Leximet e ditës
JAVA E IV GJATË VITIT
E PREMTE
Antifona e hyrjes Ps 105, 47
Na shpëto, o Zot, Hyji ynë, dhe na bashko prej kombeve, që ta lëvdojmë emrin tënd të shenjtë dhe të mburremi me lumturinë tënde.
Kolekta
Bëj, po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, të të adhurojmë ty me gjithë shpirt, dhe t’i duam me dashurinë e duhur të gjithë njerëzit. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
II
Leximi i parë (Sir 47, 2-13) (fq. 966)
Davidi, me gjithë zemrën e vet lëvdoi Zotin dhe e deshi Hyjin, Krijuesin e vet.
Lexim prej Librit të Siracidit
2 Sikurse dhjami ndahet nga flia e shëlbimit, kështu Davidi u dallua veçmas nga bijtë e Izraelit. 3 Luante me luanë porsi me keca, me arinj porsi me qengja! 4 Pse a në rini nuk e vrau viganin e s’e lau turpin prej popullit? 5 I dha bahes me dorë të vet dhe e lau poshtërimin e Golisë! 6 Sepse e thirri të Lartin Zot, ai i dha fuqi të djathtës së tij për ta zhdukur trimin e fortë të luftës e për t’ia rritur fuqinë popullit të vet. 7 Këndej e lavdëruan për dhjetë mijërat e tija, e madhëruan ndër këngët e Zotit dhe ia dhuruan kezën e lavdishme, 8 sepse gjithkund i theu armiqtë, i mposhti kundërshtarët filistenj, sa që s’çuan me krye më deri në ditë të sotme. 9 Në çdo vepër të vet i dha lavdi Shenjtit të Tejetlartë, me fjalë lavdie, 10 me gjithë zemrën e vet e lëvdoi Zotin dhe e deshi Hyjin, Krijuesin e vet. 11 Caktoi të qëndrojnë përballë lterit muziktarët që me zërin e tyre t’i japin shije këngës. 12 Festave u dha shkëlqim, i stolisi deri në përkryerje të kremtet e vitit, i dha lavdi Emrit shenjt të Zotit e bëri të jehojë qysh në agim Shenjtërorja. 13 Vetë Zoti i pastroi mëkatet e tija, e rriti pushtetin e tij për amshim, i dhuroi Besëlidhje mbretërore, fronin e lavdishëm në Izrael.
Fjala e Zotit
Psalmi 18 (17), 31.47.50.51 (fq. 769)
Ref. Qoftë lavdëruar Zoti, Hyji i shpëtimit tim.
31 Udha e Zotit është krejtësisht e pastër,
fjala e Zotit është e sprovuar me zjarr:
Ai është Mbrojtësi i të gjithë atyre që shpresojnë në të.
Ref. Qoftë lavdëruar Zoti, Hyji i shpëtimit tim.
47 Është Zoti! Qoftë bekuar Qeta e strehimit tim!
Qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!
50 Prandaj, o Zot, do të të lavdëroj ndër paganë,
himne gëzimi do t'i këndoj Emrit tënd!
Ref. Qoftë lavdëruar Zoti, Hyji i shpëtimit tim.
51 Zoti ia shumon fitoret Mbretit të vet,
e përkrah të shuguruarin e vet,
Davidin e pasardhësit e tij deri në amshim!
Ref. Qoftë lavdëruar Zoti, Hyji i shpëtimit tim.
Aleluja!
Lum ata që e dëgjojnë fjalën dhe e ruajnë në zemër të mirë e bujare dhe japin fryt me qëndrueshmëri. (krh. Lk 8, 15)
Aleluja!
Ungjilli (Mk 6, 14-29) (fq. 1436)
Gjoni, të cilit unë urdhërova t’ia presin kokën, është ringjallur!
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
Në atë kohë, 14 Mbreti Herod dëgjoi për Jezusin, sepse emri i tij u bë i njohur. Thuhej: »Gjon Pagëzuesi u ngjall prej të vdekurish, prandaj në të po veprojnë fuqitë mrekullbërëse. 15 Disa tjerë thoshin: »Është Elia!« Prapë do tjerë: »Është profet si çdo profet tjetër!« 1 6 Kur dëgjoi, Herodi tha: »U ngjall Gjoni, ai, të cilit ia pata shkurtuar kryet!«
17 Dhe njëmend, vet Herodi kishte dhënë urdhër të kapej Gjoni, të ngujohej në pranga e të burgosej. Shkaku ishte Herodiada, gruaja e Filipit, të vëllait të tij, të cilën e kishte marrë për grua. 18 E pasi Gjoni i kishte thënë Herodit: »S'guxon ta mbash gruan e vëllait tënd!« 19 Herodiada e urrente dhe donte ta vrasë por nuk mundte, 20 sepse Herodi e dronte Gjonin. E dinte mirë se është njeri i drejtë e i shenjtë e prandaj edhe e mbronte. Kur e dëgjonte, trazohej fort në shpirt, por prapëseprapë e dëgjonte me ëndje.
21 Por erdhi dita e volitshme, kur Herodi, me rastin e ditëlindjes së vet, u përgatiti një gosti bujarëve të vet, oficerëve të lartë dhe krerëve të Galilesë. 22 Hyri vajza e Herodiadës e kërceu. I pëlqeu shumë Herodit dhe të grishurve. Atëherë Mbreti i tha vajzës. »Lyp prej meje çka të duash dhe unë do ta jap.«
23 Dhe iu përbetua: »Do të jap gjithçka të më lypësh, qoftë edhe gjysma e Mbretërisë sime!«24 Ajo doli dhe i tha s'ëmës: »Çka të kërkoj?
»Kryet e Gjon Pagëzuesit!« - i tha ajo. 25 Vajza u kthye vrik te Mbreti e i tha: »Dua të ma japësh tani në pjatë kryet e Gjon Pagëzuesit.« 26 Mbreti u trishtua, por për shkak të premtimit dhënë me përbetim e për shkak të grishurve, nuk deshi t'ia mohojë kërkesën.
27 Mbreti menjëherë dërgoi një vrasës dhe urdhëroi t'ia sjellë kryet e Gjonit. Ky shkoi, ia shkurtoi kryet në burg, 28 e solli në pjatë, ia dha vajzës, kjo ia dha s'ëmës. 29 Kur dëgjuan nxënësit e Gjonit, erdhën, morën trupin e tij dhe e shtinë në dhe.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
O Zot, i kushtuam mbi altar këto dhurata, shenjë të shërbesës sonë; pranoji me mirësi dhe shndërroji në sakrament të shëlbimit tonë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 30, 17-18
Shndrite fytyrën tënde mbi shërbëtorin tënd; më shpëto në saje të mirësisë sate. O Zot, nuk do të turpërohem pasi ty të thirra në ndihmë.
Ose: Mt 5, 3-4
Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është mbretëria e qiellit. Lum të butët, sepse ata do ta trashëgojnë tokën.
Lutja pas kungimit
Na përtërive, o Zot, me dhuratën e shëlbimit; bëj, po të lutemi, që, në saje të këtij misteri, të forcohet përherë feja e vërtetë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.