Leximet e ditës
JAVA E V GJATË VITIT
E MARTË
Antifona e hyrjes Ps 94, 6-7
Ejani ta adhurojmë Hyjin, të biem përmbys para Zotit që na krijoi, sepse ai është Zoti, Hyji ynë.
Kolekta
Ruaje, po të lutemi, o Zot, me dashuri të vazhdueshme, këtë familje dhe, pasi kjo mbështetet vetëm në shpresën e hirit qiellor, ta gëzojë gjithherë ndihmën e mbrojtjes sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
II
Leximi i parë (1 Mbr 8, 22-23.27-30) (fq. 410)
I the, o Zot, "Këtu do të jetë Emri im!'
Lexim prej Librit të parë të Mbretërve
Në ato ditë, 22 Salomoni qëndroi para lterit të Zotit në praninë e mbarë bashkësisë së Izraelit, i shtiru duart e tij drejt qiellit 23 dhe tha:
"O Zot, Hyji i Izraelit! Nuk ka Hyj të ngjashëm me ty as lart në qiell, as poshtë mbi tokë! Ti e mban besëlidhjen dhe e ruan mëshirën për shërbëtorët e tu që ecin në praninë tënde me gjithë zemër.
27 Dhe njëmend a mund të merret me mend se Hyji banon mbi toke me të vërtetë? Qielli vetë e qiejt e qiejve ty nuk mund të të zënë! Aq më pak kjo Shtëpi që unë ta ndërtova!
28 Por, vëri veshin uratës së shërbëtorit tënd dhe lutjeve të tij, o Zot, Hyji im! Dëgjo britmën dhe uratën që shërbëtori yt po e drejton sot para teje! 29 Le të jenë natë e ditë sytë e tu të çelur mbi këtë Shtëpi, mbi vendin, për të cilin the: 'Këtu do të jetë Emri im!' Dëgjoje uratën që po ta bën shërbëtori yt në këtë vend!"
30 "Denjohu ta plotësosh uratën e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd Izraelit: për çkado që të kërkojnë me uratë në këtë vend. Dëgjo prej vendit ku banon, prej qiellit: dëgjo e fal!
Fjala e Zotit
Psalmi 84 (83), 3.4.5.10.11 (fq. 754/5)
Ref. Sa të dashura janë, o Zot, banesat e tua.
3 Shpirti im shkrihet e meket
për pallatet e Zotit.
Zemra ime e trupi im
i brohoritin Hyjit të gjallë.
Ref. Sa të dashura janë, o Zot, banesat e tua.
4 Edhe trumcaku e gjen bunin e vet
edhe turtulli çerdhen e vet
ku i vë zogjtë e vet:
e unë lterët e tu, o Zoti i ushtrive,
Mbreti im e Hyji im!
Ref. Sa të dashura janë, o Zot, banesat e tua.
5 Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde:
do të të lavdërojnë për amshim.
6 Lum ai që në ty gjen forcën
dhe vendos për shtegtim të shenjtë.
Ref. Sa të dashura janë, o Zot, banesat e tua.
11 Vërtet më e mirë është një ditë në Shtëpinë tënde
se të tjera me mijëra!
Parapëlqej të qëndroj te pragu i Shtëpisë së Hyjit tim,
më tepër se të banoj në tendat e mëkatarëve.
Ref. Sa të dashura janë, o Zot, banesat e tua.
Aleluja!
Prire zemrën time, o Zot, drejt urdhërimeve të tua, më pajis me Ligjin tënd. (Ps 119 (118) 36a.29b)
Ungjilli (Mk 7, 1-13) (fq. 1438/9)
Ju shlyeni fjalën e Zotit me traditat e të parëve.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
Në atë kohë, 1 rreth Jezusit u bashkuan farisenjtë dhe disa skribë që kishin ardhur nga Jerusalemi.
2 Ata vunë re se disa prej nxënësve të tij po hanin bukë me duar »të papastra« - domethënë të palara. 3 Tashti farisenjtë dhe mbarë hebrenjtë nuk hanë bukë pa i larë duart deri në bërryl për arsye të dokeve të të parëve. 4 As kur kthehen nga tregu nuk hanë gjë pa u larë më parë. Janë edhe shumë gjëra tjera që i mbajnë për shkak të traditës: larje gotash, katrovash e enësh tryezash. 5 Prandaj farisenjtë dhe skribët e pyetën Jezusin: »Pse nxënësit e tu nuk i mbajnë traditat e të parëve, por hanë bukë me duar të »papastra«?«
6 Ai u përgjigj: »Mirë parafoli për ju, o shtiracakë, Isaia, kur shkroi: 'Ky popull më nderon me buzë, kurse zemra e tyre është larg meje. 7 I kotë është kulti që më bëjnë, kur mësojnë kinse mësim të Hyjit - rregulloret që i qitën njerëzit’. 8 Ju lini pas dore urdhërimin e Hyjit e mbani traditat e njerëzve«
9 Dhe u tha: »Zhbëni urdhërimin e Hyjit, për të ruajtur traditën tuaj! 10 E pra, Moisiu tha: 'Ndero babën tënd dhe nënën tënde!' dhe: 'Kush ta nëmë babën dhe nënën, le të ndëshkohet me vdekje!' 11 E ju përkundrazi thoni: 'Nëse ndokush i thotë babait ose nënës: po e shpall kurban - domethënë - dhuratë të shenjtë - ndihmën që ju takon prej meje,' 12 atë nuk e lejoni t'i ndihmojë më babait dhe nënës. 13 Kështu zhbëni Fjalën e Hyjit për hir të traditës suaj, që ju vetë e bëtë traditë për vete. E bëni edhe shumë punë të tilla të ngjashme me këto.«
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
O Zot, Hyji ynë, Ti e krijove bukën dhe verën për ushqim të trupit tonë të ligshtë: bëj, po të lutemi, të shndërrohen në sakramentin e përjetësisë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. 106, 8-9
Le t’ia dinë për nder Zotit për dashurinë e tij, për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve, që ngiu shpirtin e të eturit e mbushi me të mira shpirtin e të uriturit.
Ose: Mt 5, 5-6
Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen. Lum ata që kanë uri dhe etje për drejtësi, sepse do të ngihen.
Lutja pas kungimit
O Hyj, Ti deshe të marrim pjesë në të njëjtën bukë dhe në të njëjtin kelk: bëj, po të lutemi, që me jetën tonë të jemi plotësisht të bashkuar në Krishtin, dhe me gëzim të japim fryt për shpëtimin e botës. Nëpër Krishtin Zotin tonë.