Leximet e ditës

KRESHMET

 

E SHTUNË PAS SË MËRKURËS SË PËRHIME

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 68, 17

 

Na dëgjo, o Zot, sepse bujare është dashuria jote, shiko mbi ne sipas mëshirës sate të madhe.

 

Kolekta

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shikoje me mirësi ligështinë tonë, shtrije të djathtën e madhërisë sate e na mbro. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Is 58, 9b-14) (fq. 1040)

 

Duke mos ndjekur udhët e tua do ta nderosh Zotin.

 

Lexim prej librit të Isaisë profet

 

Kështu thotë Zoti: 9 Nëse do ta zhdukësh prej mesit tënd zgjedhën, gishtin paditës dhe fjalën e keqe, 10 nëse do t’ia japësh kafshatën tënde të uriturit, nëse do ta ngish të uriturin, atëherë në errësirë do të shndritë drita jote, terri yt do të jetë porsi mesdita. 11 E Zoti do të të prijë gjithmonë, do të të ngijë në vende të thata. Ai do t’i forcojë eshtrat e tu, do të jesh porsi kopshti i ujitur, porsi burimi i ujërave të gjalla që kurrë s’i mungojnë ujërat.

12 Populli yt do t’i rindërtojë rrënojat e vjetra, do t’i rindërtosh themelet e lëna brezni e brezni: do të quhesh: “Rindërtues i rrënojave, Ripërtëritës i rrugëve der’ në banim.” 13 Nëse do ta ruash këmbën të mos e shkelësh të shtunën, dhe në ditën time të shenjtë nuk do të punosh, nëse do ta çmosh për kënaqje të shtunën, të ndershme ditën e shenjtë të Zotit, do ta nderosh duke mos udhëtuar, duke mos kryer punët e tua e marrëveshjet, 14 atëherë në Zotin do ta gjesh kënaqësinë tënde; në karrocë do të të shëtis mbi malet e dheut, do të bëj ta gëzosh pronën e atit tënd Jakobit, sepse kështu foli goja e Zotit.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 86 (85), 1-2.3-4.5-6 (fq. 756/7)

 

Ref. Na mëso, o Zot, udhën tënde.

 

1 Ma vër veshin, o Zot, e më dëgjo,

sepse jam i mjerë e skamnor.

2 Ma ruaj shpirtin se jam i devotshmi yt,

Hyji im, shpëtoje shërbëtorin tënd që shpreson në ty.

 

Ref. Na mëso, o Zot, udhën tënde.

 

3 Ki mëshirë për mua, o Zot,

se gjithë ditën të thërras në ndihmë.

4 Gëzoje shpirtin e shërbëtorit tënd,

sepse tek ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim.

 

Ref. Na mëso, o Zot, udhën tënde.

 

5 Sepse ti, o Zot, je i ëmbël e i butë,

plot mëshirë për ata që të thërrasin në ndihmë.

6 Dëgjoje, o Zot, uratën time,

vështroje zërin e lutjes sime.

 

Ref. Na mëso, o Zot, udhën tënde.

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Nuk e dua vdekjen e mëkatarit, thotë Zoti, por dua që të kthehet nga e keqja e tij e të jetojë. (Ez 33, 11)

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

Ungjilli (Lk 5, 27-32) (fq.. 1467)

 

Nuk erdha t’i thërras të kthehen të drejtët, por mëkatarët.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë, 27 Jezusi doli dhe në vendin e tatimit pa duke ndenjur një tagrambledhës, që quhej Levi. I tha: “Eja pas meje!” 28 Ai la gjithçka, u ngrit e shkoi pas tij.

29 Pastaj Levi i bëri gati në shtëpinë e vet një gosti të madhe. Bashkë me Jezusin rrinin në tryezë shumë tagrambledhës e njerëz të tjerë. 30 Farisenjtë dhe skribët e sektit të tyre, nynykatnin dhe u thanë nxënësve të tij: “Pse hani e pini me tagrambledhës e mëkatarë?” 31 Jezusi u përgjigji: “Të shëndoshët nuk kanë nevojë për mjek, por të sëmurët. 32 Unë nuk erdha t’i thërras të kthehen të drejtët, por mëkatarët.”

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoje, o Zot, flinë e paqësimit dhe të lavdit e bëj që, të pastruar me veprimin e saj, të mund të të pëlqejmë me sjelljen tonë shpirtërore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

PREFACIONI I KRESHMËVE – I

Kuptimi shpirtëror i Kreshmëve

 

39. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,

nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Ti çdo vit mirësisht bën që besimtarët e tu

t’i presin me gëzim dhe me shpirt të pastruar

misteret e Pashkëve,

kështu që, duke i kryer me zell

detyrat e përshpirtërisë dhe veprat e dashurisë,

me pjesëmarrje të shumtë në misteret me të cilat u rilindën,

të arrijnë plotësinë e hirit të bijësisë në shpirt.

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,

me frone dhe zotërues,

dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,

po këndojmë himnin e lavdisë sate

duke thënë pa pushim:

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I KRESHMËVE – II

Pendesa shpirtërore

 

40. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ti ua caktove bijve të tu këtë kohë të veçantë

për të ripërtërirë pastërtinë e shpirtit

që me shpirt të lirë nga ndjenjat e çrregullta,

të angazhohen për vlerat e përkohshme

në mënyrë që t’i kërkojnë më shumë vlerat e përhershme.

Dhe prandaj, me shenjtërit dhe me të gjithë engjëjt,

të lavdërojmë duke thënë pa pushim:

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

Antifona e kungimit Mt 9, 13

 

Unë kërkoj mëshirë e jo fli, thotë Zoti; nuk erdha të ftoj të drejtët, por mëkatarët.

 

Lutja pas kungimit

 

Të ushqyer me bukën e jetës, po të lutemi, o Zot, bëj që misteri që kryhet tani në ne, të na bëhet ndihmë për amshim. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Lutja mbi popull (mund të përdoret sipas dëshirës)

 

Në mirësinë tënde, qëndro, o Zot, me popullin tënd që ka marrë pjesë në misteret e shenjta, që të mos rrëzohet nga rreziqet, pasi ai ka besim në mbrojtjen tënde. Nëpër Krishtin Zotin tonë.