Leximet e ditës
KRESHMET
JAVA E PARË E KRESHMEVE
E PREMTE
Antifona e hyrjes Ps 24, 17-18
Më nxirr, o Zot, nga vështirësitë e mia. Shiko përvujtërimin tim dhe mundimin e m’i fal të gjitha fajet e mia.
Kolekta
Bëj, po të lutemi, o Zot, që besimtarët e tu të përgatiten si duhet për kremtimin e Pashkëve, që angazhimi i përbashkët për pendesën trupore t’i vlejë secilit për të mirën shpirtërore. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Ez 18, 21-28) (fq. 1164)
Unë nuk i kënaqem vdekjes së mëkatarit, por dëshiroj që të kthehet nga sjellja e vet dhe të jetojë.
Lexim prej librit të Ezekielit profet
Kështu thotë Zoti Hyj: 21 Por, në qoftë se i paudhi pendohet për të gjitha mëkatet e veta që i ka bërë dhe i mban të gjitha urdhërimet e mia, e bën të drejtën e drejtësinë, po, do të jetojë, nuk do të vdesë! 22 Asnjë prej mëkateve të tij që ka bërë nuk do t’i kujtohet; do të jetojë në saje të drejtësisë që bën. 23 Vallë, a thua i kënaqem vdekjes së mëkatarit ‑ është fjala e Zotit Hyj ‑ e jo që të kthehet nga sjellja e vet e të jetojë?
24 Por, në qoftë se i drejti largohet nga drejtësia e vet dhe bën padrejtësinë e të gjitha turpësitë që i bën i patenzoni, vallë a do të jetojë? Asnjë prej drejtësive të tij që i ka bërë, nuk do t’i merren parasysh; për shkak të pabesisë së vet me të cilën e theu besën e të mëkatit që e bëri, në to do të vdesë.
25 Ju thatë: ‘Nuk është e drejtë udha e Zotit’. Dëgjoni, pra, shtëpia e Izraelit: A thua mënyra e sjelljes sime vërtet s’është e mirë? Apo më parë mënyra e veprimit tuaj është e keqe? 26 Sepse, kur i drejti e lë drejtësinë e vet e bën padrejtësinë, ai do të vdesë: për shkak të padrejtësisë që bëri, do të vdesë. 27 E kur i paudhi kthehet prej paudhësisë së vet që e ka bërë, e bën të drejtën e drejtësinë, ai ia kthen jetën vetvetes: 28 ai pleqëron imët dhe kthehet nga të gjitha padrejtësitë që i ka bërë, këndej do të jetojë e, jo, nuk do të vdesë.
Fjala e Zotit
Psalmi 130 (129) (fq. 811)
Ref. NA FAL, O ZOT, E NE DO TË JETOJMË.
1 Prej humnerës klitha tek ti, o Zot,
2 o Zot, dëgjoje britmën time!
Le ta dëgjojnë veshët e tu,
zërin e lutjes sime.
Ref. NA FAL, O ZOT, E NE DO TË JETOJMË.
3 Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot,
O Zot, e kush do të qëndrojë para teje?
4 Por tek ti gjendet falja
që të dimë të të druajmë.
Ref. NA FAL, O ZOT, E NE DO TË JETOJMË.
5 Shpresoj në ty, o Zot,
shpirti im shpreson në premtimin e tij.
E pret 6 shpirti im Zotin
më tepër se rojtarët agimin.
Ref. NA FAL, O ZOT, E NE DO TË JETOJMË.
7 Le të shpresojë Izraeli në Zotin,
sepse te Zoti është mëshira
dhe i madh është tek Ai shpërblimi.
8 Ai do ta nxjerrë Izraelin
prej të gjitha paudhësive të tija.
Ref. NA FAL, O ZOT, E NE DO TË JETOJMË.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Lëre dhuratën tënde aty para lterit, shko e pajtohu më parë me vëllanë tënd e pastaj eja dhe kushtoje dhuratën tënde! (Ez 18, 31)
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Ungjilli (Mt 5, 20-26) (fq. 1388)
Shko e pajtohu më parë me vëllanë tënd.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 20 nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e skribëve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit.”
21 “Keni dëgjuar se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos vra!’ Kush vret do të jetë përgjegjës para gjyqit. 22 E unë po ju them: Kushdo zemërohet kundër vëllait të vet, do të jetë përgjegjës para gjyqit; e kush t’i thotë vëllait të vet: ‘Budalla’, do të jetë përgjegjës para Sinedrit; kush t’i thotë: ‘I marrë’, do të përgjigjet në zjarrin e ferrit.
23 Pra, nëse e sjell dhuratën tënde për ta kushtuar në lter e aty të bie në mend se yt vëlla ka diçka kundër teje, 24 lëre dhuratën tënde aty para lterit, shko e pajtohu më parë me vëllain tënd e pastaj eja e kushtoje dhuratën tënde!
25 Ndrequ me shpejt me kundërshtarin tënd sa të jesh ende në udhëtim me të, që kundërshtari të mos të të dorëzojë gjykatësit e ky rojtarit të gjyqit, që të mos të ndryjnë në burg. 26 Për të vërtetë po të them: s’do të dalësh prej andej para se ta paguash edhe paranë më të fundit.”
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoje me mirësi, o Zot, këtë fli, nëpërmjet së cilës deshe të pajtohemi me ty dhe të fitojmë shpëtimin. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I KRESHMËVE – I
Kuptimi shpirtëror i Kreshmëve
39. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ti çdo vit mirësisht bën që besimtarët e tu
t’i presin me gëzim dhe me shpirt të pastruar
misteret e Pashkëve,
kështu që, duke i kryer me zell
detyrat e përshpirtërisë dhe veprat e dashurisë,
me pjesëmarrje të shumtë në misteret me të cilat u rilindën,
të arrijnë plotësinë e hirit të bijësisë në shpirt.
Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,
me frone dhe zotërues,
dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,
po këndojmë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
PREFACIONI I KRESHMËVE – II
Pendesa shpirtërore
40. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Ti ua caktove bijve të tu këtë kohë të veçantë
për të ripërtërirë pastërtinë e shpirtit
që me shpirt të lirë nga ndjenjat e çrregullta,
të angazhohen për vlerat e përkohshme
në mënyrë që t’i kërkojnë më shumë vlerat e përhershme.
Dhe prandaj, me shenjtërit dhe me të gjithë engjëjt,
të lavdërojmë duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Antifona e kungimit Ez 33, 11
Pasha jetën time, nuk e dua vdekjen e mëkatarit, thotë Zoti, por të kthehet e të jetojë.
Lutja pas kungimit
Na përtëriftë o Zot, kungimi i shenjtë, që, të pastruar prej mëkateve, të mund të marrim frytet e misterit të shpëtimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Lutja mbi popull
Shikoje me mirësi, o Zot, popullin tënd, që duke ushtruar vepra pendestare, ta fitojë pastërtinë e brendshme. Nëpër Krishtin Zotin tonë.