Leximet e ditës
JAVA E PARË E KRESHMEVE
E DIELE - A
Në këtë të diel kremtohet riti “i zgjedhjes” ose “i shënimit të emrit” për katekumenët që do të pranohen për sakramentet e fillimit të krishterë në Vigjiljen pashkore, duke përdorur lutjet e veçanta, si në fq. 813-814.
Antifona e hyrjes Ps 90, 15-16
Do të më thërrasë dhe do ta vështroj, do ta liroj dhe do ta madhëroj, do t’i dhuroj një jetë të gjatë.
Nuk thuhet Lavdi.
Kolekta
Bëj, o Hyj i gjithëpushtetshëm, që me përjetimin e sivjetshëm të kreshmëve të përparojmë në kuptimin e mistereve të Krishtit dhe ta dëshmojmë me një jetë të denjë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Zan 2, 7-9; 3, 1-7) (fq. 21/22)
Krijimi i njerëzve të parë dhe mëkati i tyre.
Lexim prej librit të Zanafillës
7 Atëherë Zoti Hyj e formoi prej pluhurit të tokës njeriun dhe nëpër hundë i shtini frymën e jetës e njeriu u bë qenie e gjallë.
8 Zoti Hyj mbolli një kopsht në Eden, në lindje e në të e vendoi njeriun që e kishte krijuar. 9 Zoti Hyj bëri që prej toke të mbijë çdo lloj peme, e bukur për t’u parë dhe e shijshme për t’u ngrënë e në midis të parajsës pemën e jetës e pemën e dijes të mirës e të së keqes. 3, 1Ndër të gjitha egërsirat e fushës që Zoti Hyj krijoi, gjarpri ishte më dinaku. Ky i tha gruas: “Vërtet, Hyji ju urdhëroi që të mos hani prej asnjë peme të kopshtit?”. 2 Gruaja i përgjigji: “Ne i hamë frytet e pemëve që janë në kopsht; 3 porse për frytin e pemës që është në mes të kopshtit, Hyji na urdhëroi të mos e hamë as të mos e prekim që të mos vdesim”. 4 Porse gjarpri i tha gruas: “Nuk do të vdisni assesi. 5 Madje Hyji e di se kurdo të hani prej saj, sytë tuaj do të hapen e do të bëheni porsi Hyji duke e njohur të mirën e të keqen”.
6 Atëherë gruaja pa se pema ishte e mirë për ta ngrënë dhe e bukur për t’u parë dhe pemë e dëshirueshme për të fituar dijen; gruaja mori prej frytit të saj dhe hëngri. Mandej i dha edhe burrit të vet që ishte me të. Hëngri edhe ai. 7 Atëherë iu hapën sytë të dyve. Kur panë se ishin lakuriq, gërshetuan gjethe fiqsh dhe bënë mbështjellës për vete.
Fjala e Zotit
Psalmi 51 (50), 3-4.5-6.12-13.14.17 (fq. 714)
Ref. Na fal, o Zot, sepse kemi mëkatuar.
3 Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate,
pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!
4 Më laj krejtësisht prej mëkatit tim
e më pastro prej fajit tim!
Ref. Na fal, o Zot, sepse kemi mëkatuar.
5 Sepse e pranoj paudhësinë time:
mëkatin tim përherë e kam para sysh.
6 Ty, vetëm ty të kam rënë në faj
dhe kam bërë ç’është keq para teje.
Ref. Na fal, o Zot, sepse kemi mëkatuar.
12 Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër,
përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
13 Mos më flak larg fytyrës sate,
mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.
Ref. Na fal, o Zot, sepse kemi mëkatuar.
14 Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd,
dhe më forco me shpirt të gatshëm.
17 Zhdrivilloji, o Zot, buzët e mia
Dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde.
Ref. Na fal, o Zot, sepse kemi mëkatuar.
Leximi i dytë (Rom 5, 12-19) (fq. 1594/1595)
Drejtësia e njërit – shfajësim që u jep jetën të gjithë njerëzve.
Lexim prej letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve.
Vëllezër, 12 sikurse me anë të një njeriu mëkati hyri në botë e, me anë të mëkatit, vdekja, dhe kështu vdekja kaloi në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë njerëzit mëkatuan... 13 ‑ në të vërtetë, edhe para Ligjit mëkati ishte në botë dhe, megjithëse nuk mund të mbahej për mëkat pasi ende nuk kishte Ligj, 14 prapë vdekja mbretëronte që prej Adamit e deri te Moisiu edhe mbi ata që nuk mëkatuan me mëkat të njëjtë si ai i Adamit, i cili është prototipi i Atij që do të vinte.
15 Por me dhuratën e hirit nuk ngjau si me mëkat. Sepse, në qoftë se me mëkatin e një njeriu të vetëm, vdiqën të gjithë njerëzit, shumë më tepër u ndikua mbi të gjithë njerëzit hiri i Hyjit dhe dhurata e dhënë në hir të një Njeriu të vetëm ‑ Jezu Krishtit. 16 E dhurata e hirit ka rrjedhim krejtësisht të ndryshëm nga ai i mëkatit të një njeriu të vetëm: gjyqi i shkaktuar prej mëkatit çon në dënim, kurse dhurata e hirit, pas shumë mëkatesh, jep shfajësimin. 17 Kështu, pra, nëse me anë të mëkatit të një njeriu të vetëm, mbretëroi vdekja ‑ për shkak të një njeriu të vetëm ‑ me më shumë arsye do të mbretërojnë në jetë ata që marrin begatinë e pamasë të hirit e të dhuratës së drejtësisë nëpër një të vetmin ‑ Jezu Krishtin.
18 Prandaj, mëkati i njërit ‑ dënim për të gjithë njerëzit, gjithashtu edhe drejtësia e Njërit ‑ shfajësim që u jep jetën të gjithë njerëzve. 19 Vërtet, sikurse me padëgjesën e njërit, mëkatuan të gjithë njerëzit, po ashtu, me dëgjesën e Njërit ‑ të gjithë njerëzit do të bëhen të drejtë.
Fjala e Zotit
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit. (Mt 4,4)
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Ungjilli (Mt 4, 1-11) (fq. 1386/7)
Jezusi agjëron për dyzet ditë në shkreti dhe tundohet nga djalli.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
1 Atëherë Shpirti i Hyjit e çoi Jezusin në shkreti që ta tundojë djalli. 2 Dhe, pasi agjëroi dyzet ditë e dyzet net, në fund u urit. 3 Atëherë iu afrua tunduesi dhe i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, urdhëro që këta gurë të shndërrohen në bukë!” 4 Por Jezusi iu përgjigj: “Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit. ’“
5 Atëherë djalli e mori dhe e çoi në Qytetin e shenjtë, e vuri në majë të Tempullit 6 dhe i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, hidhu poshtë, sepse Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Për ty Hyji do t’i urdhërojë engjëjve të vet, dhe ata do të të mbajnë para duarsh, që këmba jote të mos vritet në ndonjë gur!” 7 Jezusi i përgjigji: “Porse Shkrimi i Shenjtë thotë edhe: ‘Mos e sprovo Zotin, Hyjin tënd!” 8 Djalli e çoi sërish në një mal shumë të lartë, ia dëftoi të gjitha mbretëritë e kësaj bote dhe madhërinë e tyre 9 e i tha: “Të gjitha këto do të t’i jap nëse bie përmbys para meje e më adhuron”. 10 “Atëherë Jezusi tha: “Ik, o djall, sepse Shkrimi i Shenjtë thotë: ‘Adhuroje Zotin, Hyjin tënd, dhe shërbeji vetëm Atij!’“ 11 Atëherë djalli e la dhe, ja, u afruan engjëjt dhe i shërbenin.
Fjala e Zotit
Thuhet Besoj.
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
Bëj, po të lutemi, o Zot, të bëhemi të denjë për të kushtuar këto dhurata, me të cilat po kremtojmë fillimin e këtij sakramenti të nderueshëm. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Prefacioni: Zotëria i tunduar.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ai, me agjërimin e tij për dyzetë ditë,
e ka përkushtuar këtë trajtë pendese
dhe, duke fituar mbi të gjitha kurthet e armikut tonë të vjetër,
na mësoi të mundim tundimet e së keqes,
kështu që, duke kremtuar me shpirt të denjë misterin pashkor,
më në fund të kalojmë në Pashkët e amshuara.
Dhe prandaj, me turmën e engjëjve dhe të shenjtërve,
po ta këndojmë himnin e lavdit,
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Antifona e kungimit Mt 4, 4
Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit.
Ose: Krh. Ps 90, 4
Zoti do të të mbulojë me pendët e vet, do të strehohesh nën krahët e tij.
Lutja pas kungimit
Të përtërirë me bukën qiellore, me të cilën ushqehet feja, rritet shpresa dhe forcohet dashuria, bëj, o Zot, të kemi uri për Krishtin, i cili është buka e gjallë dhe e vërtetë, që të mund të jetojmë prej çdo fjale që del nga goja jote. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Lutja mbi popullin
Zbraze mbi popullin tënd, o Zot, bekimin tënd të begatshëm, kështu që në vështirësi të rritet shpresa e në tundim të forcohet virtyti dhe të fitojmë shëlbimin e pasosur. Nëpër Krishtin Zotin tonë.