Leximet e ditës

JAVA E V GJATË VITIT

 

E MËRKURË

 

Antifona e hyrjes Ps 94, 6-7

 

Ejani ta adhurojmë Hyjin, të biem përmbys para Zotit që na krijoi, sepse ai është Zoti, Hyji ynë.

 

Kolekta

 

Ruaje, po të lutemi, o Zot, me dashuri të vazhdueshme, këtë familje dhe, pasi kjo mbështetet vetëm në shpresën e hirit qiellor, ta gëzojë gjithherë ndihmën e mbrojtjes sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

II

 

Leximi i parë (1 Mbr 10, 1-10) (fq. 414)

 

Mbretëresha e Sabës ju mrekullua urtisë së Salomonit.

 

Lexim prej Librit të parë të Mbretërve

 

Në atë kohë, 1 mbretëresha e Sabës, duke pasë dëgjuar për namin e madh që kishte arritur Salomoni në saje të Emrit të Zotit, erdhi ta sprovojë në gjëegjëza. 2 Ajo erdhi në Jerusalem me një ndjekësori të madhe shumë, me pasuri, me deve të ngarkuara me erëra të mira, me shumë ar dhe gurë të paçmueshëm; erdhi te Salomoni dhe bisedoi me të për gjithçka që kishte në zemrën e saj. 3 Salomoni iu përgjigj të gjitha pyetjeve: s'qe asnjë çështje aq e panjohur për të, sa të mos dinte t'i jepte përgjigje.

4 Duke parë mbretëresha e Sabës dijen e Salomonit, shtëpinë-pallatin që kishte ndërtuar, 5 ushqimet në tryezën e tij, banesat e oborrtarëve, fisnikërinë e mëkëmbësve të tij, petkat e tyre, verëqitësit; flitë e shkrumbimit që i kushtonte në Shtëpinë e Zotit, mbeti pa frymë! 6 Ajo i tha mbretit: " Paskan qenë të vërteta fjalët që i kam dëgjuar të fliteshin në vendin tim për ty e për dijen tënde. 7 Unë nuk u besoja atyre që më tregonin deri tash që erdha e pashë me sytë e mi dhe po shoh se as gjysmën s'mi paskan pasë treguar! Qenka më e madhe dija jote dhe pasuria sesa kam dëgjuar unë! 8 Lum njerëzit e tu dhe lum shërbëtorët e tu që gjenden përherë pranë teje dhe dëgjojnë urtësinë tënde! 9 Qoftë bekuar Zoti, Hyji yt, që i paske pëlqyer dhe të paska vënë mbi fronin e Izraelit; duke qene se Zoti e do Izraelin për amshim, ai edhe të vuri mbret që ta ushtrosh të drejtën e drejtësinë. "

10 Ajo i dhuroi mbretit njëqind e njëzet talenta ar, erëra të mira pa masë dhe shumë gurë të paçmueshëm: kurrë nuk u sollën më aq erëra të mira, sa i dhuroi mbretëresha e Sabës Salomonit mbret.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 37 (36), 5-6.30-31.39-40 (fq. 697)

 

Ref. Goja e të drejtit e shkoqit dijen.

 

5 Lëshoje në dorë të Zotit fatin tënd,

shpreso në të dhe ai do të kryejë gjithçka.

6 Do ta bëjë të shndritë si drita drejtësia jote,

të drejtën tënde porsi mesdita.

 

Ref. Goja e të drejtit e shkoqit dijen.

 

30 Goja e të drejtit e shkoqit dijen,

gjuha e tij shpall të drejtën.

31 Ligji i Hyjit të tij është në zemrën e tij:

nuk shqepojnë hapat e tij.

 

Ref. Goja e të drejtit e shkoqit dijen.

 

39 Shpëtimi i të drejtëve vjen prej Zotit,

ai është strehimi i tyre në ditë të ngushtë.

40 Vetë Zoti u ndihmon, ai i ruan,

do t'i lirojë prej bakëqijve sepse shpresuan në të.

 

Ref. Goja e të drejtit e shkoqit dijen.

 

Aleluja!

Fjala jote, o Zot, është e vërtetë, na shenjtëro në të vërtetën. (krh. Gjn 17, 17b.a)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mk 7, 14-23) (fq. 1439)

 

Çka del prej njeriut - ajo e bën të papastër.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

 

Në atë kohë Jezusi i tha turmës: 14 »Më dëgjoni të gjithë dhe mbani mend! 15 S'ka asgjë përjashta njeriut që mund ta bëjë atë të papastër duke hyrë në të, por çka del prej njeriut - ajo e bën të papastër. 16 Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!«16

 17 Kur u nda prej turmës e hyri në shtëpi, nxënësit e pyetën për vështrimin e shëmbëlltyrës. 18 Ai u tha: »Si? Po as ju nuk qenkeni në gjendje ta kuptoni? Po a nuk e kuptoni se asgjë që hyn nga jashtë në njeriun, nuk mund ta bëjë të papastër njeriun, 19 sepse nuk i hyn në zemër, por në bark e del në nevojtore?« Kështu Jezusi i shpalli të pastra të gjitha ushqimet.

20 Dhe vazhdoi: »Çka del prej njeriut ajo e bën të papastër, 21 sepse prej brendisë - prej zemrës së njeriut rrjedhin: mendimet e këqija, llojet e ndryshme të fëlligështisë, vjedhjet, vrasjet, 22 kurorëthyerje, dëshira e tepruar e pasurisë, mashtrimet, shfrenia, smira, blasfemitë, krenia, marrëzia. 23 Të gjitha këto të këqija dalin nga brenda dhe e bëjnë njeriun të papastër.«

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

O Zot, Hyji ynë, Ti e krijove bukën dhe verën për ushqim të trupit tonë të ligshtë: bëj, po të lutemi, të shndërrohen në sakramentin e përjetësisë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. 106, 8-9

 

Le t’ia dinë për nder Zotit për dashurinë e tij, për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve, që ngiu shpirtin e të eturit e mbushi me të mira shpirtin e të uriturit.

 

Ose: Mt 5, 5-6

 

Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen. Lum ata që kanë uri dhe etje për drejtësi, sepse do të ngihen.

 

Lutja pas kungimit

 

O Hyj, Ti deshe të marrim pjesë në të njëjtën bukë dhe në të njëjtin kelk: bëj, po të lutemi, që me jetën tonë të jemi plotësisht të bashkuar në Krishtin, dhe me gëzim të japim fryt për shpëtimin e botës. Nëpër Krishtin Zotin tonë.