harpë,

me tinguj veglash muzikore,

6 me trumbetë e me zë të pipëzës së bririt,

brohoritni para fytyrës së Zotit, Mbret!

 

Ref. Mbarë toka e pa shëlbimin e Zotit tonë.

 

Leximi i dytë (Heb 1, 1-6) (fq. 1688/9)

Zoti na foli neve me anë të Birit.

 

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

 

1 Hyji që herë pas here dhe në mënyra të ndryshme, në të kaluarën, u ka folur etërve me anë të profetëve, 2 së fundi, në këto ditë, na foli edhe neve me anë të Birit, të cilin e bëri trashëgimtarin e të gjitha sendeve, nëpër të cilin edhe e krijoi gjithësinë.

 3 Biri, që është shkëlqimi i Lavdisë dhe vula e qenies së Hyjit, që me të fuqishmen fjalën e vet mban gjithësinë, pasi e kreu pastrimin e mëkateve, ndenji në të djathtën e Madhërisë në qiell; 4 u bë aq më i pushtetshëm se engjëjt sa më të madhërueshëm se ata e trashëgoi Emrin!

5 Dhe vërtet, cilit prej engjëjve Hyji i tha ndonjëherë: »Ti je im Bir unë sot të linda?« Dhe prapë: »Unë do t’i jem Atë dhe ai do të më jetë Bir?« 6 Dhe prapë, kur përsëri shtie Njëlindurin Birin e vet në botë, thotë: »Le ta adhurojnë të gjithë engjëjt e Hyjit!«

 

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Një ditë e shenjtë lindi për ne: ejani të gjithë ta adhurojmë Zotin; sot zbriti mbi tokë një dritë e shkëlqyeshme.

Aleluja!

 

Kur përdoret forma e shkurtër teksti në kllapa nuk lexohet.

 

Ungjilli (Gjn 1, 1-18 forma e shkurtër 1, 1-5.9-14) (fq. 1505)

E fjala u bë njeri e banoi ndër ne.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

 

1 Në fillim ishte Fjala e Fjala ishte në Hyjin e Fjala ishte Hyj. 2 Kjo ishte në fillim në Hyjin. 3 Prej Saj u bë çdo gjë e pa Të nuk u bë asgjë. E çdo gjë që u bë, 4 e pati në Të jetën e Jeta është drita e njerëzve; 5 e Drita shndriti në errësirë e errësira nuk e pushtoi.

(6 Qe një njeri i dërguar prej Hyjit. Emri i tij ishte Gjon. 7 Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar Dritën, që të gjithë të besojnë nëpër të. 8 Ai nuk ishte Drita, por ‑ për të dëshmuar Dritën.)

9 Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi në botë. 10 Ishte në botë e bota u krijua prej Saj, e bota nuk e njohi. 11 Erdhi ndër të vetët, e të tijtë nuk e pranuan. 12 Atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit: atyre që besojnë në Emrin e tij. 13 Këta s’i bëri bij të Hyjit as gjaku as prirja e mishit as prirja e njeriut por ‑ Hyji.

14 E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne. Ne e pamë lavdinë e tij, atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm plot hir e të vërtetë.

   (15 Gjoni e dëshmon Atë. Ai shpall: “Ky është ai, për të cilin thashë: ‘Ai që vjen pas meje, është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje!’“ 16 Vërtet, prej plotësisë së tij të gjithë ne morëm, madje, hir mbi hir. 17 Vërtet, Ligji u dha nëpër Moisiun, porse hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin. 18 Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm ‑ që është Hyj, një natyre me Atin, Ai bëri të njihet.)

 

Fjala e Zotit

 

Thuhet Besoj. Në fjalët E u mishërua bien në gjunjë.

 

Besoj në një Hyj të vetëm,

Atin e gjithëpushtetshëm,

krijuesin e qiellit e të tokës,

të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.

Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,

një të vetmin Birin e Hyjit,

të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.

Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,

Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.

I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,

nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.

Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.

   Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:

E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt

prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.

U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,

pësoi dhe u varros

dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve

e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.

Dhe përsëri do të vijë me lavdi

për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,

e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,

që rrjedh prej Atit e prej Birit,

që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,

që foli me anë të profetëve.

Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.

Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.

Pres ngjalljen e të vdekurve

dhe jetën e pasosur. Amen.

 

Lutja mbi dhurata

 

Të të pëlqejë, o Zot, flia e së kremtes së sotme. Ajo është burimi i pajtimit tonë të përsosur me ty, dhe përsosmëria e nderimit tonë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

PREFACIONI I KRISHTLINDJES, I

Krishti dritë

 

31. Ky prefacion thuhet: në Meshët e Krishtlindjes e të tetores së tyre; brenda tetores së Krishtilindjes edhe ne Meshët që përndryshe do ta kishin prefacionin vet, me përjashtim të atyre Meshëve që e kanë prefacionin e vet për misteret hyjnore ose Vetjet; dhe në ditë të lira të Krishtlindjes.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi të Zotit

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjemend është punë e denjë e drejtë,

është detyrë e jona dhe burim shëlbimi,

të falemi nderit gjithmonë e gjithkund,

Ty, o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar:

sepse me anën e misterit të Fjalës së mishëruar,

në sytë e shpirtit tonë ndriçoi një rreze e re

e shkëlqimit tënd.

Kështu që, duke e njohur Hyjin në mënyrë të dukshme,

me anën e tij jemi tërhequr kah dashuria e sendeve të padukshme.

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe me kryengjëj,

me frone dhe zotërues,

dhe me të gjitha aradhen e ushtirsë qiellore,

po këndojmë himinin e lavdisë sate,

   duke thënë pa pushuar:

 

Shenjt, Shenjt, shenjt...

 

Kur përdoret Kanoni Romak, thuhet Të bashkuar i veçantë.

 

Antifona e Kungimit Krh. Ps 97, 3

 

Të gjitha skajet e botës e panë shpëtimin e Hyjit tonë.

 

Lutja pas kungimit

 

O Hyj i mëshirshëm, sot ka lindur Shpëtimtari i botës. Bëj që ai, i cili na ka lindur për një jetë hyjnore, të na japë edhe dhuratën e pavdekshmërisë. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.

 

Mund të përdoret trajtëza e bekimit kremtor, fq. 511.

 

E diela në tetëditëshin e Krishtlindjes ose nëse mungon, më 30 dhjetor