Leximet e ditës

JAVA E VI GJATË VITIT

 

E DIEL

 

A

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 30, 3-4

 

Ji për mua Hyj mbrojtës dhe vend strehimi, ku gjej shpëtim, sepse Ti je qeta ime dhe strehimi im; pashë emrin tënd më prij dhe më sundo.

 

Thuhet Lavdi.

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti vetë thua se banon në zemrat e të drejtëve dhe të të çiltërve: bëj, po të lutemi, që, me hirin tënd, të jetojmë në mënyrë që të mund të banosh në ne. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Sir 15, 16-21) (fq. 927/8)

 

Zoti nuk i urdhëroi askujt të jetë i paudhë.

 

Lexim prej Librit të Siracidit

 

16 Nëse do t'i mbash urdhërimet edhe ato të ruajnë; nëse ke besim në Të, edhe ti do të jetosh. 17 Ai t’i vuri përpara ujin e zjarrin, ku të duash, shtrije dorën tënde!

18 Përpara njeriut është jeta e vdekja, e mira dhe e keqja: çka ai të parapëlqejë, ajo do t'i jepet. 19 Sepse e madhe është urtia e Hyjit, Ai është i madh në pushtet e vazhdimisht sheh gjithçka. 20 Sytë e Hyjit priren mbi ata që e druajnë, Ai i njeh të gjitha veprat e njeriut. 21 Nuk i urdhëroi askujt të jetë i paudhë e nuk ia dha askujt lejen për të bërë mëkat.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 119 (118), 1-2.4-5.17-18.33-34 (fq. 797/801/805)

 

Ref. Lum ai që ec në ligjin e Zotit.

 

1 Lum njeriu me sjellje të pastër,

që ecën në Ligjin e Zotit!

2 Lum kush i mban dëshmitë e tij,

që e kërkon me gjithë zemër.

 

Ref. Lum ai që ec në ligjin e Zotit.

 

4 Ti i shpalle urdhërimet e tua

që të mbahen përpikërisht.

5 Oh, sikur të ishin të drejta udhët e mia

për t'i zbatuar rregulloret e tua!

 

Ref. Lum ai që ec në ligjin e Zotit.

 

17 Bëja këtë të mirë shërbëtorit tënd:

që të jetoj e ta mbaj fjalën tënde.

18 M'i hap sytë të shikoj

mrekullitë e ligjit tënd.

 

Ref. Lum ai që ec në ligjin e Zotit.

 

33 Ma trego, o Zot, udhën e ligjeve të tua,

dhe unë do ta mbaj gjithmonë.

34 Më jep kuptim që ta mbaj Ligjin tënd

e do ta zbatoj me gjithë zemrën time.

 

Ref. Lum ai që ec në ligjin e Zotit.

 

Leximi i dytë (1 Kor 2, 6-10) (fq. 1610)

 

Hyji e kishte paracaktuar urtinë para shekujve për lumturinë tonë.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve

 

Vëllezër, 6 ne, shpallim dijen në mes të përsosurve, por jo dijen e këtij shekulli, as të princave të kësaj bote të gjykuar për dënim, 7 por predikojmë dijen e Hyjit të fshehur në mister, atë që Hyji e kishte paracaktuar para shekujve për lumturinë tonë, 8 atë që asnjë nga princat e kësaj bote nuk mund e njohi; sepse, po ta kishin njohur, nuk do ta kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë. 9 Por, sikurse thotë Shkrimi i shenjtë: 'Çka syri nuk pa e veshi nuk dëgjoi dhe në zemër të njeriut nuk hyri, atë ua bëri Hyji gati atyre që e duan.' 10 Hyji na e zbuloi këtë të vërtetë me anë të Shpirtit Shenjt: sepse Shpirti Shenjt depërton në gjithçka, edhe në vetë thellësinë e natyrës hyjnore.

 

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Po të bekoj, o Atë, Zotëruesi i qiellit e i dheut, që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore. (krh. Mt 11, 25)

Aleluja!

 

Kur përdoret forma e shkurtër teksti në kllapa nuk lexohet.

 

Ungjilli (Mt 5, 17-37) forma e shkurtër  (Mt 5, 20-22.27-28.33-34a.37) (fq. 1388/9)

 

Kështu u qe thënë të parëve, por unë po u them.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet (17 »Mos t'ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer Ligjin ose Profetët! Jo, s'erdha ta shlyej, por ta përkryej. 18 Për të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë germë dhe asnjë presje nuk do t'i hiqet Ligjit, por do të zbatohen të gjitha. 19 Prandaj, kushdo që do ta shlyejë njërin ndër këta urdhra, qoftë edhe më të voglin, dhe do t'i mësojë njerëzit të bëjnë ashtu, do të jetë më i vogli në Mbretërinë e qiellit; ndërsa ai që do t'i mbajë dhe do t'i mësojë, do të jetë i madh në Mbretërinë e qiellit.) 20 Sepse, unë po ju them: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e skribëve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit.« 21 »Keni dëgjuar se u qe thënë të vjetërve: ' Mos vrit!' Kush vret do të jetë përgjegjës para gjyqit.) 22 E unë po ju them: Kushdo zemërohet kundër vëllait të vet, do të jetë përgjegjës para gjyqit; (e kush t'i thotë vëllait të vet: 'Budall', do të jetë përgjegjës para Sinedrit; kush t'i thotë: 'I marrë', do të përgjigjet në zjarrin e ferrit.

23 Pra, nëse e sjell dhuratën tënde për ta kushtuar në altar e aty të bie në mend se yt vëlla ka diçka kundër teje, 24 lëre dhuratën tënde aty para altarit, shko e pajtohu më parë me vëllanë tënd e pastaj eja e kushtoje dhuratën tënde! 25 Ndrequ me shpejt me kundërshtarin tënd sa të jesh ende në udhëtim me të, që kundërshtari të mos të dorëzojë gjykatësit e ky rojtarit të gjyqit, që të mos të ndryjnë në burg. 26 Për të vërtetë po të them: s'do të dalësh prej andej para se ta paguash edhe paranë e fundit.) 27 »Keni dëgjuar se qe thënë: 'Mos e the kurorën!' 28 E unë po ju them: kushdo që me dëshirim e shikon një grua, në zemrën e vet e ka bërë fëlligështinë me të.

(29 Nëse syri yt i djathtë të çon në mëkat, nxirre e flake larg teje! Është më mirë për ty të humbasësh njërën nga gjymtyrët e tua, se i tërë trupi yt të hidhet në ferr. 30 E nëse dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje e hidhe larg teje! Është më mirë për ty të humbasësh një gjymtyrë se i tërë trupi yt të hidhet në ferr.«

31 »Qe thënë edhe: 'Kush e ndan gruan e vet, le t'ia japë letrën e ndarjes.' 32 E unë po ju them: kushdo e ndan gruan e vet - përveç në rastin e fëlligështisë - e bën atë të thyejë kurorën; e nëse ndokush martohet me gruan e ndarë, thyen kurorën.«)

33 »Keni dëgjuar gjithashtu se u qe thënë të vjetërve: 'Mos e the betimin, por zbato çka i ke premtuar Zotit me betim!' E unë po ju them: assesi mos u betoni; (as me Qiell, sepse ai është froni i Hyjit, 35 as me Tokë, sepse ajo është shtroja e këmbëve të tija as me Jerusalem, sepse ai është qyteti i Mbretit të madh. 36 Mos bëj be as në krye tënd, sepse nuk je i zoti as një fije floku ta bësh të bardhë ose të zezë.) 37 Fjala juaj je të jetë: Po, po; jo, jo! Çkado që është më tepër se kaq, vjen prej Qoftëlargut.«

 

Fjala e Zotit

 

Thuhet Besoj.

 

Besoj në një Hyj të vetëm,

Atin e gjithëpushtetshëm,

krijuesin e qiellit e të tokës,

të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.

Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,

një të vetmin Birin e Hyjit,

të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.

Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,

Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.

I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,

nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.

Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.

Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:

E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt

prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.

U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,

pësoi dhe u varros

dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve

e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.

Dhe përsëri do të vijë me lavdi

për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,

e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,

që rrjedh prej Atit e prej Birit,

që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,

që foli me anë të profetëve.

Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.

Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.

Pres ngjalljen e të vdekurve

dhe jetën e pasosur. Amen.

 

Lutja mbi dhurata

 

O Zot, bëj, po të lutemi, që kjo dhuratë të na pastrojë e të na përtërijë, dhe pasi ta kryejmë vullnetin tënd, të fitojë për ne shpërblimet e amshuara. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 77, 29-30

 

Hëngrën dhe u ngopën, Zoti ua plotësoi dëshirën; nuk u zhgënjyen në dëshirën e tyre.

 

Ose: Gjn 3, 16

 

Hyji aq fort e deshi botën, sa që e dha një të vetmin Birin e vet, kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por ta ketë jetën e pasosur.

 

Lutja pas kungimit

 

Të ushqyer, Zot, me gëzimet qiellore, bëj që të dëshirojmë gjithherë të njëjtat gjëra, të cilat na mundësojnë një jetë vërtet të ndershme. Nëpër Krishtin Zotin tonë.