Leximet e ditës
JAVA E DYTË E KRESHMEVE
E MARTË
Antifona e hyrjes Krh. Ps 12, 4-5
Ndriti sytë, që të mos më kapë gjumi i vdekjes; të mos thotë armiku: Ngadhënjeva mbi të.
Kolekta
Ruaje, po të lutemi, o Zot, Kishën tënde me mirësi të vazhdueshme dhe, pasi njeriu nuk mund të qëndrojë pa ty, me ndihmën tënde largoje gjithmonë nga rreziqet dhe drejtoje nga shpëtimi. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Is 1, 10.16-20) (fq. 974/5)
Mësoni të bëni vepra të mira, kërkojeni drejtësinë.
Lexim prej librit të Isaisë profet
10 Dëgjojeni fjalën e Zotit, o prijës të Sodomës! Dëgjoje urdhrin e Hyjit tonë, o populli i Gomorrës! 16 Lahuni, pastrohuni, Hiqeni fajësinë tuaj prej syve të mi, pushoni të bëni keq! 17 Mësoni të bëni vepra të mira: kërkojeni drejtësinë, ndihmoni të shtypurit, jepini të drejtën bonjakut, mbrojeni të vejën!
18 “Atëherë, ejani të pleqërohemi” ‑ thotë Zoti. Edhe në qofshin mëkatet tuaja kuq si gjaku, do të bëhen bardhë si bora, edhe në qofshin të kuqe si purpuri, do të bëhen porsi leshi. 19 Nëse doni të më dëgjoni, do t’i gëzoni frytet e tokës; 20 nëse do të qëndroni në kryengritje, shpata do t’ju përpijë!” Kështu pat folur goja e Zotit.
Fjala e Zotit
Psalmi 50 (49), 8-9.16bc-17.21.23 (fq. 713)
Ref. Na e trego, o Zot, rrugën e shëlbimit.
8 Nuk të qortoj për flitë e tua,
flitë e shkrumbimit të tuat i kam gjithherë para sysh!
9 S’do të pranoj prej shtëpisë sate mëzat,
as cjap prej tufave të tua.
Ref. Na e trego, o Zot, rrugën e shëlbimit.
16 “Si guxon ti t’i shtjellosh urdhërimet e mia?
Si e merr nëpër gojë Besëlidhjen time,
17 kur ti e urren disiplinën,
pas shpine i hedh urdhrat e mi?
Ref. Na e trego, o Zot, rrugën e shëlbimit.
21 Kështu veprove e unë heshtova.
A mendon ti se unë jam si ti?
Po të qortoj e po t’i përplas në fytyrë”.
23 Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit,
do t’ia tregoj shpëtimin e Hyjit
atij që ecën udhës së drejtë.
Ref. Na e trego, o Zot, rrugën e shëlbimit.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Largohuni prej të gjitha paudhësive tuaja, thotë Zoti, e do t’ju jap një zemër të re e një shpirt të ri. (Ez 18, 31a)
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Ungjilli (Mt 23, 1-12) (fq. 1416)
Ata flasin e nuk veprojnë siç thonë.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
1 Në atë kohë Jezusi iu drejtua turmës dhe nxënësve të vet: 2 “Në katedrën e Moisiut ndenjën skribët e farisenjtë. 3 Pra, ju duhet t’i dëgjoni e të zbatoni gjithçka t’ju thonë, por mos bëni si bëjnë ata. Ata nuk veprojnë siç thonë. 4 Ata lidhin barrë të rënda që mezi mund të barten dhe ua ngarkojnë njerëzve në krahë, kurse vetë as me gisht nuk i luajnë.
5 Mandej të gjitha veprat e veta i bëjnë me qëllim që t’i shohin njerëzit. Këndej i zgjerojnë filakteritë e veta dhe i zgjasin thakët. 6 Në gosti dëshirojnë kryet e vendit, në sinagoga vendet e para, 7 përshëndetjet në sheshe dhe të quhen prej njerëzve ‘rabbi’.
8 Ju mos lejoni t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm njëri është Mësuesi juaj, kurse ju të gjithë jeni vëllezër. 9 Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd Atë, sepse keni vetëm një Atë ‑ atë që është në qiell! 10 Gjithashtu mos lejoni t’ju quajnë udhëheqës ‑ sepse keni vetëm një Udhëheqës ‑ Krishtin!
11 Më i madhi ndër ju le të jetë shërbëtori juaj. 12 Sepse, kush krenohet, do të përvujtërohet e kush përvujtërohet do të lartësohet.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Në mirësinë tënde, o Zot, na shenjtëro me anë të këtyre mistereve, që na pastrojnë prej veseve tokësore dhe na përcjellin në të mirat qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I KRESHMËVE – I
Kuptimi shpirtëror i Kreshmëve
39. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ti çdo vit mirësisht bën që besimtarët e tu
t’i presin me gëzim dhe me shpirt të pastruar
misteret e Pashkëve,
kështu që, duke i kryer me zell
detyrat e përshpirtërisë dhe veprat e dashurisë,
me pjesëmarrje të shumtë në misteret me të cilat u rilindën,
të arrijnë plotësinë e hirit të bijësisë në shpirt.
Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,
me frone dhe zotërues,
dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,
po këndojmë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
PREFACIONI I KRESHMËVE – II
Pendesa shpirtërore
40. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Ti ua caktove bijve të tu këtë kohë të veçantë
për të ripërtërirë pastërtinë e shpirtit
që me shpirt të lirë nga ndjenjat e çrregullta,
të angazhohen për vlerat e përkohshme
në mënyrë që t’i kërkojnë më shumë vlerat e përhershme.
Dhe prandaj, me shenjtërit dhe me të gjithë engjëjt,
të lavdërojmë duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Antifona e kungimit Ps 9, 2-3
I shpall të gjithë mrekullitë e tua, o Zot, gëzohem dhe galdoj në ty, i këndoj emrit tënd, o i Larti Zot.
Lutja pas kungimit
Kungimi që morëm në tryezën tënde, o Zot, e shtoftë në ne jetën e krishterë dhe na e dhashtë ndihmën e vazhdueshme të mëshirës sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Lutja mbi popull
Pranoji, o Zot, lutjet e besimtarëve të tu dhe shëroji dobësitë e shpirtrave të tyre, që pasi të fitojnë faljen e mëkateve, të gëzohen në saje të bekimit tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.