Leximet e ditës
JAVA E DYTË E KRESHMEVE
E HËNË
Antifona e hyrjes Krh. Ps 25, 11-12
Më shëlbo, o Zot, dhe ki dhimbje për mua. Tashmë këmba ime shkel në udhë të drejta, në bashkime do ta bekoj Zotin.
Kolekta
O Hyj, ti përcakton pendesën trupore për mjekim shërues të shpirtit, bëj të agjërojmë prej çdo mëkati, që shpirti ynë t’i zbatojë urdhërimet e dashurisë sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Dan 9, 4b-10) (fq. 1221)
Kemi mëkatuar.
Lexim prej librit të Danielit profet
4 Unë iu luta Zotit Hyj, dëshmova e thashë: “Po të lutem, o Zot, Hyj i madhërishëm e i tmerrshëm, ti që e mban Besëlidhjen dhe mëshirën ndaj atyre që të duan e i mbajnë urdhërimet e tua. 5 Ne mëkatuam, bëmë keq, vepruam paudhësisht, kundërshtuam, i lamë urdhërimet e rregulloret e tua. 6 Nuk i dëgjuam shërbëtorët e tu profetët, të cilët, në emër tënd, u folën mbretërve tanë, prijësve tanë, etërve tanë e mbarë popullit të vendit.
7 Ty, o Zot, të përket drejtësia, kurse neve turpi në fytyrë, siç u ndodhi edhe sot njerëzve të Judës, banorëve të Jerusalemit, e mbarë Izraelit, këtyre që janë afër e atyre që janë larg anembanë tokës, ku i trete për shkak të paudhësisë së tyre, me të cilën mëkatuam kundër teje.
8 O Zot, neve na takon turpi në fytyrë, mbretërve tanë, prijësve tanë e etërve tanë, sepse mëkatuam kundër teje; 9 kurse Zotit, Hyjit tonë, i takon mëshira e falja, sepse ne u larguam prej teje. 10 Nuk e dëgjuam zërin e Zotit, Hyjit tonë, për të ecur ligjit të tij që na e dha nëpërmjet shërbëtorëve të vet, profetëve.
Fjala e Zotit
Psalmi 79 (78), 8.9.11.13 (fq. 749)
Ref. Na fal, o Zot, në mëshirën tënde.
8 Mos i kujto fajet e etërve tanë,
le të na vijë në ndihmë sa më parë mëshira jote,
sepse jemi bërë tepër të mjerë.
Ref. Na fal, o Zot, në mëshirën tënde.
9 Na ndihmo, o Hyj, Shëlbuesi ynë,
për nder të Emrit tënd e na çliro:
pashë nderin e Emrit tënd na i fal fajet!
Ref. Na fal, o Zot, në mëshirën tënde.
11 Le të arrijë tek ti gjëma e të robëruarve,
me fuqinë e krahut tënd
shpëtoji të dënuarit me vdekje.
Ref. Na fal, o Zot, në mëshirën tënde.
13 E ne, populli yt ‑ delet e kullotës sate,
do të të lavdërojmë për amshim,
do ta shpallim nga brezi në brez
lavdinë tënde.
Ref. Na fal, o Zot, në mëshirën tënde.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Fjalët e tua, o Zot, janë shpirt dhe jetë; ti i ke fjalët e jetës së pasosur. (Gjn 6, 63c.68c)
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Ungjilli (Lk 6, 36-38) (fq. 1469)
Falni e do të gjeni falje.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 36 Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse (edhe) Ati juaj është i mëshirshëm.”
37 “Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni! Mos dënoni e nuk do të dënoheni! Falni e do të gjeni falje!
38 Jepni e do t’ju jepet: masë e mirë, e dendur, e tundur, me grumbull do t’ju jepet nën sqetullën tuaj: sepse me atë masë që të matni, do t’ju matet edhe juve në kthim.”
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoji me mirësi, o Zot, lutjet tona, na liro prej ngashënjimeve tokësore pasi na grishe t’u shërbejmë mistereve qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I KRESHMËVE – I
Kuptimi shpirtëror i Kreshmëve
39. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ti çdo vit mirësisht bën që besimtarët e tu
t’i presin me gëzim dhe me shpirt të pastruar
misteret e Pashkëve,
kështu që, duke i kryer me zell
detyrat e përshpirtërisë dhe veprat e dashurisë,
me pjesëmarrje të shumtë në misteret me të cilat u rilindën,
të arrijnë plotësinë e hirit të bijësisë në shpirt.
Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,
me frone dhe zotërues,
dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,
po këndojmë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
PREFACIONI I KRESHMËVE – II
Pendesa shpirtërore
40. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Ti ua caktove bijve të tu këtë kohë të veçantë
për të ripërtërirë pastërtinë e shpirtit
që me shpirt të lirë nga ndjenjat e çrregullta,
të angazhohen për vlerat e përkohshme
në mënyrë që t’i kërkojnë më shumë vlerat e përhershme.
Dhe prandaj, me shenjtërit dhe me të gjithë engjëjt,
të lavdërojmë duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Antifona e kungimit Lk 6, 36
Jini të mëshirshëm, thotë Zoti, sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm.
Lutja pas kungimit
Ky kungim, o Zot, na pastroftë nga fajet dhe na bëftë pjesëtarë të gëzimeve qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Lutja mbi popull
Përforcoji, o Zot, zemrat e besimtarëve të tu dhe mbështeti me fuqinë e hirit tënd, që të dëftohen të devotshëm në kërkesat e tyre dhe të çiltër në dashurinë e tyre. Nëpër Krishtin Zotin tonë.