Leximet e ditës

JAVA E V GJATË VITIT

 

E PREMTE

 

Antifona e hyrjes Ps 94, 6-7

 

Ejani ta adhurojmë Hyjin, të biem përmbys para Zotit që na krijoi, sepse ai është Zoti, Hyji ynë.

 

Kolekta

 

Ruaje, po të lutemi, o Zot, me dashuri të vazhdueshme, këtë familje dhe, pasi kjo mbështetet vetëm në shpresën e hirit qiellor, ta gëzojë gjithherë ndihmën e mbrojtjes sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

II

 

Leximi i parë (1 Mbr 11, 29-32; 12, 19) (fq. 416/7)

 

Izraeli u nda prej shtëpisë së Davidit.

 

Lexim prej Librit të parë të Mbretërve

 

29 Asohere Jeroboamin, dalë nga Jerusalemi, e takojë në rrugë Ahia profet, prej Silos. Ahia ishte mbështjellë me mantel të ri. Ishin çuk vetëm në fushë. 30 Ahia mori leshnikun e vet të ri, me të cilin ishte i mbështjellë, e shqeu në dymbëdhjetë pjese.

3l E i tha Jeroboamit: "Merri dhjetë pjesë, sepse kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: 'Ja unë do ta heq prej dorës së Salomonit mbretërinë e do të t'i jap ty dhjetë fise. 32 Atij do t' i lënë vetën një fis për shkak të Davidit, shërbëtorit tim e për shkak të qytetit të Jerusalemit që prej të gjitha fiseve të Izraelit e zgjodha për vete.

12, 19 Kështu Izraeli u nda prej shtëpisë së Davidit deri në ditën e sotme.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 81 (80), 111ab, 12-13.14-15 (fq. 752)

 

Ref. Bëj, o Zot, që ta dëgjojmë zërin tënd.

 

9 Dëgjo populli im, dua të të qortoi:

10 Pranë teje tjetër zot të mos kesh,

zot të huaj mos adhuro!

11 Sepse unë Zoti jam Hyji yt,

që të nxora nga dheu i Egjiptit.

 

Ref. Bëj, o Zot, që ta dëgjojmë zërin tënd.

 

12 Por populli im s'e dëgjoi zërin tim,

Izraeli nuk pati kujdes për mua.

13 Prandaj i lashë në ngurtësinë e zemrës së tyre,

le të jetojë si u pëlqen atyre.

 

Ref. Bëj, o Zot, që ta dëgjojmë zërin tënd.

 

14 Po, sikur të më dëgjonte mua populli im,

sikur të ecte Izraeli udhëve të mia,

15 po, atëherë shpejt do t'i përulja armiqtë e tij,

do ta rëndoja dorën mbi kundërshtarët e tij.

 

Ref. Bëj, o Zot, që ta dëgjojmë zërin tënd.

 

Aleluja!

Hape, o Zot, zemrën tonë dhe do ta pranojmë fjalën e Birit tënd! (krh. Vap 16, 14)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mk 7, 31-37) (fq. 1439)

 

Bën të dëgjojnë të shurdhët e të flasin memecët!

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

 

Në atë kohë, Jezusi 31 doli nga krahina e Tirit, e nëpër Sidon, erdhi drejt detit të Galilesë në krahinat e Dekapolit.

32 Ia sollën një shurdhaman që mezi fliste dhe iu lutën ta vërë dorën mbi të. 33 Ai e ndau prej popullit veçmas, ia shtiu gishtërinjtë e vet në veshë, me pështymë të vet ia preku gjuhën, 34 i drejtoi sytë kah qielli, pshërtiti dhe i tha: »Effatha - që do të thotë: »Çelu!« E menjëherë iu çelën veshët e iu zgjidh pengesa e gjuhës dhe foli rrjedhshëm.

36 Jezusi u urdhëroi të mos i tregojnë askujt. Por, sa më tepër që ai ua ndalonte, ata aq më tepër e shpallnin. 37 Të mrekulluar mbi çdo masë thoshin: »Gjithçka bëri mirë!«

»Ky po bën të dëgjojnë të shurdhët e të flasin memecët!«

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

O Zot, Hyji ynë, Ti e krijove bukën dhe verën për ushqim të trupit tonë të ligshtë: bëj, po të lutemi, të shndërrohen në sakramentin e përjetësisë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. 106, 8-9

 

Le t’ia dinë për nder Zotit për dashurinë e tij, për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve, që ngiu shpirtin e të eturit e mbushi me të mira shpirtin e të uriturit.

 

Ose: Mt 5, 5-6

 

Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen. Lum ata që kanë uri dhe etje për drejtësi, sepse do të ngihen.

 

Lutja pas kungimit

 

O Hyj, Ti deshe të marrim pjesë në të njëjtën bukë dhe në të njëjtin kelk: bëj, po të lutemi, që me jetën tonë të jemi plotësisht të bashkuar në Krishtin, dhe me gëzim të japim fryt për shpëtimin e botës. Nëpër Krishtin Zotin tonë.