Leximet e ditës
JAVA E PARË E KRESHMEVE
E MARTË
Antifona e hyrjes Krh. Ps 89, 1-2
O Zot, ti u bëre strehimi ynë nga breznia në brezni. Prej amshimit të amshimit ti je Hyj.
Kolekta
Priri sytë e tu, o Zot, mbi familjen tënde dhe bëj që, duke ndëshkuar trupin tonë me pendesë trupore, të ndizemi në dëshirë për ty. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Is 55, 10-11) (fq. 1037)
Fjala ime kryen atë që më pëlqen.
Lexim prej librit të Isaisë profet
Kështu thotë Zoti: 10 sikurse zbret shiu e bora nga qielli e atje nuk kthehet, por e ujit tokën, e zbrun dhe i jep fuqi të blerojë, i jep bujkut farën dhe bukën për ushqim, 11 kështu edhe fjala ime që del prej gojës sime, s’do të kthehet tek unë pa fryt, pa pasë kryer gjithçka më pëlqen dhe pa pasë zbatuar atë për çka e nisa.
Fjala e Zotit
Psalmi 34 (33), 4-5.6-7.16-17.18-19 (fq. 693)
Ref. Kush shpreson në Zotin nuk mbetet i turpëruar.
4 Bashkë me mua jepni lavdi Zotit,
le ta lartësojmë së bashku Emrin e tij.
5 E kërkova Zotin e ai më dëgjoi
edhe më çliroi nga çdo frikë që pata.
Ref. Kush shpreson në Zotin nuk mbetet i turpëruar.
6 Shikojeni atë e do të ndriçoheni
fytyra juaj nuk do të turpërohet.
7 Ja, ky skamnor e thirri në ndihmë e Zoti e dëgjoi
dhe e shpëtoi nga të gjitha vuajtjet e tija.
Ref. Kush shpreson në Zotin nuk mbetet i turpëruar.
16 Sytë e Zotit këqyrin të drejtët,
veshët e tij ua dëgjojnë ofshamat.
17 Fytyra e Zotit është kundër bakëqijve
për ta zhdukur prej dheut kujtimin e tyre.
Ref. Kush shpreson në Zotin nuk mbetet i turpëruar.
18 Klithin të drejtët, Zoti i dëgjon,
i liron prej të gjitha vështirësive të tyre.
19 Zoti është ngjat atyre që pendohen me zemër,
i shpëton shpirtpërgrirët.
Ref. Kush shpreson në Zotin nuk mbetet i turpëruar.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit. (Mt 4, 4)
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Ungjilli (Mt 6, 7-15) (fq. 1390)
Ju lutuni kështu.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: 7 E kur të thoni uratë, mos e teproni me fjalë të kota porsi paganët: ata mendojnë se do t’u plotësohet urata nëse thonë shumë fjalë. 8 Mos bëni si ata, sepse Ati juaj e di mirë se për çka keni nevojë para se t’i luteni.
9 Prandaj lutuni kështu: Ati ynë që je në qiell, u shenjtëroftë Emri yt! 10 Ardhtë Mbretëria jote! U bëftë vullnesa jote si në qiell ashtu në tokë! 11 Bukën tonë të përditshmen na e jep sot! 12 Na i fal fajet tona, sikurse ua falëm ne fajtorëve tanë! 13 E mos lejo të biem në tundim, por na shpëto nga i Ligu! 14 Vërtet, në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, edhe Ati juaj qiellor do t’jua falë juve.15 Nëse ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj qiellor nuk do t’jua falë juve gabimet tuaja.”
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe krijues, pranoji dhuratat që i kemi marrë nga bujaria jote; dhe të mirat tokësore që vetë na i ke dhënë, na i shndërro që të vlejnë për jetën e pasosur. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I KRESHMËVE – I
Kuptimi shpirtëror i Kreshmëve
39. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ti çdo vit mirësisht bën që besimtarët e tu
t’i presin me gëzim dhe me shpirt të pastruar
misteret e Pashkëve,
kështu që, duke i kryer me zell
detyrat e përshpirtërisë dhe veprat e dashurisë,
me pjesëmarrje të shumtë në misteret me të cilat u rilindën,
të arrijnë plotësinë e hirit të bijësisë në shpirt.
Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,
me frone dhe zotërues,
dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,
po këndojmë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
PREFACIONI I KRESHMËVE – II
Pendesa shpirtërore
40. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Ti ua caktove bijve të tu këtë kohë të veçantë
për të ripërtërirë pastërtinë e shpirtit
që me shpirt të lirë nga ndjenjat e çrregullta,
të angazhohen për vlerat e përkohshme
në mënyrë që t’i kërkojnë më shumë vlerat e përhershme.
Dhe prandaj, me shenjtërit dhe me të gjithë engjëjt,
të lavdërojmë duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Antifona e kungimit Krh. Ps 4, 2
Kur të thirra, ti më dëgjove, o Hyj, drejtësia ime. Ti më shpëtove në vështirësi, ki mëshirë për mua, o Zot, dhe ma dëgjo uratën.
Lutja pas kungimit
Bëj, o Zot, që në saje të këtyre mistereve t’i frenojmë dëshirat tokësore dhe të mësojmë t’i duam ato qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Lutja mbi popull
Le të forcohen, o Hyj, besimtarët e tu me bekimin tënd, ji ti për ta ngushëllim në pikëllim, durim në provë, ndihmë në rrezik. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Tradita e “Katër kohëve”, në mënyrë burimore është e lidhur me shenjtërimin e kohës në të katër stinët, ka mundësi të ringjallet më çaste të lutjes dhe të meditimit që nxjerrin në dritë misterin e Krishtit në kohë. Në ato raste ka mundësi për shembull të përdoret ndonjë formular i veçantë i lutjes së përgjithshme ose të besimtarëve, ose gjithashtu, në Kohën gjatë vitit, ka mundësi të përdoret formulari e Meshëve, për nevoja të ndryshme në ditët e shndërrimit të stinëve.
Katër kohët, në pranverë përkujtohen të mërkurën, të premten dhe të shtunën pas të dielës së parë të Kreshmëve.
Pashkët janë zemra e vitit liturgjik: koha e rizgjimit në Krishtin Zotin tonë, që është pranvera e Shpirtit Shenjt.
Sikurse krijimi ashtu edhe Kisha përgatitet për një lulëzim të ri të fesë dhe të dashurisë nëpërmjet një ecjeje të lutjes, pendesës dhe të shërbimit vëllazëror.
Ta lusim Hyjin Atë, që ta forcojë angazhimin tonë të ripërtëritjes njerëzore dhe të krishterë në dëgjimin e Fjalës dhe në kujdes ndaj shenjave të kohës.
Të lutemi së bashku e të themi:
Ref. O Hyj i lirisë dhe i paqes, na dëgjo.
Që bashkësia kishtar të gjej masën e vërtetë të dashurisë, dhuratës së vetvetes, tejkalimin e çdo egoizmi, takimin e personave që ecin së bashku në shikimin e Hyjit, të lutemi.
Që mos të lejojmë që të fitojnë mbi ne vështirësitë dhe pengesat e të keqit, por të shkojmë pas Krishtit në udhën e kryqit, duke e ditur mirë se fara të cilën e bën të frytshme flijimi do të sjellë frytin e ringjalljes dhe të jetës së re, të lutemi.
Që familjet të forcohen në fe, besnikëri dhe dashuri, që kategoritë shoqërore të dinë të tejkalojnë kundërshtimet e pafrytshme, breznitë të takohen në dialog të hapur dhe të besueshëm, të lutemi.
Që njeriu modern të di të kuptojë mrekullinë e krijimit që secilin vit ripërtërihet, dhe të bashkëpunojë në projektin e Hyjit me përmirësim të brendshëm dhe bujar në shërbim të së mirës së përbashkët, të lutemi.
Që porosia e shpresës së krishterë të lulëzojë në gjeste të pajtimit dhe të vëllazërisë, dhe armët e shkatërrimit të shndërrohen në mjete të përparimit dhe të paqes, të lutemi.
O Hyj, burim i pashtershëm i jetës, mbështete me forcën e Shpirtit tënd njerëzimin që e dëshiron dhe e kërkon të ardhmen e drejtësisë dhe të paqes, që të mbetët i fortë në secilin njeri besimi se e mira do të fitojë mbi të keqen, premtim të cilin Biri yt e realizoj në kryq. Nëpër Krishtin Zotin tonë.