Leximet e ditës
JAVA E IV GJATË VITIT - MË POSHTË LEXIME E TË DILES SË PESTË GJATË VITIT
E SHTUNË
Na shpëto, o Zot, Hyji ynë, dhe na bashko prej kombeve, që ta lëvdojmë emrin tënd të shenjtë dhe të mburremi me lumturinë tënde.
Kolekta
Bëj, po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, të të adhurojmë ty me gjithë shpirt, dhe t’i duam me dashurinë e duhur të gjithë njerëzit. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
II
Leximi i parë (1 Mbr 3, 4-13) (fq. 402/3)
Jepi, shërbëtorit tënd një zemër që di të mësojë, që dijë ta gjykojë popullin tënd.
Lexim prej Librit të parë të Mbretërve
Në atë kohë, 4 Salomoni shkoi në Gabaon për të flijuar atje. Atje ishte lartësira më me rëndësi. Salomoni aty mbi atë lter kushtoi një mijë fli shkrumbimi.
5 Në Gabaon Zoti iu shfaq Salomonit natën në ëndërr e i tha : "Kërko çfarë do që të jap unë!"
6 Salomoni tha: "Ti je sjellë me shërbëtorin tënd Davidin, babën tim, me besnikëri të madhe, sepse ai ka jetuar para syve të tu me besë, me drejtësi e me ndershmëri të zemrës së vet. Ti ia mbajte besën e bëre që mbi fronin e tij të rrijë djali i tij, siç është sot. 7 E tani, o Zot, Hyji im, ti e bëre Mbret shërbëtorin tënd në vend të babait tim, Davidit. Mirëpo, unë jam djalosh i ri dhe nuk di si duhet Mbretëruar. 8 Shërbëtori yt është në mes të popullit që ti e ke zgjedhur për vete, të popullit të panumërt që nuk mund të njehet as nuk mund të numërohet për shkak të madhësisë. 9 Jepi, pra, shërbëtorit tënd një zemër që di të mësojë, që të dijë ta gjykojë popullin tënd e të dijë ta dallojë të mirën prej së keqes. Sepse, kush është ai që do të mund ta gjykojë popullin tënd të madh?"
10 Zotit i pëlqeu kërkesa e tillë që Salomoni i bëri 11 dhe Hyji i tha Salomonit: "Pasi ti kërkove këtë gjë dhe nuk kërkove për vete as jetë të gjatë, as pasuri, as jetën e armiqve të tu, por kërkove urtësinë për të bërë drejtësi, l2 ja, po bëj ashtu siç kërkove ti: po të jap mendje të kthjellët e plot kuptim kaq sa të tillë nuk e ka pasur askush para teje dhe s' do ta ketë askush pas teje si ti. 13 Por edhe ato që ti nuk i kërkove po t' i jap unë domethënë pasuri e lavdi saqë s' ka për të qenë askush i ngjashëm me ty ndër mbretër gjatë gjithë jetës sate. 14 E në qoftë se ti do të ecësh udhëve të mia duke mbajtur ligjet e urdhërimet e mia, siç eci yt atë, Davidi, të shumta do t'i bëj edhe ditët e jetës sate."
Fjala e Zotit
Psalmi 119 (118), 9.10.11.12.13.14 (fq. 797)
Ref. Mi mëso, o Zot, urdhërimet e tua.
9 Si do ta ruajë të pastër djaloshi udhën e vet?
Duke i zbatuar fjalët e tua.
10 Të kërkoj me gjithë fuqinë e shpirtit tim:
mos lejo t'u shmangem urdhërimeve të tua.
Ref. Mi mëso, o Zot, urdhërimet e tua.
11 Fjalët e tua i fsheha në zemrën time,
që të mos gaboj kundër teje.
12 I bekuar je, o Zot,
ma mëso vullnetin tënd.
Ref. Mi mëso, o Zot, urdhërimet e tua.
13 Me buzët e mia i shpall një nga një
të gjitha gjyqet e gojës sate.
14 Më shumë i gëzohem udhës së dëshmive të tua
se pasurisë tejet të madhe.
Ref. Mi mëso, o Zot, urdhërimet e tua.
Aleluja!
Dhentë e mia e dëgjojnë zërin tim, thotë Zoti; unë i njoh dhe ato vijnë pas meje. (Gjn 10, 27)
Aleluja!
Ungjilli (Mk 6, 30-34) (fq. 1437)
Ishin porsi dhentë pa bari.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
Në atë kohë, 30 apostujt u bashkuan prapë te Jezusi dhe i treguan gjithçka kishin bërë dhe kishin mësuar. 31 Atëherë ai u tha: »Ejani dhe ju në një vend të pabanuar e pushoni pak në vetmi.« Sepse aty aq shumë njerëz vinin e shkonin sa që s'kishin kohë as të hanin.
32 Ata u nisën me barkë për në një vend të pabanuar, në vetmi. 33 Porse njerëzit i panë në ç'drejtim u nisën e shumica e morën me mend vendin ku do të shkonin dhe, këmbë, prej të gjitha qyteteve, shkuan atje e arritën para tyre.
34 Kur Jezusi doli nga barka, pa një turmë të madhe të popullit, iu dhimbsën, sepse ishin porsi 'dhentë pa bari', e filloi t'u mësojë shumë gjëra.
Lutja mbi dhurata
O Zot, i kushtuam mbi altar këto dhurata, shenjë të shërbesës sonë; pranoji me mirësi dhe shndërroji në sakrament të shëlbimit tonë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 30, 17-18
Shndrite fytyrën tënde mbi shërbëtorin tënd; më shpëto në saje të mirësisë sate. O Zot, nuk do të turpërohem pasi ty të thirra në ndihmë.
Ose: Mt 5, 3-4
Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është mbretëria e qiellit. Lum të butët, sepse ata do ta trashëgojnë tokën.
Lutja pas kungimit
Na përtërive, o Zot, me dhuratën e shëlbimit; bëj, po të lutemi, që, në saje të këtij misteri, të forcohet përherë feja e vërtetë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
JAVA E V GJATË VITIT
E DIEL
A
Ejani ta adhurojmë Hyjin, të biem përmbys para Zotit që na krijoi, sepse ai është Zoti, Hyji ynë.
Thuhet Lavdi.
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
Kolekta
Ruaje, po të lutemi, o Zot, me dashuri të vazhdueshme, këtë familje dhe, pasi kjo mbështetet vetëm në shpresën e hirit qiellor, ta gëzojë gjithherë ndihmën e mbrojtjes sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Is 58, 7-10) (fq. 1040)
Drita jote do të shndrisë porsi mesdita.
Lexim prej Librit të Isaisë profet
Kështu thotë Zoti: 7 ndaje bukën tënde me të uriturin, pranoj në shtëpinë tënde skamnorët e të pashtëpitë. Kur ta shohësh të zhveshurin, vishe dhe mos e përbuz farefisin tënd.
8 Atëherë do të zbardhë porsi agimi drita jote, shërimi yt do të vijë më shpejt; para teje do të ecë drejtësia jote e do të përcjellë lavdia e Zotit. 9 Atëherë do të thërrasësh e Zoti do të të dëgjojë, do ta thërrasësh e ai do të përgjigjet: "Këtu jam!" Nëse do ta zhdukësh prej mesit tënd zgjedhën, gishtin paditës dhe fjalën e keqe, 10 nëse do t'ia japësh kafshatën tënde të uriturit, nëse do ta ngish të uriturin, atëherë në errësirë do të shndritë drita jote, terri yt do të jetë porsi mesdita.
Fjala e Zotit
Psalmi 112 (111), 4-5.6-7.8-9 (fq. 790)
Ref. I drejti shkëlqen, o Zot, porsi dritë.
4 Lum ai njeri që e druan Zotin,
Ka lindur për të drejtët një dritë në errësirë:
5 I ëmbël është njeriu që përdëllen e huajon,
punët e veta i kryen me ndërgjegje.
Ref. I drejti shkëlqen, o Zot, porsi dritë.
6 Ai askurrë nuk do të bjerë poshtë.
7 Nuk i trembet lajmit të keq.
E patrandshme është zemra e tij me shpresë në Zotin.
Ref. I drejti shkëlqen, o Zot, porsi dritë.
8 Të fortë e ka zemrën, nuk do të trembet
Është dorëdhënë, u fal skamnorëve,
drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve,
balli i tij ngallit për nder.
Ref. I drejti shkëlqen, o Zot, porsi dritë.
Leximi i dytë (1 Kor 2, 1-5) (fq. 1609/10)
Ju kumtova dëshminë e Jezu Krishtit të kryqëzuar.
Lexim prej Letrës së parë shën të Palit apostull drejtuar Korintianëve
1 Edhe unë, o vëllezër, kur erdha në mesin tuaj, nuk erdha për t'ju kumtuar misterin e Hyjit me fjalë të larta e me urti të stërholluar, 2 sepse nuk desha në mesin tuaj të di tjetër përveç Jezu Krishtit - dhe Atë të kryqëzuar.
3 Edhe vetë u paraqita në mes jush i ligshtë, me frikë e me tmerr të madh. 4 Fjalët e mia e predikimi im nuk ishin fjalime të stërholluara që mbushin mendjen me fuqi të urtisë njerëzore, por ishin dëftim i Shpirtit Shenjt dhe i fuqisë, 5 që feja juaj të mos themelohej në dijen e njerëzve, por në fuqinë e Hyjit.
Aleluja!
Unë jam drita e botës, thotë Zoti, kush vjen pas meje do ta ketë dritën e jetës. (Gjn 8, 12)
Ungjilli (Mt 5, 13-16) (fq. 1388)
Ju jeni drita e botës.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve te vet: 13 »Ju jeni kripa e tokës. Po qe se kripa prishet, me çka mund të kripet? S'vlen më për asgjë, përveç të hidhet jashtë e ta shkelin njerëzit. 14 Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në majë të malit. 15 As nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar për t'u bërë dritë të gjithëve në shtëpi. 16 Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t'i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell.«
Fjala e Zotit
Thuhet Besoj.
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
O Zot, Hyji ynë, Ti e krijove bukën dhe verën për ushqim të trupit tonë të ligshtë: bëj, po të lutemi, të shndërrohen në sakramentin e përjetësisë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. 106, 8-9
Le t’ia dinë për nder Zotit për dashurinë e tij, për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve, që ngiu shpirtin e të eturit e mbushi me të mira shpirtin e të uriturit.
Ose: Mt 5, 5-6
Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen. Lum ata që kanë uri dhe etje për drejtësi, sepse do të ngihen.
Lutja pas kungimit
O Hyj, Ti deshe të marrim pjesë në të njëjtën bukë dhe në të njëjtin kelk: bëj, po të lutemi, që me jetën tonë të jemi plotësisht të bashkuar në Krishtin, dhe me gëzim të japim fryt për shpëtimin e botës. Nëpër Krishtin Zotin tonë.