Leximet e ditës

JAVA E PARË E KRESHMEVE

 

E SHTUNË

 

Antifona e hyrjes Ps 18, 8

 

I përsosur është ligji i Zotit, shpirtin përtërin. Dëshmia e Zotit është besnike, të miturve u jep dijen.

 

Kolekta

 

O Atë i amshuar, silli zemrat tona nga ti, që gjithmonë të kërkojmë të mirën e domosdoshme, të ushtrojmë vepra dashurie dhe të kryejmë shërbesën tënde. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Lp 26, 16-19) (fq. 246)

 

Do të jesh popull i shenjtë i Zotit.

 

Lexim prej librit të Ligjit të përtërirë

 

Moisiu i foli popullit duke thënë: 16 “Sot Zoti, Hyji yt, po të urdhëron t’i kryesh të gjitha këto urdhërime e rregullore, t’i mbash e t’i zbatosh me gjithë zemrën tënde e me gjithë shpirtin tënd.

17 Ti sot e zgjodhe Zotin që të jetë Hyji yt dhe se ti do të ecësh udhëve të tija, se do t’i mbash urdhërimet, ligjet e rregulloret e tija dhe se do ta zbatosh urdhrin e tij.

18 Po edhe Zoti të zgjodhi ty sot që të jesh populli i tij i veçuar, sikurse të ka premtuar, dhe që do t’i mbash të gjitha urdhërimet e tija.

 19 Ai do të të lartësojë përmbi të gjithë popujt që i ka krijuar për lavdinë, emrin dhe nderin e vet, që të jesh populli i shenjtë i Zotit, Hyjit tënd, mu ashtu siç të ka thënë Ai vetë.”

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 119 (118), 1-2.4-5.7-8 (fq. 797)

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

1 Lum njeriu me sjellje të pastër,

që ecën në Ligjin e Zotit!

2 Lum kush i mban dëshmitë e tija,

që e kërkon me gjithë zemër.

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

4 Ti i shpalle urdhërimet e tua

që të mbahen përpikërisht.

5 Oh, sikur të ishin të drejta udhët e mia

për t’i zbatuar rregulloret e tua!

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

7 Do të të lavdëroj në pastërtinë e zemrës,

i mësuar ndër gjyqet e drejtësisë sate.

8 Unë do t’i zbatoj rregulloret e tua,

por ti askurrë mos hiq dorë prej meje!

 

Ref. Lum njeriu që ecën në Ligjin e Zotit.

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Ja koha e volitshme, kjo është dita e shpëtimit. (krh. 2 Kor 6, 2b)

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

Ungjilli (Mt 5, 43-48) (fq. 1389/90)

 

Jini të përkryer siç është i përkryer Ati juaj që është në qiell.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 43 “Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Duaje të afërmin tënd’ e urreje armikun tënd. 44 E unë po ju them: Duajini armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë, 45 për t’u bërë bijtë e Atit tuaj që është në qiell, sepse Ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët e të bjerë shi për të drejtët e për të padrejtët.

46 Sepse, po qe se i doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi meritoni? Pse a nuk bëjnë kaq edhe tagrambledhësit? 47 E nëse i përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, çka bëni të veçantë? A nuk bëjnë të njëjtën gjë edhe paganët? 48

Jini, pra të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell!”

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Po të lutemi, o Zot, që këto mistere të shenjta

të na bëjnë të denjë të fitojmë shpëtimin tënd.

Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

PREFACIONI I KRESHMËVE – I

Kuptimi shpirtëror i Kreshmëve

 

39. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,

nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Ti çdo vit mirësisht bën që besimtarët e tu

t’i presin me gëzim dhe me shpirt të pastruar

misteret e Pashkëve,

kështu që, duke i kryer me zell

detyrat e përshpirtërisë dhe veprat e dashurisë,

me pjesëmarrje të shumtë në misteret me të cilat u rilindën,

të arrijnë plotësinë e hirit të bijësisë në shpirt.

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,

me frone dhe zotërues,

dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,

po këndojmë himnin e lavdisë sate

duke thënë pa pushim:

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I KRESHMËVE – II

Pendesa shpirtërore

 

40. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ti ua caktove bijve të tu këtë kohë të veçantë

për të ripërtërirë pastërtinë e shpirtit

që me shpirt të lirë nga ndjenjat e çrregullta,

të angazhohen për vlerat e përkohshme

në mënyrë që t’i kërkojnë më shumë vlerat e përhershme.

Dhe prandaj, me shenjtërit dhe me të gjithë engjëjt,

të lavdërojmë duke thënë pa pushim:

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

Antifona e kungimit Mt 5, 48

 

Jini të përkryer, thotë Zoti, siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell.

 

Lutja pas kungimit

 

Na përcill, o Zot, me përkrahjen tënde të vazhdueshme ne, që na përtërin me misterin hyjnor; dhe, pasi na ke rritur mirë me mësimet qiellore, na shoqëro me ngushëllimet shpëtimprurëse. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Lutja mbi popull

 

I forcoftë besimtarët e tu, o Hyj, bekimi yt që ata presin, që nuk do t’i lejojë të largohen nga vullneti yt, por i bën trashëgimtarë të të mirave të tua. Nëpër Krishtin Zotin tonë.