Leximet e ditës

JAVA E IV GJATË VITIT

 

E MARTË

 

Antifona e hyrjes Ps 105, 47

 

Na shpëto, o Zot, Hyji ynë, dhe na bashko prej kombeve, që ta lëvdojmë emrin tënd të shenjtë dhe të mburremi me lumturinë tënde.

 

Kolekta

 

Bëj, po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, të të adhurojmë ty me gjithë shpirt, dhe t’i duam me dashurinë e duhur të gjithë njerëzit. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

II

 

Leximi i parë (2 Sam 18, 9-10.14b.21a.24-25a.30-32; 19, 1-3) (fq. 387/8)

 

Biri im Absalom! Oh, sikur të kisha vdekur unë në vend teje!

 

Lexim prej Librit të dytë të Samuelit

 

Në atë kohë, 9 Absalomi u takua me ushtarët e Davidit. Ishte në majë të mushkut. Kur mushku hyri nën një qarr të madh me gema, iu ngatërrua kryet Absalomit në gema dhe mbeti i varur mes qiellit e tokës, kurse mushku, në të cilin ishte kaloi.

10 E pa dikush dhe i lajmëroi Joabit: "E pashë Absalomin të varur në qarr". 14 Joabi tha: "Kot po humb kohë pranë teje!" I mori pra, tri heshta në dorë dhe ia nguli në zemër Absalomit që ishte ende gjallë në gemat e qarrit. 21 Por Joabi i tha etiopasit: »Shko e tregoji mbretit ç’ke parë!

24 Davidi rrinte ndërmjet dy dyerve. Rojtari vrojtues kishte dalë mbi tarracë përmbi derë në mur dhe, kur ngriti sytë, pa se një njeri po vraponte 25 dhe thirri e i tregoi mbretit. Mbreti i tha: "Nëse është i vetëm sjell lajm të mirë".

30 Atëherë mbreti i tha: "Kalo e qëndro atje!" Pasi u largua ai dhe qëndroi m'anë, 31 ia behu etiopasi dhe, kur arriti, tha: "Ju sjell lajm, imzot Mbret! Zoti sot të ka dhënë të drejtën dhe të ka shpëtuar prej duarve të të gjithë armiqve që u ngritën kundër teje." 32 Por mbreti i tha etiopasit: "A është mirë djaloshi Absalom?" Etiopasi u përgjigj: "I gjettë porsi djaloshin të gjithë armiqtë e mbretit, zotërisë tim, që u ngritën për t'i bërë të keqen Mbretit".

19,1 U trand atëherë mbreti, u ngjit në dhomën e derës e qau. Ecte e qante e thoshte kështu: "Biri im, Absalom, biri im; biri im Absalom! Oh, sikur të kisha vdekur unë në vend teje! Absalom, biri im, biri im!" 2 E lajmëruan Joabin se mbreti po e qante e po e vajtonte të birin. 3 Dhe atë ditë fitorja u kthye në vaj për mbarë popullin, sepse mbarë ushtria e mori vesh atë ditë të thuhej: "mbreti po e qan djalin e vet".

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 86 (85), 1-2.3-4.5-6 (fq. 756)

 

Ref. O Zot, më dëgjo kur të thërras në ndihmë.

 

1 Ma vër veshin, o Zot, e më dëgjo,

sepse jam i mjerë e skamnor.

2 Ma ruaj shpirtin se jam i devotshmi yt,

Hyji im, shpëtoje shërbëtorin tënd që shpreson në ty.

 

Ref. O Zot, më dëgjo kur të thërras në ndihmë.

 

3 Ki mëshirë për mua, o Zot,

se gjithë ditën të thërras në ndihmë.

4 Gëzoje shpirtin e shërbëtorit tënd,

sepse tek ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim.

 

Ref. O Zot, më dëgjo kur të thërras në ndihmë.

 

5 Sepse ti, o Zot, je i ëmbël e i butë,

plot mëshirë për ata që të thërrasin në ndihmë.

6 Dëgjoje, o Zot, uratën time,

vështroje zërin e lutjes sime.

 

Ref. O Zot, më dëgjo kur të thërras në ndihmë.

 

Aleluja!

Krishti i mori lëngatat tona e i mbarti sëmundjet tona (krh. Mt 8, 17)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mk 5, 21-43) (fq. 1435/6)

 

Vajzë, unë po të them: çohu!

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

 

Në atë kohë, 21 Jezusi përsëri kaloi me barkë në anën tjetër, ngarendi tek ai turmë e madhe populli. Ai zuri vend në breg të detit. 22 Erdhi një nga kryetarët e sinagogës, që quhej Jair, e, kur e pa, ra në gjunjë para tij 23 dhe i lutej shumë: »E kam vajzën në fill të vdekjes! Eja, vëri duart mbi të që të shërohet e të jetojë!« 24 Jezusi shkoi me të.

25 Një grua ishte e sëmurë dymbëdhjetë vjet nga derdhja e gjakut. 26 Hoqi shumë keq ndër mjekë të ndryshëm e shpenzoi gjithçka pati pa farë dobie - mu, ishte edhe më keq. 27 Ajo kishte dëgjuar për Jezusin, hyri në turmë e, pas shpinës, ia preku petkun Jezusit. 28 I thoshte mendja: »Nëse ia prek vetëm petkat, do të shërohem.« 29 Aty për aty iu ndal gjaku e në trupin e vet ndjeu se u shërua nga sëmundja.

30 Jezusi përnjëherë e ndjeu në vete fuqinë që shpërtheu prej tij, u soll në midis të turmës e tha: »Kush m'i preku petkat?« 31 Nxënësit e tij i përgjigjën: »Po a s'e sheh popullin si të furet në katër anët e thua: 'Kush më preku'« 32 Ai i rrethoi me sy për të parë atë që e kishte prekur. 33 Gruaja, plot frikë e tmerr, sepse e dinte se ç'i ngjau, u afrua, ra para tij dhe tregoi tërë të vërtetën. 34 Ai i tha: »Bijë, feja jote të shpëtoi! Shko në paqe! Dhe ji e shëruar nga sëmundja jote!«

35 Ndërsa Jezusi ende po fliste, erdhën prej të shtëpisë së kryetarit të sinagogës dhe i thanë: »Vajza jote vdiq. Pse ta trazosh më Mësuesin?« 36 Kur Jezusi dëgjoi ç'thanë, i tha kryetarit të sinagogës: »Mos ki frikë! Vetëm ti beso!« 37 Jezusi nuk lejoi ta përcjellë askush tjetër, përveç Pjetrit, Jakobit e Gjonit, vëllait të Jakobit.

38 Arritën te shtëpia e kryetarit të sinagogës. Jezusi vuri re një pështjellim të madh e njerëz që qanin e vajtonin me zë të madh. 39 Hyri dhe u tha: »Pse bërtitni e vajtoni? Fëmija nuk ka vdekur, por fle.« Ata e përqeshën. 40 Jezusi atëherë i qiti përjashta të gjithë. Me vete mori të atin e t'ëmën e fëmijës e përcjellësit e vet dhe hyri atje, ku ishte fëmija. 41 E kapi fëmijën për dore e i tha: »Talitha kum!« që do të thotë: »Vajzë, unë po të them: çohu!« 42 Vajza aty për aty u ngrit e nisi të ecë. Ishte dymbëdhjetë vjeç. Të gjithë mbetën pa masë të habitur. 43 Jezusi u urdhëroi rreptësishtë të mos ia tregojnë askujt ngjarjen dhe u tha t'i japin vajzës të hajë.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

O Zot, i kushtuam mbi altar këto dhurata, shenjë të shërbesës sonë; pranoji me mirësi dhe shndërroji në sakrament të shëlbimit tonë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 30, 17-18

 

Shndrite fytyrën tënde mbi shërbëtorin tënd; më shpëto në saje të mirësisë sate. O Zot, nuk do të turpërohem pasi ty të thirra në ndihmë.

 

Ose: Mt 5, 3-4

 

Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është mbretëria e qiellit. Lum të butët, sepse ata do ta trashëgojnë tokën.

 

Lutja pas kungimit

 

Na përtërive, o Zot, me dhuratën e shëlbimit; bëj, po të lutemi, që, në saje të këtij misteri, të forcohet përherë feja e vërtetë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.