Leximet e ditës
JAVA E TRETË E KRESHMEVE
E MARTË
Antifona e hyrjes Krh. Ps 16, 6.8
Të thirra ty, o Hyj, e më vështrove; ma prir veshin tënd e dëgjo fjalët e mia. Më ruaj, o Zot, porsi beben e syrit, më fsheh nën hijen e krahëve të tu.
Kolekta
Mos na mungoftë kurrë, o Zot, hiri yt: ai na aftësoftë për t’iu kushtuar shërbesës sate dhe na sjelltë gjithmonë ndihmën tënde. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Dan 3, 25.34-43) (fq. 1209/10)
Na prano, o Zot, me shpirt të përvuajtur.
Lexim prej librit të Danielit profet
Në ato ditë, 25 Azaria u ngrit në këmbë, u lut kështu, e duke hapur gojën në mes të zjarrit, tha: 34 Oh, mos na lësho përgjithmonë ‑ pashë emrin tënd ‑ e mos e prish besëlidhjen tënde; 35 as mos e tërhiq mëshirën tënde prej nesh, pashë Abrahamin, të dashurin tënd, pashë Izakun, shërbëtorin tënd, e pashë Izraelin, shenjtin tënd, 36 të cilëve u zotove se do t’ua shumosh farën porsi yjet e qiellit e porsi rërën që është në bregun e detit 37 sepse, o Zot, jemi pakësuar më shumë se të gjithë popujt, të përvujtëruar kudo mbi mbarë tokën në ditën e sotme për shkak të mëkateve tona! 38 Ne në këtë kohë nuk kemi princ as profet as prijës, fli shkrumbimi, therore, as kushtime as kem, as vend ku të kushtojmë ty flitë e fryteve të para që të mund të gjejmë mëshirë.
39 Por na prano zemër përgrirë e me shpirt të përvujtëruar, porsi fli shkrumbimi deshësh e mëzetërish 40 porsi mijëra qengjash të majmë e tillë le të jetë flia jonë para teje sot e përsosna ne që të vemi pas teje sepse s’do të turpërohen ata që shpresën e kanë vënë në ty.
41 Tash do të vemi pas teje me gjithë zemër, ty do të të nderojmë, fytyrën tënde do të kërkojmë. 42 Mos na turpëro, por sillu me ne sipas butësisë sate e sipas madhësisë së mëshirës sate. 43 Na shpëto me mrekullitë e tua, lavdi jepi emrit tënd, o Zot!
Fjala e Zotit
Psalmi 25 (24), 4-5ab. 6.7bc.8-9 (fq. 683)
Ref. Të bie ndër mend, o Zot, mëshira jote.
4 Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua
e m’i mëso shtigjet e tua.
5 Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso,
sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im,
në ty shpresoj gjithmonë.
Ref. Të bie ndër mend, o Zot, mëshira jote.
6 Le të bien në mend mëshirat e tua, o Zot,
dhe dashuria jote që është e amshueshme.
7 Të të bie në mend për mua sipas dashurisë sate
‑ për hir të mirësisë sate, o Zot.
Ref. Të bie ndër mend, o Zot, mëshira jote.
8 I ëmbël e i drejtë është Zoti,
mëkatarët i kthen në udhë të drejtë,
9 të përvujtëve u prin në drejtësi,
të butëve ua mëson udhën e vet.
Ref. Të bie ndër mend, o Zot, mëshira jote.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Kthehuni tek unë me gjithë zemrën tuaj, thotë Zoti, sepse unë jam i mirë e i mëshirshëm. (krh. Gal 2, 12-13)
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Ungjilli (Mt 18, 21-35) (fq. 1409/10)
Nëse s’e falni me gjithë zemër vëllanë tuaj, Ati juaj nuk do t’ju falë.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, 21 Pjetri iu afrua Jezusit dhe e pyeti: “Zotëri, nëse vëllai im gabon ndaj meje, sa herë duhet ta fal? Deri në shtatë herë?” 22 Jezusi iu përgjigj: “Nuk po të them deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë!
23 Prandaj Mbretëria e qiellit i përngjan mbretit që vendosi të rregullojë llogaritë me shërbëtorët e vet. 24 Kur filloi të bëjë llogari, i sollën njërin që i kishte detyrim dhjetë mijë talenta. 25 E, pasi nuk kishte t’ia kthente, zotëria i tij dha urdhër të shitej ai, gruaja e tij, fëmijët e tij dhe krejt pasuria e tij e të kthehej detyrimi. 26 Atëherë shërbëtori i ra ndër këmbë dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej të gjitha!’ 27 Edhe zotëria pati mëshirë ndaj atij shërbëtori, e liroi edhe ia fali detyrimin.
28 Porse, shih ky shërbëtor, duke dalë prej andej, u takua me një shok të vetin, gjithashtu shërbëtor, që i kishte detyrim njëqind denarë. Dhe, si e zuri, ia ngjiti për fyti duke i thënë: ‘Ma kthe detyrimin!’ 29 Atëherë i ra ndër këmbë shoku i tij dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej.’ 30 Por ai nuk deshi dhe shkoi e e shtiu në burg deri të kthente detyrimin.
31 Kur shërbëtorët e tjerë ‑ shokët e tij, panë se ç’ndodhi, u pikëlluan për së tepërmi, shkuan dhe e njoftuan zotërinë për krejt çka ndodhi. 32 Atëherë zotëria i tij e thirri dhe i tha: ‘Shërbëtor i keq, unë ta fala tërë borxhin, sepse m’u lute. 33 A nuk u desh që edhe ti të kishe mëshirë ndaj shokut tënd, sikurse edhe unë pata mëshirë ndaj teje?’ 34 Atëherë zotëria i tij, i hidhëruar, ua dorëzoi torturuesve derisa të kthente tërë detyrimin.
35 Kështu do të bëjë me ju edhe Ati im qiellor, nëse s’e falni me gjithë zemër secili vëllanë tuaj.”
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Bëj, po të lutemi, o Zot, që kjo fli shpëtimtare të na pastrojë prej mëkateve tona dhe të na fitojë mëshirën tënde. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I KRESHMËVE – III
Frytet e pendesës
41. Ky prefacion thuhet në Meshët e ditëve të lira të Kreshmëve dhe në ditë agjërimi.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Ti deshe që ne të të falënderojmë
me anën e mbajtjes së Kreshmëve
që neve mëkatarëve na e zbut krenarinë
dhe duke na nxitur t’i ndihmojmë skamnorët
na bën t’i përngjajmë dashamirësisë sate.
Dhe prandaj, po të madhërojmë bashkë me engjëjt e panumërt
duke kënduar këngën e lavdit:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
PREFACIONI I KRESHMËVE – IV
Frytet e agjërimit
42. Ky prefacion thuhet në Meshët e ditëve të lira të Kreshmëve dhe në ditë agjërimi.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Ti me agjërim trupor i ndrydh veset, e lartëson mendjen
dhe jep virtytet e shpërblimet,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Nëpër të engjëjt e lavdërojnë madhërinë tënde,
zotëruesit të adhurojnë e dridhen pushtetet.
Qiejt e fuqitë qiellore e serafinët e lumtur
bashkohen për të brohoritur me galdim.
Me ta, po të lutemi, bëj të marrin pjesë edhe zërat tanë
ndërsa përvujtërisht po themi:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Antifona e kungimit Krh. Ps 14, 1-2
O Zot, kush do të banojë në tendën tënde dhe kush do të pushojë në malin tënd të shenjtë? Vetëm ai që jeton me nder, që jeton me drejtësi.
Lutja pas kungimit
Na e përtëriftë jetën, o Zot, pjesëmarrja jonë e shenjtë në këtë mister dhe na dhuroftë faljen e mëkateve e mbrojtjen tënde. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Lutja mbi popull
O Hyj, krijuesi dhe drejtuesi i popullit tënd, çliroje atë nga mëkatet që e ngarkojnë, që të të pëlqejë ty gjithmonë dhe të jetë i sigurt nën mbrojtjen tënde. Nëpër Krishtin Zotin tonë.