Leximet e ditës

JAVA E TRETË E KRESHMEVE

 

E HËNË

 

Antifona e hyrjes Ps 83, 3

 

Shpirti im shkrihet e meket për pallatet e Zotit. Zemra ime dhe trupi im i brohorisin Hyjit të gjallë.

 

Kolekta

 

Kishën tënde, o Zot, pastroje dhe forcoje me dashurinë tënde të vazhdueshme dhe, pasi s’mund të qëndrojë pa ndihmën tënde, u drejtoftë gjithmonë prej teje. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (2 Mbr 5, 1-15a) (fq. 441/2)

 

Kishte shumë të gërbulur në Izrael dhe asnjë prej tyre nuk u pastrua përveç Naamanit Sirian.

 

Lexim prej librit të dytë të Mbretërve

 

Në ato ditë, 1 Naamani, prijësi i ushtrisë së mbretit të Sirisë, ishte njeri me rëndësi të madhe në sytë e zotërisë së vet dhe i nderuar shumë, sepse me anë të tij Zoti e kishte shpëtuar Sirinë; porse ky trim i mirë ishte i gërbulur.

2 Në një çetim që bënë disa prej Sirisë, grabitën edhe një vajzë të re nga dheu i Izraelit dhe kësaj i takoi të bëhej shërbëtore e gruas së Naamanit. 3 Kjo po i thotë zonjës së vet: “Oh, sikur t’i drejtohej imzot profetit që është në Samari! Me siguri do ta shëronte nga gërbula e tij”! 4 Naamani shkoi dhe i tha zotërisë së vet: “Kështu e kështu ka thënë një vajzë prej Izraelit”.

5 Mbreti i Aramit i tha: “Ti nisu për rrugë! Unë do t’i shkruaj mbretit të Izraelit një letër.”

Naamani u nis. Me vete mori dhjetë talenta argjend, gjashtë mijë sikla ari dhe dhjetë palë petka. 6 Ia dorëzoi letrën mbretit të Izraelit. Në të thuhej: “Posa ta marrësh këtë letër, dije se e kam dërguar shërbëtorin tim Naamanin që ta shërosh prej gërbulës së tij”. 7 Kur e lexoi letrën mbreti i Izraelit, i shqeu petkat e veta dhe tha: “A mos jam unë Zot që të mund të vras e të ngjall, që të dërgojë ky tek unë për t’ia shëruar njeriun prej gërbulës? A po shihni se s’kërkon tjetër pos rast për të m’u ngatërruar”!

8 Por kur Elizeu, njeriu i Hyjit, mori vesh se mbreti i Izraelit i kishte shqyer petkat e veta, dërgoi t’i thoshin mbretit: “Pse i shqeve petkat e tua? Le të vijë tek unë e le ta dijë se ka profet në Izrael”! 9 Naamani shkoi me kuaj e me karroca dhe zuri vend te dera e shtëpisë së Elizeut. 10 Elizeu i dërgoi një lajmëtar me këto fjalë: “Shko e lahu shtatë herë në Jordan: trupi yt do të shërohet e do të pastrohesh”.

11 Naamani u hidhërua dhe u nis duke turfulluar: “Unë mendoja se do të dilte tek unë, do të qëndronte para meje e do ta thërriste Emrin e Zotit, Hyjit të tij, mbi mua, do të ma prekte me dorën e vet vendin e gërbulës e do të më shëronte! 12 Pse a nuk janë më të mira Abana e Farfari, lumenjtë e Damaskut, se të gjitha ujërat e Izraelit për t’u larë në to e për t’u shëruar”? Dhe u kthye duke shfryrë i hidhëruar.

13 Por iu afruan shërbëtorët e tij e i thanë: “Po të të kishte urdhëruar profeti një punë të vështirë, patjetër se do ta kishe kryer; aq më tepër pasi tani të tha: ‘Lahu e do të pastrohesh’”. 14 Naamani zbriti dhe u la shtatë herë në Jordan si i kishte urdhëruar njeriu i Hyjit, iu shërua trupi i tij, iu bë si trupi i fëmijës së njomë dhe u shërua.

15 Atëherë me mbarë ndjekësorinë e vet u kthye te njeriu i Hyjit, qëndroi përpara tij e i tha: “Tani po e di se s’ka Zot në asnjë vend tjetër, përveç në Izrael!

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 42, 2.3; 43, 3.4 (42 (43) (fq. 704/5)

 

Ref. Shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë.

 

42, 2 Sikurse dreri i dëshiron

burimet e ujërave të gjalla,

po ashtu shpirti im

të dëshiron ty, o Hyj!

 

Ref. Shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë.

 

3 Shpirti im ka etje për Hyjin,

për Hyjin e gjallë:

oh, e kur do të shkoj

e do të dal para fytyrës së Hyjit?!

 

Ref. Shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë.

 

43, 3 Dërgoje dritën tënde dhe të vërtetën tënde:

ato le të më prijnë, le të më përcjellin

në malin tënd të shenjtë, në Tendën tënde.

 

Ref. Shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë.

 

4 Atëherë do të hyj te lteri i Hyjit,

tek Hyji i gëzimit të galdimit tim.

Do të galdoj, do të të këndoj me harpë,

ty, o Hyj, Hyji im!

 

Ref. Shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë.

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Shpresoj në Zotin, shpresoj në fjalën e tij, sepse mëshira e tij është e madhe. (Ps 130, 5.7)

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

Ungjilli (Lk 4, 24-30) (fq. 1465)

 

Jezusi, sikurse Elia dhe Elizeu, nuk është dërguar vetëm për Judenjtë, por për të gjithë njerëzit.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë Jezusi (filloj të thotë në sinagogë në Nazaret) : 24 Për të vërtetë po ju them: asnjë profet nuk është i mirëseardhur në vendin e vet. 25 Për të vërtetë, prapë po ju them: në kohën e Elisë profet, kur qielli u ndry për tri vjet e gjashtë muaj dhe u bë uri e madhe në mbarë dheun, ishin shumë vejusha në Izrael, 26 dhe te asnjëra ndër to nuk u dërgua Elia, përveç te vejusha në Sareptë të Sidonisë. 27 Në kohën e Elizeut profet kishte shumë të gërbulur në Izrael dhe asnjë prej tyre nuk u pastrua përveç Naamanit Sirian.”

28 Këto fjalë i mbushën me zemërim të gjithë ata që ishin në sinagogë. 29 U çuan në këmbë, e hodhën jashtë qytetit, e çuan në buzë të malit, mbi të cilin është i ndërtuar qyteti i tyre, për t’ia thyer qafën në greminë. 30 Por, ai kaloi përmes tyre e vijoi rrugën e vet.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Po ta kushtojmë, o Zot, dhuratën e shërbesës sonë: shndërroje për ne në sakrament të shpëtimit tonë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

PREFACIONI I KRESHMËVE – III

Frytet e pendesës

 

41. Ky prefacion thuhet në Meshët e ditëve të lira të Kreshmëve dhe në ditë agjërimi.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ti deshe që ne të të falënderojmë

me anën e mbajtjes së Kreshmëve

që neve mëkatarëve na e zbut krenarinë

dhe duke na nxitur t’i ndihmojmë skamnorët

na bën t’i përngjajmë dashamirësisë sate.

Dhe prandaj, po të madhërojmë bashkë me engjëjt e panumërt

duke kënduar këngën e lavdit:

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I KRESHMËVE – IV

Frytet e agjërimit

 

42. Ky prefacion thuhet në Meshët e ditëve të lira të Kreshmëve dhe në ditë agjërimi.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ti me agjërim trupor i ndrydh veset, e lartëson mendjen

dhe jep virtytet e shpërblimet,

nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Nëpër të engjëjt e lavdërojnë madhërinë tënde,

zotëruesit të adhurojnë e dridhen pushtetet.

Qiejt e fuqitë qiellore e serafinët e lumtur

bashkohen për të brohoritur me galdim.

Me ta, po të lutemi, bëj të marrin pjesë edhe zërat tanë

ndërsa përvujtërisht po themi:

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

Antifona e kungimit Ps 116, 1.2

 

Lëvdëroni Zotin, o kombe të gjitha, sepse e madhe është dashuria e tij ndaj nesh.

 

Lutja pas kungimit

 

Sakramenti i kungimit, po të lutemi, o Zot, na pastroftë prej të gjitha fajeve e na dhashtë bashkimin. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Lutja mbi popull

 

E djathta jote e ruajtë, o Zot, popullin tënd që po të lutet dhe, i pastruar, me ngushëllimin tënd të tanishëm, të mësojë të përparojë drejt të mirave të ardhshme. Nëpër Krishtin Zotin tonë.