Leximet e ditës
JAVA E IV GJATË VITIT
E MËRKURË
Antifona e hyrjes Ps 105, 47
Na shpëto, o Zot, Hyji ynë, dhe na bashko prej kombeve, që ta lëvdojmë emrin tënd të shenjtë dhe të mburremi me lumturinë tënde.
Kolekta
Bëj, po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, të të adhurojmë ty me gjithë shpirt, dhe t’i duam me dashurinë e duhur të gjithë njerëzit. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
II
Leximi i parë (2 Sam 24, 2.9-17) (fq. 395/6)
Unë mëkatova, unë e kam bërë këtë të keqe, e këto dele ç'të keqe kanë bërë?
Lexim prej Librit të dytë të Samuelit
Në ato ditë, 2 mbreti i tha Joabit e prijësve të ushtrisë së vet që ishte me të: "Përshko të gjitha fiset e Izraelit prej Danit e deri në Bersabe, dhe numërojeni popullin që ta di numrin e tij".
9 Joabi ia dha mbretit numrin e regjistrimit të popullit: Izraeli kishte tetëqind mijë burra të aftë për shpatë, kurse prej Judës ishin pesëqind mijë luftëtarë.
10 Por pasi kreu Davidi regjistrimin, filloi ta brejë ndërgjegjja e Davidi i tha Zotit: "Me këtë veprim kam bërë mëkat të madh, por tani po të lutem, o Zot, falja shërbëtorit tënd fajin, sepse kam vepruar tepër marrëzisht".
11 Kur u ngrit Davidi në mëngjes, fjala e Zotit i kishte ardhur Gadit profet, veguesit të Davidit. I kishte thënë: 12 "Shko e thuaj Davidit: Kështu thotë Zoti: Po t'i parashtrojë tri gjëra, zgjidh njërën ndër to dhe atë do ta bëj". 13 Gadi erdhi te Davidi dhe e lajmëroi. I tha: "A do të vijnë tre vjet urie në tokën tënde, ose të ikësh tre muaj para armiqve të tu e ata të të ndjekin, ose të ketë tri ditë murtajë në tokën tënde? Tani pleqëro dhe vendos çfarë më duhet t'i përgjigjem atij që më ka dërguar?" 14 Atëherë Davidi i tha Gadit: "Jam tepër ngushtë! Por më mirë le të biem në duar të Zotit - sepse e madhe është mëshira e tij - se sa në duar të njerëzve".
15 Dhe Davidi zgjodhi murtajën. Ishte koha e korrjes së grurit. Dhe Zoti e çoi murtajën në Izrael prej mëngjesit e deri në kohën e caktuar dhe vdiqën prej popullit që nga Dani e deri në Bersabe shtatëdhjetë mijë veta. 16 Kur engjëlli i Zotit e shtriu dorën e vet përmbi Jerusalem për ta asgjësuar, iu dhimb Zotit për shkak të asaj së keqeje e i tha engjëllit shuplakues të popullit: "Mjaft! Ndale tani dorën tënde!"
Atëherë engjëlli ndodhi te lëma e Areunë Jebuzeut. 17 Davidi, kur e pa engjëllin, vrasësin e popullit, i tha Zotit: "Unë mëkatova, unë e kam bërë këtë të keqe, e këto dele ç'të keqe kanë bërë? Le të bjerë dora jote mbi mua e mbi familjen e time!"
Fjala e Zotit
Psalmi 32 (31), 1-2.5.6.7 (fq. 691)
Ref. Ma fal, o Zot, mëkatin tim.
1 Lum ai që iu fal mëkati,
që iu mbulua faji!
2 Lum ai njeri që Zoti nuk e numëron ndër mëkatarë,
në shpirtin e të cilit nuk ka dredhi.
Ref. Ma fal, o Zot, mëkatin tim.
5 Atëherë ta dëftova mëkatin tim,
fajin tim më nuk e fsheha.
Thashë: "Do t'ia rrëfej Zotit fajin tim,"
e ti ma fale fajësinë e mëkatit tim.
Ref. Ma fal, o Zot, mëkatin tim.
6 Prandaj le të lutet çdo besimtar
në kohë të përshtatshme,
kur të vërshojnë ujërat e shumta,
atë s'do ta zënë.
Ref. Ma e fal, o Zot, mëkatin tim.
7 Ti je strehimi im,
ti më ruan prej vështirësisë,
do të më rrethosh me këngë gëzimi.
Ref. Ma fal, o Zot, mëkatin tim.
Aleluja!
Dhentë e mia e dëgjojnë zërin tim, thotë Zoti; unë i njoh dhe ato vijnë pas meje. (Gjn 10, 27)
Ungjilli (Mk 6, 1-6) (fq. 1436)
Profeti ndahet pa nder vetëm në vendin e vet.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
Në atë kohë, 1 Jezusi u nis prej andej e shkoi në vend ku u rrit. E përcollën edhe nxënësit e tij. 2 Kur erdhi e shtuna, filloi të mësojë në sinagogë. Shumica e dëgjuesve çuditeshin e thoshin: »Nga i vinë këtij këto? Ç'është kjo dije që iu dhurua? Po këto mrekulli të mëdha që bëhen nga duart e ti? 3 Po a nuk është ky zdrukthëtar, i biri Marisë, vëllai i Jakobit, i Jozefit, i Judës, i Simonit? Po a nuk janë këtu ndër ne motrat e tija?« Kështu u bë për ta arsye e mosbesimit në të.
4 Jezusi u tha: »Profeti ndahet pa nder vetëm në vendin e vet, në farefisin e vet dhe në shtëpinë e vet.« 5 Dhe nuk mundi aty të bëjë asnjë mrekulli, përveç se shëroi disa të sëmurë duke vënë mbi ta duart. 6 E çuditej për mosbesimin e tyre.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
O Zot, i kushtuam mbi altar këto dhurata, shenjë të shërbesës sonë; pranoji me mirësi dhe shndërroji në sakrament të shëlbimit tonë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 30, 17-18
Shndrite fytyrën tënde mbi shërbëtorin tënd; më shpëto në saje të mirësisë sate. O Zot, nuk do të turpërohem
pasi ty të thirra në ndihmë.
Ose: Mt 5, 3-4
Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është mbretëria e qiellit. Lum të butët, sepse ata do ta trashëgojnë tokën.
Lutja pas kungimit
Na përtërive, o Zot, me dhuratën e shëlbimit; bëj, po të lutemi, që, në saje të këtij misteri, të forcohet përherë feja e vërtetë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.