Leximet e ditës

14 Shkurt

 

SHËN ÇIRILI, MURG, DHE METODI, IPESHKËV, PAJTORË TË EVROPËS

 

Festë

 

Antifona e hyrjes

 

Këta janë njerëz të shenjtë, miq të Hyjit,lajmëtarë të lavdishëm të së vërtetës hyjnore.

 

Thuhet Lavdi

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti i ktheve në krishterim popujt sllavë me anën e dy vëllezërve shën Çirilit e Metodit: bëj që zemrat tona të jenë gjithmonë të hapura për fjalën e së vërtetës sate që të jemi populli yt i njëzëshëm në fenë e vërtetë e në dëshmimin e saj të drejtë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Vap 13, 46-49) (fq. 1564/5)

 

Ne po ju drejtohemi paganëve.

 

Lexim prej Veprave të Apostujve

 

Në ato ditë (në Antioki të Pisidisë) 46 Pali e Barnaba u thanë (judenjve) plot guxim: »Më së pari është dashur t’u shpallet juve fjala e Hyjit. Por, mbasi ju e përbuzni dhe veten nuk e çmoni të denjë për jetën e pasosur, atëherë ne po ju drejtohemi paganëve. 47 Sepse kështu na ka urdhëruar Zotëria:

‘Të kam caktuar të jesh dritë për paganët, që ta çosh shëlbimin deri në skajin e tokës.’

48 Paganët, kur i dëgjuan këto, gëzoheshin dhe e madhëronin fjalën e Zotit dhe të gjithë ata që e ndjenin veten të caktuar për jetën e pasosur, u bënë besimtarë. 49 E fjala e Zotit hapej nëpër mbarë atë krahinë.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 117 (116), 1.2 (fq. 772)

 

Ref. Shkoni në mbarë botën e predikoni Ungjillin.

 

1 Lavdërojeni Zotin, o kombe të gjitha,

madhërojeni së bashku, o popuj të gjithë!

 

Ref. Shkoni në mbarë botën e predikoni Ungjillin.

 

Sepse e madhe është dashuria e tij ndaj nesh,

besnikëria e Zotit qëndron për amshim!

 

Ref. Shkoni në mbarë botën e predikoni Ungjillin.

 

Aleluja!

Zoti më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin. (Lk 4, 18cd)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 10, 1-9) (fq. 1477)

 

Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak!

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë Jezusi 1 zgjodhi edhe shtatëdhjetë [e dy] nxënës tjerë dhe i dërgoi nga dy [e dy] përpara vetes në çdo qytet dhe vend, ku mendonte të shkojë.

U thoshte: »Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak! Lutni të zotin e të korrave të çojë punëtorë në të korrat e veta. Shkoni! Ja, po ju dërgoj porsi qengja midis ujqish! Mos merrni me vete as qese, as strajcë, as sandale e mos përshëndetni udhës askënd!

Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: ‘Paqja me këtë shtëpi!’ Po qe se është aty ndokush mik i paqes, mbi të do të zbresë paqja juaj; po qe se s’është asnjë, do të kthehet te ju. Rrini në atë shtëpi! Hani e pini çka t’u ketë qëlluar; sepse punëtori ka tagër në rrogën e vet. Mos kaloni prej një shtëpie në tjetër!

Në çdo qytet që të hyni e t’ju pranojnë, hani çka t’ju vënë përpara. Shëroni të sëmurit që janë në të e thoni popullit: ‘U afrua Mbretëria e Hyjit!’

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Shikoji, o Zot, dhuratat që po ia kushtojmë madhërisë sate në festën e shën Çirilit dhe Metodit, dhe bëj që të bëhen shenjë e njerëzimit të ri që me ty është pajtuar në dashurinë hyjnore. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

PREFACIONI I CIRILIT DHE METODIT

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë, është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty, o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ti i dhuron Kishës sate gëzimin për ta kremtuar festën e shenjtëve Cirilit dhe Metodit, me shembullin e tyre e forcon, më mësimin e tyre e mëson, më ndërmjetësin e tyre e mbron. Për këtë dhuratë të mirësisë sate, të bashkuar me engjëj e shenjtër njëzëri e këndojmë himnin e lavdit tënd:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt.

 

Antifona e kungimit Krh. Mk 16, 20

 

Nxënësit dolën e predikuan Ungjillin, Zoti bashkëpunonte me ta dhe e përforconte fjalën e tyre me mrekulli që e përcillnin.

 

Lutja pas kungimit

 

O Hyj, Ati i të gjithë popujve, që na bën pjesëmarrës në të njëjtën bukë e në të njëjtin Shpirt dhe trashëgimtarë të sofrës së amshuar: në festën e shën Çirilit dhe shën Metodit po të lutemi, bëj që turma e bijve të tu, e bashkuar në të njëjtën fe, të jetë solidare në ndërtimin e mbretërisë sate në drejtësi dhe në paqe. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.