Leximet e ditës
JAVA E VI GJATË VITIT
E HËNË
Antifona e hyrjes Krh. Ps 30, 3-4
Ji për mua Hyj mbrojtës dhe vend strehimi, ku gjej shpëtim, sepse Ti je qeta ime dhe strehimi im; pashë emrin tënd më prij dhe më sundo.
Kolekta
O Hyj, Ti vetë thua se banon në zemrat e të drejtëve dhe të të çiltërve: bëj, po të lutemi, që, me hirin tënd, të jetojmë në mënyrë që të mund të banosh në ne. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
II
Leximi i parë (Jak 1, 1-11) (fq. 1703/4)
Qëndresa ju ushtron me përpikëri që të jeni të përkryer dhe të përsosur pa farë të mete.
Lexim prej i letrës së Shën Jakobit apostull
1 Jakobi, shërbëtori i Hyjit dhe i Jezu Krishtit Zot: dymbëdhjetë fiseve të shpërndara anë e kënd nëpër botë: shëndet.
2 Çmoni për gëzim të vërtetë, vëllezërit e mi, kur t'ju ndodhë të sprovoni çdo lloj vështirësie, 3 duke e ditur se prova e fesë suaj lind qëndrueshmërinë. 4 Por qëndresa le të ushtrohet me përpikëri që të jeni të përkryer dhe të përsosur pa farë të mete.
5 Në qoftë se ndokujt prej jush i mungon urtia, le t'ia lypë Hyjit, i cili gjithkujt i jep me ëndje e pa fjalë, dhe do t'i jepet. 6 Por le ta kërkojë me fe të gjallë, pa farë dyshimi; sepse ai që dyshon i përngjan valës së detit që e çon peshë era dhe e përplasë. 7 Njeriu i tillë të mos mendojë se do të marrë gjë prej Zotit 8 - njeriu me dy mendje, i paqëndrueshëm në të gjitha udhët e veta.
9 Vëllai me prejardhje të ulët le të mburret me lartësimin e tij, 10 kurse pasaniku për përvujtërimin e tij, sepse do të mbarojë porsi lulja e barit. 11 Lindi dielli me vapën e vet, e thau barin dhe lulja e tij u vyshk: hijeshia e fytyrës u zhduk. Kështu do të thahet edhe pasaniku në ndërmarrjet e veta.
Fjala e Zotit
Psalmi 119 (118), 67.68.71.72.75.76 (fq. 797.805)
Ref. Na jep, o Zot, përvujtërinë e zemrës.
67 Para se sprovova vuajtjen u enda larg teje,
por tani unë e mbaj fjalën tënde.
68 Ti je i mirë e bën mirë,
ma mëso vullnetin tënd.
Ref. Na jep, o Zot, përvujtërinë e zemrës.
71 Është mirë për mua që vuajta,
kështu do ta mësoj vullnetin tënd.
72 Më i mirë është për mua Ligji yt
se me mijëra monedha ari dhe argjendi.
Ref. Na jep, o Zot, përvujtërinë e zemrës.
75 E di, o Zot, se gjyqet e tua janë të drejta,
me plot të drejtë më përule.
76 Le të më ngushëllojë, pra, përdëllimi yt
sipas premtimit që i dhe shërbëtorit tënd.
Ref. Na jep, o Zot, përvujtërinë e zemrës.
Aleluja!
Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta, thotë Zoti; askush nuk shkon tek Ati pos nëpër mua. (Gjn 14, 6)
Ungjilli (Mk 8, 11-13) (fq. 1440)
Përse kjo brezni kërkon shenj?
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
11 Në atë kohë, erdhën farisenjtë dhe filluan të rragatën me Jezusin. Duke e vënë në provë kërkuan prej tij një shenjë prej qiellit.
12 Jezusi duke fsharë prej fundit të shpirtit, tha: »Përse kjo brezni kërkon shenj? Në të vërtetë, po ju them: kësaj breznie s'do t'i jepet shenjë!«
13 Atëherë i la, përsëri hipi në barkë dhe kaloi në anën tjetër.
Lutja mbi dhurata
O Zot, bëj, po të lutemi, që kjo dhuratë të na pastrojë e të na përtërijë, dhe pasi ta kryejmë vullnetin tënd, të fitojë për ne shpërblimet e amshuara. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 77, 29-30
Hëngrën dhe u ngopën, Zoti ua plotësoi dëshirën; nuk u zhgënjyen në dëshirën e tyre.
Ose: Gjn 3, 16
Hyji aq fort e deshi botën, sa që e dha një të vetmin Birin e vet, kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por ta ketë jetën e pasosur.
Lutja pas kungimit
Të ushqyer, Zot, me gëzimet qiellore, bëj që të dëshirojmë gjithherë të njëjtat gjëra, të cilat na mundësojnë një jetë vërtet të ndershme. Nëpër Krishtin Zotin tonë.