Leximet e ditës

JAVA E V GJATË VITIT

 

E DIEL

 

A

 

Antifona e hyrjes Ps 94, 6-7

 

Ejani ta adhurojmë Hyjin, të biem përmbys para Zotit që na krijoi, sepse ai është Zoti, Hyji ynë.

 

Thuhet Lavdi.

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

Ruaje, po të lutemi, o Zot, me dashuri të vazhdueshme, këtë familje dhe, pasi kjo mbështetet vetëm në shpresën e hirit qiellor, ta gëzojë gjithherë ndihmën e mbrojtjes sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Is 58, 7-10) (fq. 1040)

 

Drita jote do të shndrisë porsi mesdita.

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

 

Kështu thotë Zoti: 7 ndaje bukën tënde me të uriturin, pranoj në shtëpinë tënde skamnorët e të pashtëpitë. Kur ta shohësh të zhveshurin, vishe dhe mos e përbuz farefisin tënd.

8 Atëherë do të zbardhë porsi agimi drita jote, shërimi yt do të vijë më shpejt; para teje do të ecë drejtësia jote e do të përcjellë lavdia e Zotit. 9 Atëherë do të thërrasësh e Zoti do të të dëgjojë, do ta thërrasësh e ai do të përgjigjet: "Këtu jam!" Nëse do ta zhdukësh prej mesit tënd zgjedhën, gishtin paditës dhe fjalën e keqe, 10 nëse do t'ia japësh kafshatën tënde të uriturit, nëse do ta ngish të uriturin, atëherë në errësirë do të shndritë drita jote, terri yt do të jetë porsi mesdita.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 112 (111), 4-5.6-7.8-9 (fq. 790)

 

Ref. I drejti shkëlqen, o Zot, porsi dritë.

 

4 Lum ai njeri që e druan Zotin,

Ka lindur për të drejtët një dritë në errësirë:

5 I ëmbël është njeriu që përdëllen e huajon,

punët e veta i kryen me ndërgjegje.

 

Ref. I drejti shkëlqen, o Zot, porsi dritë.

 

6 Ai askurrë nuk do të bjerë poshtë.

7 Nuk i trembet lajmit të keq.

E patrandshme është zemra e tij me shpresë në Zotin.

 

Ref. I drejti shkëlqen, o Zot, porsi dritë.

 

8 Të fortë e ka zemrën, nuk do të trembet

Është dorëdhënë, u fal skamnorëve,

drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve,

balli i tij ngallit për nder.

 

Ref. I drejti shkëlqen, o Zot, porsi dritë.

 

Leximi i dytë (1 Kor 2, 1-5) (fq. 1609/10)

 

Ju kumtova dëshminë e Jezu Krishtit të kryqëzuar.

 

Lexim prej Letrës së parë shën të Palit apostull drejtuar Korintianëve

 

1 Edhe unë, o  vëllezër, kur erdha në mesin tuaj, nuk erdha për t'ju kumtuar misterin e Hyjit me fjalë të larta e me urti të stërholluar, 2 sepse nuk desha në mesin tuaj të di tjetër përveç Jezu Krishtit - dhe Atë të kryqëzuar.

3 Edhe vetë u paraqita në mes jush i ligshtë, me frikë e me tmerr të madh. 4 Fjalët e mia e predikimi im nuk ishin fjalime të stërholluara që mbushin mendjen me fuqi të urtisë njerëzore, por ishin dëftim i Shpirtit Shenjt dhe i fuqisë, 5 që feja juaj të mos themelohej në dijen e njerëzve, por në fuqinë e Hyjit.

 

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Unë jam drita e botës, thotë Zoti, kush vjen pas meje do ta ketë dritën e jetës. (Gjn 8, 12)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 5, 13-16) (fq. 1388)

 

Ju jeni drita e botës.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve te vet: 13 »Ju jeni kripa e tokës. Po qe se kripa prishet, me çka mund të kripet? S'vlen më për asgjë, përveç të hidhet jashtë e ta shkelin njerëzit. 14 Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në majë të malit. 15 As nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar për t'u bërë dritë të gjithëve në shtëpi. 16 Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t'i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell.«

 

Fjala e Zotit

 

Thuhet Besoj.

 

Besoj në një Hyj të vetëm,

Atin e gjithëpushtetshëm,

krijuesin e qiellit e të tokës,

të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.

Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,

një të vetmin Birin e Hyjit,

të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.

Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,

Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.

I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,

nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.

Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.

Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:

E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt

prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.

U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,

pësoi dhe u varros

dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve

e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.

Dhe përsëri do të vijë me lavdi

për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,

e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,

që rrjedh prej Atit e prej Birit,

që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,

që foli me anë të profetëve.

Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.

Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.

Pres ngjalljen e të vdekurve

dhe jetën e pasosur. Amen.

 

Lutja mbi dhurata

 

O Zot, Hyji ynë, Ti e krijove bukën dhe verën për ushqim të trupit tonë të ligshtë: bëj, po të lutemi, të shndërrohen në sakramentin e përjetësisë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. 106, 8-9

 

Le t’ia dinë për nder Zotit për dashurinë e tij, për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve, që ngiu shpirtin e të eturit e mbushi me të mira shpirtin e të uriturit.

 

Ose: Mt 5, 5-6

 

Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen. Lum ata që kanë uri dhe etje për drejtësi, sepse do të ngihen.

 

Lutja pas kungimit

 

O Hyj, Ti deshe të marrim pjesë në të njëjtën bukë dhe në të njëjtin kelk: bëj, po të lutemi, që me jetën tonë të jemi plotësisht të bashkuar në Krishtin, dhe me gëzim të japim fryt për shpëtimin e botës. Nëpër Krishtin Zotin tonë.