Leximet e ditës

JAVA E VI GJATË VITIT

 

E MARTË

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 30, 3-4

 

Ji për mua Hyj mbrojtës dhe vend strehimi, ku gjej shpëtim, sepse Ti je qeta ime dhe strehimi im; pashë emrin tënd më prij dhe më sundo.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti vetë thua se banon në zemrat e të drejtëve dhe të të çiltërve: bëj, po të lutemi, që, me hirin tënd, të jetojmë në mënyrë që të mund të banosh në ne. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

II

 

Leximi i parë (Jak 1, 12-18) (fq. 1704)

 

Hyji nuk tundon askënd.

 

Lexim prej Letrës së Shën Jakobit apostull

 

Vëllezër, 12 i lum ai njeri që pëson tundim, sepse, mbasi t'i qëndrojë provës, do të fitojë kurorën e jetës së premtuar atyre që e duan.

13 Askush që është i tunduar të mos thotë: "Hyji më tundon", sepse Hyji nuk mund të jetë i tunduar për të keq dhe Ai nuk tundon askënd. 14 Por secili tundohet nga lakmimi i vet, i prirur dhe i ngashënjyer. 15 Lakmimi mandej i mbarsur, lind mëkatin, dhe mëkati, si të kryhet, lind vdekjen.

16 Mos u tradhtoni, vëllezër të mi të dashur: 17 Çdo dhuratë e mirë dhe çdo dhunti e përsosur është prej së larti, zbret nga Ati i dritës, në të cilin nuk ka ndërrim as hije ndryshimi. 18 Ai na lindi në saje të vullnetit të vet nëpër fjalën e së vërtetës, që ne të jemi një farë fryti të parë të krijesave të tija.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 94 (93), 12-13a.14-15.18-19 (fq. 766/7)

 

Ref. Lum njeriu që ia mëson ligjin tënd, o Zot.

 

12 Lum ai njeri që ti e mëson, o Zot,

të cilit ti ia mëson Ligjin tënd,

13 për t'i dhënë paqe në ditë fatzeza

ndërsa keqbërësit i çelet varri.

 

Ref. Lum njeriu që ia mëson ligjin tënd, o Zot.

 

14 Sepse Zoti nuk e përbuz popullin e vet,

as s'do të heqë dorë nga prona e vet,

15 sepse e drejta do t'i jepet drejtësisë

e pas saj do të shkojnë të gjithë zemërmirët.

 

Ref. Lum njeriu që ia mëson ligjin tënd, o Zot.

 

18 Kur unë kujtoja: "Më rrëshqiti këmba!",

dashuria jote, o Zot, ma qiti dorën!

19 Kur në shpirtin tim grumbullohen vështirësitë,

ngushëllimet e tua ma gëzojnë zemrën.

 

Ref. Lum njeriu që ia mëson ligjin tënd, o Zot.

 

Aleluja!

Nëse ndokush më do, ai do ta mbaj fjalën, Ati im do ta duajë e tek Ai do të vijmë. (Gjn 14, 23)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mk 8, 14-21) (fq. 1440)

 

Ruajuni prej tharmit të farisenjve e prej tharmit të Herodit.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

 

14 Në atë kohë, nxënësit harruan të marrin bukë. Me vete në barkë kishin vetëm një bukë. 15 Atëherë Jezusi u bëri këtë porosi: »Dëgjoni: ruajuni prej tharmit të farisenjve e prej tharmit të Herodit!« 16 Ata i thoshin njëri-tjetrit: »Nuk kemi bukë!«

17 Jezusi e hetoi atë gjë e u tha: »Përse po shqetësoheni pse s'keni bukë? Po, a ende nuk po kuptoni e nuk po merrni vesh? Po aq pak mend paskeni? 18 'Me sy në ballë e nuk shihni, më veshë në krye e nuk dëgjoni?' po a nuk po ju kujtohet 19 se kur i ndava pesë bukë për pesë mijë vetë, sa shporta plot me copa mblodhët?« Ata i përgjigjën: »Dymbëdhjetë!« 20 »E kur ndava shtatë bukë për katër mijë vetë, sa shporta plot me copa mblodhët?« »Shtatë!« - iu përgjigjën. 21 »Dhe ende nuk po kuptoni?! - u tha.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

O Zot, bëj, po të lutemi, që kjo dhuratë të na pastrojë e të na përtërijë, dhe pasi ta kryejmë vullnetin tënd, të fitojë për ne shpërblimet e amshuara. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 77, 29-30

 

Hëngrën dhe u ngopën, Zoti ua plotësoi dëshirën; nuk u zhgënjyen në dëshirën e tyre.

 

Ose: Gjn 3, 16

 

Hyji aq fort e deshi botën, sa që e dha një të vetmin Birin e vet, kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por ta ketë jetën e pasosur.

 

Lutja pas kungimit

 

Të ushqyer, Zot, me gëzimet qiellore, bëj që të dëshirojmë gjithherë të njëjtat gjëra, të cilat na mundësojnë një jetë vërtet të ndershme. Nëpër Krishtin Zotin tonë.