Leximet e ditës

JAVA E DYTË E KRESHMEVE

 

E MËRKURË

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 37, 22-23

 

Mos më lër vetëm, o Zot, Hyji im, mos u largo prej meje, nxito të më ndihmosh, o Zot, Shpëtimtari im.

 

Kolekta

 

Ruaje, o Zot, familjen tënde, e angazhuar përherë në vepra të mira dhe, duke e ngushëlluar tani me ndihmën tënde, në mirësinë tënde shoqëroje drejt të mirave të amshuara. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Jer 18, 18-20) (fq. 1077)

 

Ejani ta godasim të drejtin.

 

Lexim prej librit të Jeremisë profet

 

Armiqtë e profetit thanë: 18 “Ejani të bëjmë përbetim kundër Jeremisë! Sepse Ligji nuk do t’i mungojë priftit, as këshilla të urtit, as fjala profetit! Ejani ta godasim me gjuhë të tij e të mos i vëmë vesh asnjë fjale të tij”.

19 Më vështro, o Zot, e dëgjo se ç’thonë kundërshtarët e mi! 20 Vallë, a me të keqe shpërblehet e mira? E ata po më hapin gropën! Kujto se si rrija para teje për të folur për të mirën e tyre, për ta tretur larg tyre felgrimi tënd.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 31 (30), 5-6.14.15-16 (fq. 689)

 

Ref. Më shpëto, o Zot, sipas mëshirës sate.

 

5 Më nxirr nga rrjeta që fshehtazi ma vunë,

sepse ti je fuqia ime.

6 Në duar të tua po e porosis shpirtin tim,

më shpërble, o Zot, Hyji besnik.

 

Ref. Më shpëto, o Zot, sipas mëshirës sate.

 

14 Dëgjo pëshpëritjet e të shumëve:

tmerr në çdo anë:

bëjnë mbledhje kundër meje,

pleqërojnë si të ma marrin jetën.

 

Ref. Më shpëto, o Zot, sipas mëshirës sate.

 

15 E pra, o Zot, unë në ty jam i sigurt,

unë them: “Ti je Hyji im,

16 në duart e tua fati im”!

Më shpëto prej duarve të armiqve të mi

dhe prej atyre që më salvojnë.

 

Ref. Më shpëto, o Zot, sipas mëshirës sate.

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Unë jam drita e botës, thotë Zoti, kush vjen pas meje, nuk do të ecë në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës! (krh. Gjn 8, 12)

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

Ungjilli (Mt 20, 17-28) (fq. 1411/12)

 

Do ta dënojnë me vdekje.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

17 Kur Jezusi po ngjitej në Jerusalem, i mori veçmas të dymbëdhjetët dhe udhës u tha: 18 “Ja, po ngjitemi në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve e skribëve. Ata do ta dënojnë me vdekje, 19 e do ta dorëzojnë paganëve për ta vënë në lojë, për ta frushkulluar e për ta kryqëzuar. Por ai të tretën ditë do të ngjallet.”

20 Atëherë iu afrua nëna e bijve të Zebedeut me të bijtë dhe e përshëndeti me fytyrë për dhe për t’i lypur diçka. 21 Jezusi i tha: “Çka dëshiron?” Ajo i përgjigji: “Urdhëro që këta të dy, bijtë e mi, të rrinë në Mbretërinë tënde njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde.” 22 Jezusi përgjigji: “Nuk dini çka lypni. A mundeni ta pini ju kelkun që unë do ta pi?” “Mundemi!” iu përgjigjën. 23 Jezusi vijoi: “Me të vërtetë ju do ta pini kelkun tim, por të më rrini njëri në të djathtë e tjetri në të majtë, nuk është në dorë time t’jua japë, por do t’u jepet atyre, për të cilët u bë gati prej Atit tim.”

24 Kur morën vesh dhjetë të tjerët, u zemëruan me dy vëllezërit. 25 Atëherë Jezusi i thirri pranë vetes e u tha: “Ju e dini se sunduesit zotërojnë mbi popujt e vet e princat e tyre i mbajnë nën pushtet. 26 Porse, ndërmjet jush nuk duhet të jetë ashtu! Përkundrazi, ai që prej jush do të bëhet i madh, le të bëhet shërbëtori juaj, 27 kurse ai që ndër ju dëshiron të jetë i pari, le të bëhet skllavi juaj, 28 sikurse edhe Biri i njeriut, që s’erdhi për të qenë shërbyer, por për të shërbyer e për të flijuar jetën e vet si shpërblim për shumë!”

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji me mirësi, o Zot, dhuratat që po t’i kushtojmë dhe, në saje të këtij shndërrimi dhuratash, na liro nga mëkatet tona. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

PREFACIONI I KRESHMËVE – I

Kuptimi shpirtëror i Kreshmëve

 

39. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,

nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Ti çdo vit mirësisht bën që besimtarët e tu

t’i presin me gëzim dhe me shpirt të pastruar

misteret e Pashkëve,

kështu që, duke i kryer me zell

detyrat e përshpirtërisë dhe veprat e dashurisë,

me pjesëmarrje të shumtë në misteret me të cilat u rilindën,

të arrijnë plotësinë e hirit të bijësisë në shpirt.

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,

me frone dhe zotërues,

dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,

po këndojmë himnin e lavdisë sate

duke thënë pa pushim:

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I KRESHMËVE – II

Pendesa shpirtërore

 

40. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ti ua caktove bijve të tu këtë kohë të veçantë

për të ripërtërirë pastërtinë e shpirtit

që me shpirt të lirë nga ndjenjat e çrregullta,

të angazhohen për vlerat e përkohshme

në mënyrë që t’i kërkojnë më shumë vlerat e përhershme.

Dhe prandaj, me shenjtërit dhe me të gjithë engjëjt,

të lavdërojmë duke thënë pa pushim:

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

Antifona e kungimit Mt 20, 28

 

Biri i njeriut nuk erdhi për të qenë shërbyer, por për të shërbyer e për të flijuar jetën e vet si shëlbim për njerëz.

 

Lutja pas kungimit

 

Po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, që ky sakrament, që na e dhe si peng të pavdekshmërisë, të na vlejë për shpëtimin e pasosur. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Lutja mbi popull

 

Dhuroju besimtarëve të tu, o Zot, mbushullimin e mbrojtjes dhe të hirit, jepu shëndetin e mendjes dhe të trupit, forcoji në dashurinë vëllazërore dhe bëji gjithmonë të të përkushtohen ty. Nëpër Krishtin Zotin tonë.