Leximet e ditës

JAVA E V GJATË VITIT

 

E ENJTE

 

Antifona e hyrjes Ps 94, 6-7

 

Ejani ta adhurojmë Hyjin, të biem përmbys para Zotit që na krijoi, sepse ai është Zoti, Hyji ynë.

 

Kolekta

 

Ruaje, po të lutemi, o Zot, me dashuri të vazhdueshme, këtë familje dhe, pasi kjo mbështetet vetëm në shpresën e hirit qiellor, ta gëzojë gjithherë ndihmën e mbrojtjes sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

II

 

Leximi i parë (1 Mbr 11, 4-13) (fq. 415)

 

Pasi nuk e mbajte Besëlidhjen time, unë do ta marrë prej teje Mbretërinë.

 

Lexim prej Librit të parë të Mbretërve

 

4 Kur Salomoni u plak, gratë e tij ia prishën zemrën e i ndoqi hyjnitë e huaja dhe zemra e tij nuk i përkiste me plotësisht Zotit, Hyjit të tij, sikurse zemra e Davidit, babës se tij . 5 Salomoni ndiqte Astartën, hyjneshën e sidonëve e Melkomin, idhullin e amonëve. 6 Kështu Salomoni bëri çka nuk i pëlqente Zotit dhe nuk i qe besnik Zotit, sikurse qe Davidi, baba i tij.

7 Atëherë Salomoni i ndërtoi një faltore Kamosit, idhullit të moabiteve, në malin që është kundruall Jerusalemit, dhe Melkomit, idhullit të bijve të Amonit. 8 Kështu bëri edhe për të gjitha gratë e veta të huaja, të cilat u kushtonin kem dhe fli hyjnive të veta.

9 Prandaj edhe Zoti iu hidhërua Salomonit, sepse e largoi mendjen e vet prej Zotit, Hyjit të Izraelit, i cili iu dëftua dy herë dhe i kishte urdhëruar mu këtë: të mos i ndiqte hyjnitë e huaja. Por ai nuk zbatoi çka i kishte urdhëruar Zoti. 11 Kështu që edhe Zoti i tha Salomonit: "Pasi bëre kështu e nuk e mbajte Besëlidhjen time as urdhërimet e mia që t'i dhashë, unë do ta marrë prej teje Mbretërinë tënde e do t’ia jap një shërbëtori tënd. 12 Megjithatë këtë s'do ta bëj për të gjallë tënd, për dashuri të Davidit, babës tënd; do ta marr prej duarve të djalit tënd. 13 Por as prej tij s'do ta marr tërë Mbretërinë, birit tënd do t'i jap vetëm një fis për shkak të shërbëtorit tim Davidit e për shkak të Jerusalemit që e kam zgjedhur. "

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 106 (105), 3-4.35-36.37.40 (fq. 781)

 

Ref. Na kujto, o Zot, për dashurinë e popullit tënd.

 

3 Lum ata që i mbajnë urdhërimet e tija

dhe veprojnë me drejtësi në çdo kohë.

4 Na kujto, o Zot, në mirësinë tënde ndaj popullit tënd,

na eja në pasi me shëlbimin tënd.

 

Ref. Na kujto, o Zot, për dashurinë e popullit tënd.

 

34 Ata nuk i zhdukën popujt

sikurse Zoti u kishte urdhëruar,

35 por u përzien me paganë

dhe i mësuan veprat e tyre.

36 U shërbyen idhujve të tyre

dhe këta u bënë kurth për ta.

 

Ref. Na kujto, o Zot, për dashurinë e popullit tënd.

 

37 U flijuan djemtë e vet

e vajzat e veta djajve.

40 Flakë u ndez Zoti me hidhërim kundër popullit të vet

iu ndy ndër sy trashëgimi i vet.

 

Ref. Na kujto, o Zot, për dashurinë e popullit tënd.

 

Aleluja!

Pranoni me plot butësi fjalën e mbjellë në ju, e cila është e aftë t’i shpëtojë shpirtrat tuaj. (krh. Jak 1, 21bc)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mk 7, 24-30) (fq. 1439)

 

Nuk është mirë të merret buka e fëmijëve e t'u qitet këlyshëve.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

 

Në atë kohë, 24 Jezusi u çua e shkoi në krahinën e Tirit. Hyri në një shtëpi e dëshironte të mos e dijë kush, por nuk mundi të mbetej i fshehur.

25 Sepse menjëherë e mori vesh një grua, vajza e së cilës e kishte në trup shpirtin e ndytë. Ajo erdhi dhe u hodh para këmbëve të tija. 26 Gruaja ishte pagane me prejardhje sirofenikase.

I lutej ta dëbonte djallin prej vajzës së saj. 27 Ai i tha: »Prit njëherë të ngrihen fëmijët, sepse nuk është mirë të merret buka e fëmijëve e t'u qitet këlyshëve.« 28 Ajo përgjigji: »Po, Zotëri! Por, edhe këlyshët hanë nën tryezë dromcat e fëmijëve!« 29 Ai i përgjigji: »Shko lirisht në shtëpi se, në saj të kësaj fjale, djalli doli prej vajzës sate!«

30 Ajo shkoi në shtëpi dhe e gjeti fëmijën në të shtruara. Djalli kishte dalë.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

O Zot, Hyji ynë, Ti e krijove bukën dhe verën për ushqim të trupit tonë të ligshtë: bëj, po të lutemi, të shndërrohen në sakramentin e përjetësisë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. 106, 8-9

 

Le t’ia dinë për nder Zotit për dashurinë e tij, për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve, që ngiu shpirtin e të eturit e mbushi me të mira shpirtin e të uriturit.

 

Ose: Mt 5, 5-6

 

Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen. Lum ata që kanë uri dhe etje për drejtësi, sepse do të ngihen.

 

Lutja pas kungimit

 

O Hyj, Ti deshe të marrim pjesë në të njëjtën bukë dhe në të njëjtin kelk: bëj, po të lutemi, që me jetën tonë të jemi plotësisht të bashkuar në Krishtin, dhe me gëzim të japim fryt për shpëtimin e botës. Nëpër Krishtin Zotin tonë.