Leximet e ditës

JAVA E V GJATË VITIT

 

E HËNË

 

Antifona e hyrjes Ps 94, 6-7

 

Ejani ta adhurojmë Hyjin, të biem përmbys para Zotit që na krijoi, sepse ai është Zoti, Hyji ynë.

 

Kolekta

 

Ruaje, po të lutemi, o Zot, me dashuri të vazhdueshme, këtë familje dhe, pasi kjo mbështetet vetëm në shpresën e hirit qiellor, ta gëzojë gjithherë ndihmën e mbrojtjes sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

II

 

Leximi i parë (1 Mbr 8, 1-7.9-13) (fq. 409/10)

 

E sollën Arkën e Besëlidhjes së Zotit në vendin e saj, në Dabirin e Tempullit.

 

Lexim prej Librit të parë të Mbretërve

 

1 Në ato ditë, Salomoni i bashkoi në Jerusalem te vetja te gjithë parinë e Izraelit: të gjithë të parët e fiseve, prijësit e vëllazërive të bijve të Izraelit për ta bartur Arkën e Besëlidhjes së Zotit prej qytetit të Davidit, domethënë prej Sionit. 2 Të gjithë izraelitët u bashkuan të Mbreti Salomon në muajin Etanim, domethënë në muajin e shtatë, në festë.

3 Kur erdhën të parët e Izraelit, priftërinjtë e morën Arkën 4 dhe e bartën Arkën e Zotit, Tendën e Takimit dhe të gjitha enët e Shenjtërores që ishin në Tendë. I bartën priftërinjtë e levitët. 5 Mbreti Salomon dhe mbarë populli i Izraelit që ishte mbledhur rreth tij, së bashku me të flijonin para Arkës dele e gjedhë aq shumë, saqë s'mund të çmoheshin as të numëroheshin.

6 Priftërinjtë e sollën Arkën e Besëlidhjes së Zotit në vendin e saj në Dabirin e Tempullit, në Shenjtëroren e shenjtëroreve, nën krahët e kerubinëve. 7 Kështu kerubinët i shtrinin krahët mbi vendin e Arkës dhe mbronin Arkën edhe shtagat e saja. 9 Në Arkë nuk kishte tjetër përveç dy rrasave guri që i kishte futur në të Moisiu në Malin Horeb, kur Zoti lidhi Besëlidhje me bijtë e Izraelit pasi kishin dalë prej tokës së Egjiptit.

10 Posa dolën priftërinjtë prej shenjtërores, reja mbushi shtëpinë e Zotit. 11 dhe priftërinjtë nuk mund të qëndronin e të shërbenin për shkak të resë: dhe njëmend lavdia e Zotit e kishte mbushur Shtëpinë e Zotit. 12 Atëherë Salomoni tha: "Zoti vendosi të banojë në renë e errët. 13 Unë, pra, bëra mirë që të ndërtova një Shtëpi të madhërishme, një fron të qëndrueshëm e të përhershëm për ty".

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 132 (131), 6-7.8-10 (fq. 812/3)

 

Ref. Ngrihu, o Zot, ti dhe arka e pushtetit tënd!

 

6 Ja, dëgjuam se është në Efratë,

e kemi gjetur në Fushat e Jaarit!

7 Le të hyjmë në tendën e tij,

të adhurojmë te shtroja e këmbëve të tija!

 

Ref. Ngrihu, o Zot, ti dhe arka e pushtetit tënd!

 

8 Ngrihu, o Zot, eja në vendin e pushimit tënd,

ti dhe arka e Pushtetit tënd!

9 Priftërinjtë e tu le të veshën me drejtësi,

shenjtërit e tu le të brohoritin me galdim.

10 Për dashuri të shërbëtorit tënd Davidit,

mos e përbuz fytyrën e Mesisë tënd!

 

Ref. Ngrihu, o Zot, ti dhe arka e pushtetit tënd!

 

Aleluja!

Jezusi e predikonte Ungjillin e Mbretërisë duke shëruar në popull çdo sëmundje e çdo lëngatë. (Mt 4, 23)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mk 6, 53-56) (fq. 1438)

 

Të gjithë ata që e preknin Jezusin, shëroheshin.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

 

Në atë kohë, pasi Jezusi dhe nxënësit e tij 53 lundruan deri në breg, arritën në Gjenezaret e aty e lidhën barkën.

54 Posa dolën nga barka, njerëzit që e njohën 55 menjëherë shpejtuan të shkojnë nëpër mbarë krahinën e filluan të sjellin të sëmurit në vigje atje ku dëgjonin se ishte.

56 E kudo që hynte: në fshatra, në qytete apo në katunde, i vendosnin të sëmurit në sheshe dhe e lutnin t'ia preknin së paku kindin e petkut. Të gjithë ata që e preknin, shëroheshin.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

O Zot, Hyji ynë, Ti e krijove bukën dhe verën për ushqim të trupit tonë të ligshtë: bëj, po të lutemi, të shndërrohen në sakramentin e përjetësisë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. 106, 8-9

 

Le t’ia dinë për nder Zotit për dashurinë e tij, për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve, që ngiu shpirtin e të eturit e mbushi me të mira shpirtin e të uriturit.

 

Ose: Mt 5, 5-6

 

Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen. Lum ata që kanë uri dhe etje për drejtësi, sepse do të ngihen.

 

Lutja pas kungimit

 

O Hyj, Ti deshe të marrim pjesë në të njëjtën bukë dhe në të njëjtin kelk: bëj, po të lutemi, që me jetën tonë të jemi plotësisht të bashkuar në Krishtin, dhe me gëzim të japim fryt për shpëtimin e botës. Nëpër Krishtin Zotin tonë.