Leximet e ditës
JAVA E TRETË E KRESHMEVE
E MËRKURË
Antifona e hyrjes Krh. Ps 118, 133
Drejtoji, o Zot, hapat e mi sipas fjalës sate, të mos më sundojë asnjë e keqe.
Kolekta
Bëj, po të lutemi, o Zot, që, të mësuar nga veprat pendestare të kreshmëve dhe të ushqyer me fjalën tënde, me përkorë dhe me gjithë zemër të të kushtohemi ty dhe të jemi gjithherë të bashkuar në lutje. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Lp 4, 1.5-9) (fq. 220)
Do t’i dëgjoni urdhërimet e do t’i kryeni ato.
Lexim prej librit të Ligjit të përtërirë
Moisiu i tha popullit: 1 “E tani, o Izrael, dëgjo urdhërimet dhe rregulloret që po ua mësoj që, duke i kryer ato, të jetoni dhe të hyni e ta bëni pronë tokën që Zoti, Hyji i etërve tuaj, do t’jua japë.
5 Ja, po ju mësoj urdhërimet e rregulloret, si më urdhëroi Zoti, Hyji im, që t’i zbatoni në tokën që do ta merrni pronë, 6 që t’i mbani e t’i vini në zbatim. Kjo do t’ju bëjë të dijshëm e të urtë në sytë e popujve. Kur t’i kenë dëgjuar të gjitha këto urdhërime, do të thonë: ’Ja, një popull i dijshëm e i kuptueshëm! Ky qenka popull madhor!’ 7 E njëmend, ku gjendet një popull tjetër aq i madhërueshëm, që t’i ketë hyjnitë e veta kaq afër vetes, sikurse është pranë nesh në të gjitha kërkesat tona Zoti, Hyji ynë?! 8 Dhe, ku ka një popull tjetër kaq të përmendur që të ketë urdhërime e rregullore të drejta, siç është i tërë ky Ligj, që unë sot po e shtroj para syve tuaj?!”
9 “Kujdes, pra, ki mendjen mirë të mos i harrosh assesi ngjarjet që i pe me sytë e tu e të mos zbehen askurrë gjatë krejt jetës sate! Mësojua fëmijëve e nipave të tu!
Fjala e Zotit
Psalmi 147, 12-13.15-16.19-20 (fq. 827)
Ref. Lavdëroje, Jerusalem Zotin.
12 Lavdëroje, Jerusalem, Zotin,
madhëroje, o Sion, Hyjin tënd!
13 Sepse i forcoi shulat e dyerve të tua,
i bekoi bijtë e tu në ty!
Ref. Lavdëroje, Jerusalem Zotin.
15 Ai e dërgon fjalën e vet mbi tokë,
lajmi i tij vrapon me shpejtësi.
16 E hedh borën porsi lesh,
e derdh brymën porsi hi.
Ref. Lavdëroje, Jerusalem Zotin.
19 Ai ia zbulon fjalën e vet Jakobit,
drejtësitë e gjyqet e veta Izraelit.
20 Nuk bëri kështu me asnjë komb tjetër:
asnjërit nuk ia zbuloi vendimet e veta.
Ref. Lavdëroje, Jerusalem Zotin.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Fjalët e tua, o Zot, janë shpirt dhe jetë; ti i ke fjalët e jetës së pasosur. (krh. Gjn 6, 63c.68c)
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Ungjilli (Mt 5, 17-19) (fq. 1388)
Ai që do t’i mbajë dhe do t’i mësojë urdhërat do të jetë i madh në Mbretërinë e qiellit.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 17 “Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer Ligjin ose Profetët! Jo, s’erdha të shlyej, por të përkryej. 18 Për të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë germë dhe asnjë presje nuk do t’i hiqet Ligjit, por do të zbatohen të gjitha.
19 Prandaj, kushdo që do ta shlyejë njërin ndër këta urdhra, qoftë edhe më të voglin, dhe do t’i mësojë njerëzit të bëjnë ashtu, do të jetë më i vogli në Mbretërinë e qiellit; ndërsa ai që do t’i mbajë dhe do t’i mësojë, do të jetë i madh në Mbretërinë e qiellit.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoji, po të lutemi, o Zot, lutjet e popullit tënd bashkë me kushtet dhe duke kremtuar misteret e tua, na mbro prej çdo rreziku. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I KRESHMËVE – III
Frytet e pendesës
41. Ky prefacion thuhet në Meshët e ditëve të lira të Kreshmëve dhe në ditë agjërimi.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Ti deshe që ne të të falënderojmë
me anën e mbajtjes së Kreshmëve
që neve mëkatarëve na e zbut krenarinë
dhe duke na nxitur t’i ndihmojmë skamnorët
na bën t’i përngjajmë dashamirësisë sate.
Dhe prandaj, po të madhërojmë bashkë me engjëjt e panumërt
duke kënduar këngën e lavdit:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
PREFACIONI I KRESHMËVE – IV
Frytet e agjërimit
42. Ky prefacion thuhet në Meshët e ditëve të lira të Kreshmëve dhe në ditë agjërimi.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Ti me agjërim trupor i ndrydh veset, e lartëson mendjen
dhe jep virtytet e shpërblimet,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Nëpër të engjëjt e lavdërojnë madhërinë tënde,
zotëruesit të adhurojnë e dridhen pushtetet.
Qiejt e fuqitë qiellore e serafinët e lumtur
bashkohen për të brohoritur me galdim.
Me ta, po të lutemi, bëj të marrin pjesë edhe zërat tanë
ndërsa përvujtërisht po themi:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Antifona e kungimit Krh. Ps 15, 11
Ti ma tregove, o Zot, udhën e jetës, gëzimin e plotë para fytyrës sate.
Lutja pas kungimit
Na shenjtëroftë, o Zot, shujta që morëm nga tryeza qiellore, na pastroftë prej gabimeve dhe na bëftë të denjë për premtimet e tua. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Lutja mbi popull
O Hyji ynë, jepi popullit tënd një vullnet që të pëlqen ty, sepse duke e bërë të aftë për shërbimin tënd, ti ia dhuron çdo të mirë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.