Leximet e ditës
JAVA E PARË E KRESHMEVE
E ENJTE
Antifona e hyrjes Krh. Ps 5, 2-3
Dëgjoji, o Zot, fjalët e mia, kuptoje dënesën time, dëgjoje zërin e britmës sime, Mbreti im e Hyji im.
Kolekta
Na jep, po të lutemi, o Zot mundësinë të mendojmë gjithherë të drejtën dhe gatishmërinë ta zbatojmë atë, që ne, të cilët nuk mund të ekzistojmë pa ty, të mund të jetojmë sipas vullnetit tënd. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Es 4, 2917p.31 17q.3217r.32 17aa. 4217bb. 4117gg. 4517hh) (fq. 614/5)
Nuk kam ndihmë tjetër jasht’ teje, o Zot.
Lexim prej librit të Esterës
Në ato ditë, 29 [17n] edhe mbretëresha Estër kërkoi strehim te Zoti prej frikës së rrezikut të vdekjes që i kërcënohej. [17p] Ra për tokë, me fytyrë përdhe bashkë me shërbëtoret e veta, prej mëngjesit e deri në mbrëmje duke u lutur: 31 [17q] »I bekuar je, O Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut e Hyji i Jakobit! Ma dëgjo uratën mua, që jam qyqevetëm, e që nuk kam tjetër Mbrojtës përveç teje, o Zot, 32 [17r] sepse vetë veten po e vë në rrezik.
33 [17aa] Unë mësova prej librave të të parëve të mi, o Zot, se ti i shpëton të gjithë ata që ty të pëlqejnë njëherë e për gjithmonë. 42 [17bb] E tash më ndihmo edhe mua që kam mbetur qyqevetëm, e që s’kam askënd tjetër përveç Teje, o Zot, Hyji im.
41 [17gg] E tash, ndihmoj bonjakes sate: vëre në gojën time fjalën e përshtatshme për luanin, më bëj të hirshme përpara tij, shndërroje zemrën e tij ta urrejë shtypësin tonë, për shfarosjen të atij e të atyre që mendojnë si ai. 45 [17hh] Na çliro nga dora e armiqve tanë; shndërroje vajin tonë në gëzim, dhembjet tona në shëndet.
Fjala e Zotit
Psalmi 138 (137), 1-2ab.2cd-3.7c-8 (fq. 818)
Ref. Sa herë të thirra në ndihmë, ti më vështrove, o Zot.
1 Me gjithë shpirt të falënderoj, o Zot,
sepse i dëgjove fjalët e gojës sime.
Të këndoj në praninë e engjëjve,
2 adhuroj në drejtim të Tempullit tënd të shenjtë.
Ref. Sa herë të thirra në ndihmë, ti më vështrove, o Zot.
E lavdëroj Emrin tënd.
shtrije dorën e më shpëto me të djathtën tënde.
për dashurinë e besnikërinë tënde.
3 Sa herë të thirra në ndihmë, ti më vështrove,
shpirtit tim ia kërthndeze fuqitë.
Ref. Sa herë të thirra në ndihmë, ti më vështrove, o Zot.
7 Më shpëto me të djathtën tënde.
8 Çka kam filluar, Zoti do ta kryejë për mua.
E amshueshme është, o Zot, mirësia jote:
mos e përbuz veprën e duarve të tua!
Ref. Sa herë të thirra në ndihmë, ti më vështrove, o Zot.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër, ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd. (Ps 51, 12a.14a)
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Ungjilli (Mt 7, 7-12) (fq. 1391/2)
Ai që lyp, i jepet.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 7 “Lypni e do t’ju jepet, kërkoni dhe do të gjeni, trokitni e do t’ju çelet! 8 Sepse, kush lyp, i jepet, kush kërkon gjen, e kush troket, i çelet.
9 Dhe, a gjendet njeri ndër ju, që po i lypi i biri bukë, i jep gur? 10 Ose, po i lypi peshk, i jep gjarpër? 11 Po qe, pra, nëse ju që jeni të këqij, dini t’u jepni gjëra të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj që është në qiell, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia lypin.
12 Gjithçka dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, bëjuani edhe ju atyre! Ja, vërtet Ligji e Profetët!”
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Përkrahi, o Zot, dëshirat tona, pranoji dhuratat dhe lutjet e popullit tënd, dhe ktheji tek ti zemrat e të gjithëve ne. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I KRESHMËVE – I
Kuptimi shpirtëror i Kreshmëve
39. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ti çdo vit mirësisht bën që besimtarët e tu
t’i presin me gëzim dhe me shpirt të pastruar
misteret e Pashkëve,
kështu që, duke i kryer me zell
detyrat e përshpirtërisë dhe veprat e dashurisë,
me pjesëmarrje të shumtë në misteret me të cilat u rilindën,
të arrijnë plotësinë e hirit të bijësisë në shpirt.
Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,
me frone dhe zotërues,
dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,
po këndojmë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
PREFACIONI I KRESHMËVE – II
Pendesa shpirtërore
40. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Ti ua caktove bijve të tu këtë kohë të veçantë
për të ripërtërirë pastërtinë e shpirtit
që me shpirt të lirë nga ndjenjat e çrregullta,
të angazhohen për vlerat e përkohshme
në mënyrë që t’i kërkojnë më shumë vlerat e përhershme.
Dhe prandaj, me shenjtërit dhe me të gjithë engjëjt,
të lavdërojmë duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Antifona e kungimit Mt 7, 8
Kush lyp, i jepet; kush kërkon, gjen; e kush troket, i çelet.
Lutja pas kungimit
O Hyj, Zoti ynë, ti na i dhe këto mistere të shenjta si mbrojtje në rrugën tonë të shpëtimit. Bëj, po të lutemi, të jenë për ne mjet shërimi për jetën e tanishme dhe të ardhshme. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Lutja mbi popull
Ardhtë mbi ne, o Zot, mëshira jote, që me shpresë e kërkojmë prej teje, si edhe bujaria qiellore, që ta njohim atë që është e drejtë, dhe ta pranojmë atë që kërkojmë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.