Leximet e ditës
JAVA E TRETË E KRESHMEVE
E ENJTE
Antifona e hyrjes
Unë jam shpëtimi i popullit, thotë Zoti. Në çdo nevojë do të më thërrasin në ndihmë: do t’i vështroj dhe do të jem Zoti i tyre për amshim.
Kolekta
Po të lutemi me përvujtëri, o Zot i mëshirshëm, sa më fort që afrohet e kremtja e shpëtimit tonë, aq më tepër rritet në ne dëshira ta kremtojmë si duhet festën e Pashkëve. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Jer 7, 23-28) (fq. 1063)
Ky është populli që nuk e dëgjon zërin e Zotit, Hyjit të vet.
Lexim prej librit të Jeremisë profet
Kështu thotë Zoti: 23 Porse unë u kam dhënë këtë urdhër: Dëgjojeni zërin tim dhe unë do të jem Hyji juaj e ju do të jeni populli im. Ecni vazhdimisht udhës që do t’ju urdhëroj që të jeni të lumë.
24 Por nuk më dëgjuan as nuk e prirën veshin e vet, por shkuan sipas ëndjeve dhe mbrapshtisë së zemrës së vet të prishur edhe ma kthyen shpinën e jo fytyrën, 25 që nga dita kur etërit tuaj dolën nga toka e Egjiptit e deri në ditën e sotme. E unë ju dërgova të gjithë shërbëtorët e mi, profetët, si një ditë përditë e me kujdes. 26 Por ata s’më dëgjuan as s’më vunë vesh dhe u bënë kokëfortë dhe vepruan edhe më zi se etërit e tyre.
27 Ti thuaju të gjitha këto fjalë, por ata s’do të dëgjojnë; do t’i thërrasësh, por ata s’do të të përgjigjen. 28 Atëherë thuaju: Ky është një popull që nuk e dëgjon zërin e Zotit, Hyjit të vet, e nuk e pranon mësimin. U zhduk besnikëria, u zhduk nga goja e tyre.
Fjala e Zotit
Psalmi 95 (94), 1-2.6-7.8-9 (fq. 768)
Ref. Dëgjojeni sot zërin e Zotit, e mos e bëni zemrën gur.
1 Ejani t’i këndojmë Zotit,
t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
2 T’i dalim para me falënderim,
t’i këndojmë këngë hareje!
Ref. Dëgjojeni sot zërin e Zotit, e mos e bëni zemrën gur.
6 Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij,
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
7 Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullotës së tij,
grigja që ai ruan.
Ref. Dëgjojeni sot zërin e Zotit, e mos e bëni zemrën gur.
8 Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
9 porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
kur etërit tuaj më vunë në sprovë:
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ref. Dëgjojeni sot zërin e Zotit, e mos e bëni zemrën gur.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Kthehuni tek unë me gjithë zemrën tuaj, thotë Zoti, sepse unë jam i mirë e i mëshirshëm. (krh. Gal 2, 12-13)
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Ungjilli (Lk 11, 14-23) (fq. 1479/80)
Kush nuk është me mua, është kundër meje.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
14 Në atë kohë Jezusi po dëbonte një djall [e ky ishte memec]. Kur djalli doli, foli memeci e populli u habit. 15 Disa prej tyre thanë: “I dëbon djajtë me ndihmën e Beelzebulit, kryetarit të djajve.” 16 Do të tjerë, pastaj, për ta vënë në provë, kërkonin prej tij një shenjë prej qiellit.
17 Por ai, duke i njohur mendimet e tyre, u tha: “Çdo mbretëri, e përçarë në vetvete, shkretohet; një shtëpi bie mbi tjetrën. 18 Po qe se djalli është i ndarë në vetvete ‑ pasi ju po thoni se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Beelzebulit ‑ si do të qëndrojë mbretëria e tij? 19 Tashti, pasi unë i dëbokam djajtë me ndihmën e Beelzebulit, bijtë tuaj, me ndihmën e kujt i dëbojnë? Prandaj, ata do të jenë gjykatësit tuaj. 20 Por, në qoftë se unë i nxjerr djajtë me pushtetin e Hyjit, atëherë me të vërtetë erdhi ndër ju Mbretëria e Hyjit!
21 Kur trimi i fortë, i armatosur mirë, e ruan pallatin e vet, mbarë pasuria e tij është e sigurt. 22 Por, kur vjen një më i fortë se ai, e mund atë, ia merr armët në të cilat shpresoi e i ndan plaçkat e tija.
23 Kush nuk është me mua, është kundër meje. Kush nuk bashkon me mua, shpërndan.”
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Po të lutemi, o Zot, na pastro nga çdo njollë mëkati, që të mund të të pëlqejnë dhuratat tona dhe pasi na premtove shpërblimet e së vërtetës sate, mos lejo të jepemi pas gëzimeve të rrejshme. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I KRESHMËVE – III
Frytet e pendesës
41. Ky prefacion thuhet në Meshët e ditëve të lira të Kreshmëve dhe në ditë agjërimi.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Ti deshe që ne të të falënderojmë
me anën e mbajtjes së Kreshmëve
që neve mëkatarëve na e zbut krenarinë
dhe duke na nxitur t’i ndihmojmë skamnorët
na bën t’i përngjajmë dashamirësisë sate.
Dhe prandaj, po të madhërojmë bashkë me engjëjt e panumërt
duke kënduar këngën e lavdit:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
PREFACIONI I KRESHMËVE – IV
Frytet e agjërimit
42. Ky prefacion thuhet në Meshët e ditëve të lira të Kreshmëve dhe në ditë agjërimi.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Ti me agjërim trupor i ndrydh veset, e lartëson mendjen
dhe jep virtytet e shpërblimet,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Nëpër të engjëjt e lavdërojnë madhërinë tënde,
zotëruesit të adhurojnë e dridhen pushtetet.
Qiejt e fuqitë qiellore e serafinët e lumtur
bashkohen për të brohoritur me galdim.
Me ta, po të lutemi, bëj të marrin pjesë edhe zërat tanë
ndërsa përvujtërisht po themi:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Antifona e kungimit Ps 118, 4-5
Ti i shpalle urdhërimet e tua që të mbahen përpikërisht. Oh, sikur të ishin të drejta udhët e mia për t’i zbatuar rregulloret e tua.
Lutja pas kungimit
O Zot, që na ushqen me kungimin e shenjtë, në mirësinë tënde na ndihmo që me sakramentet dhe me jetën tonë të pranojmë fuqinë e shpëtimit tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Lutja mbi popull
Po kërkojmë mirësinë tënde, o Zot, duke shpresuar në mëshirën tënde, që sikurse prej teje kemi marrë ekzistencën tonë, po ashtu, me hirin tënd, të marrim vullnet të mirë dhe të zbatojmë të mirën që dëshirojmë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.