Leximet e ditës
JAVA E DYTË E KRESHMEVE
E ENJTE
Antifona e hyrjes Krh. Ps 138, 23-24
Më shqyrto, o Zot, dhe njihe zemrën time, shiko në mos ka në mua udhë kotësie dhe më kthe në udhën e amshueshme.
Kolekta
O Hyj, dashurues dhe ripërtëritës i pafajësisë, drejtoji nga ti zemrat e shërbëtorëve të tu, kështu që, me zellin që vjen prej Shpirtit tënd, të jenë të qëndrueshëm në fe dhe plot fryte në vepra e tyre. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Jer 17, 5-10) (fq. 1075/6)
Qoftë mallkuar ai njeri që shpreson në njeriun; qoftë bekuar ai që shpreson në Zotin.
Lexim prej librit të Jeremisë profet
5 Kështu thotë Zoti: Qoftë mallkuar ai njeri që në njeriun shpreson, ai që mbështetjen e vet e ka në njeriun e zemra e tij largohet prej Zotit. 6 Ai do të jetë porsi marena në shkretëtirë: nuk sheh kurrë asnjë të mirë, i shkon ditët në thatësirën e shkretëtirës, në tokë të kriposur, të pabanueshme.
7 Qoftë bekuar ai që shpreson në Zotin, Zoti do të jetë shpresa e tij. 8 Ai do të jetë porsi druri i mbëltuar në breg të ujit, që kah përroi i lëshon rrënjët e s’do të trembet kur të vijë zhegu: gjethi i tij do të jetë i blertë. Për vit thatësie s’është në kujdes, nuk pushon duke dhënë fruta.9 Më dinake se çdo gjë tjetër është zemra, e pashërueshme; kush është ai që mund ta njohë? 10 Unë, Zoti, shqyrtoj zemrën, sprovoj veshkat, i jap secilit sipas sjelljes së tij, sipas fryteve të veprave të tij.
Fjala e Zotit
Psalmi 1, 1-2.3.4-6 (fq. 659)
Ref. Lum njeriu që shpreson në Zotin.
1 Lum njeriu që nuk i ndjek këshillat e bakëqijve,
që nuk qëndron në udhën e mëkatarëve
e nuk rri së bashku me përqeshës,
2 por kënaqet në Ligjin e Zotit
dhe e kujton atë ditë e natë.
Ref. Lum njeriu që shpreson në Zotin.
3 Ai është porsi pema e mbjellë në bregun e ujit që rrjedh,
e cila frytin e vet e jep në stinë
dhe gjethet kurrë s’i vyshken:
i ecën mbarë gjithçka të ndërmarrë.
Ref. Lum njeriu që shpreson në Zotin.
4 Jo, kështu jo, s’do t’u ndodhë të paudhëve,
por ata janë porsi byku që shpërndan era.
6 Sepse Zoti e di udhën e të drejtëve,
kurse udha e keqbërësve do të mbarojë.
Ref. Lum njeriu që shpreson në Zotin.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Lum ata që e dëgjojnë Fjalën e Zotit dhe e ruajnë në zemër të mirë e bujare dhe japin fryt me qëndrueshmëri. (Lk 8, 15)
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Ungjilli (Lk 16, 19-31) (fq. 1489)
Ti i gëzove të mirat e tua gjatë jetës sate, ndërsa Lazri të këqijat; tashti ky këtu gëzon e ti vuan.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, Jezusi u tha farisenjve: 19 “Ishte një njeri i pasur që vishej me cohë të kuqe e me pëlhurë të çmueshme dhe gostitej shkëlqimisht si një ditë përditë. 20 Kurse para derës së tij rrinte një skamnor, plot çibana, që quhej Lazër 21 e dëshironte të ngihej me dromcat që binin nga tryeza e pasanikut. Madje edhe qentë vinin e ia lëpinin varrët.
22 Vdiq skamnori e engjëjt e çuan në prehër të Abrahamit. Vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën. 23 Në ferr, ndër mundime të mëdha, çoi sytë e pa prej së largu Abrahamin dhe Lazrin në prehrin e tij 24 e bërtiti: ‘O atë Abraham, ki mëshirë për mua e dërgoje Lazrin ta lagë majën e gishtit të vet në ujë e të ma flladisë gjuhën se po mundohem për së tepërmi në këtë flakë.’
25 Abrahami i përgjigji: ‘Mos harro, o bir, se ti i gëzove të mirat e tua gjatë jetës sate, ndërsa Lazri të këqijat; tashti, ky këtu gëzon e ti vuan. 26 Por, për më tepër, ndërmjet nesh e jush është një humnerë e madhe, kështu që, edhe ata që do të donin të kalojnë prej këndej te ju, nuk munden, po ashtu edhe prej andej të kalojë këndej, s’mundet askush!’
27 Pasaniku vazhdoi: ‘Atëherë, po të lutem, o atë, dërgoje Lazrin në shtëpinë e tim eti, 28 se i kam pesë vëllezër e le t’i qortojë seriozisht që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh.’ 29 Abrahami iu përgjigj: ‘Kanë Moisiun e profetët, le t’i dëgjojnë ata!’ 30 Pasaniku i tha: ‘Jo, o atë Abraham, por nëse shkon ndokush prej të vdekurish tek ata, veç atëherë do të kthehen!’ 31 Iu përgjigj: ‘Nëse, vërtet, nuk e dëgjojnë Moisiun e profetët, nuk do t’u mbushet mendja edhe nëse ndokush ngjallet prej të vdekurish. ’“
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Po të lutemi, o Zot, që me anë të kësaj flije, ta shenjtërosh pendesën tonë të kreshmëve, që ushtrimit kreshmor të jashtëm t’i përgjigjet përtëritja e vërtetë e brendshme. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I KRESHMËVE – I
Kuptimi shpirtëror i Kreshmëve
39. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ti çdo vit mirësisht bën që besimtarët e tu
t’i presin me gëzim dhe me shpirt të pastruar
misteret e Pashkëve,
kështu që, duke i kryer me zell
detyrat e përshpirtërisë dhe veprat e dashurisë,
me pjesëmarrje të shumtë në misteret me të cilat u rilindën,
të arrijnë plotësinë e hirit të bijësisë në shpirt.
Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,
me frone dhe zotërues,
dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,
po këndojmë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
PREFACIONI I KRESHMËVE – II
Pendesa shpirtërore
40. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Ti ua caktove bijve të tu këtë kohë të veçantë
për të ripërtërirë pastërtinë e shpirtit
që me shpirt të lirë nga ndjenjat e çrregullta,
të angazhohen për vlerat e përkohshme
në mënyrë që t’i kërkojnë më shumë vlerat e përhershme.
Dhe prandaj, me shenjtërit dhe me të gjithë engjëjt,
të lavdërojmë duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Antifona e kungimit Ps 118, 1
Lum ata që janë të pastër në jetë, ata që ecin në ligjin e Zotit.
Lutja pas kungimit
Bëj, o Hyj që kjo fli ta vijojë në ne veprën e vet dhe fryti i saj të shtohet me bashkëveprimin tonë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Lutja mbi popull
Qëndro, o Zot, mes besimtarëve të tu të cilët kërkojnë ndihmën e hirit tënd, që të fitojnë mbrojtjen dhe sundimin tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.