Leximet e ditës

JAVA E TRETË E KRESHMEVE

 

E PREMTE

 

Antifona e hyrjes Ps 85, 8. 10

 

Nuk ka hyjni që të përngjet ty, o Zot, sepse ti je i madhërueshëm e bën mrekulli. Ti je i vetmi Hyj.

 

Kolekta

 

Ndiko, o Zot, po të lutemi, hirin tënd në zemrat tona, që gjithmonë të ruhemi nga teprimet njerëzore, e të mund të jepemi, me ndihmën tënde, pas këshillave qiellore. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Oz 14, 2-10) (fq. 1244)

 

S’do t’i thërrasim më ‘Hyji ynë!’ veprat e duarve tona.

 

Lexim prej librit të Ozesë profet

 

Kështu thotë Zoti Hyj, 2 Kthehu, o Izrael, te Zoti, Hyji yt sepse faji yt është që more në thua! 3 Bëni gati fjalët e lutjes edhe kthehuni kah Zoti e thoni: ‘Na shlyej fajet, prano të mirën që mund të bëjmë e do të kushtojmë frytin e buzëve tona. 4 Asiria s’do të na shpëtojë, kalit në shpinë nuk do t’i hipim as s’do t’i thërrasim më ‘Hyjnitë tona!’ veprat e duarve tona, sepse në ty bonjaku e gjen mëshirën.’

 5 “Do t’ua shëroj pabesnikërinë, do t’i dua me bujari, sepse m’u largua zemërimi prej tyre.

Vesë do të jem për Izraelin, porsi zambaku do të lulëzojë, si Libani do të lëshojë rrënjët. 7 Hapët e drejtë do t’i shtrijë gemat, bukurinë do të ketë të ullirit, era e tij erë e Libanit. 8 Do të vijnë të rrinë nën hijen time, do të bëjnë të përparojë gruri, porsi vreshti do të lulëzojnë, verë të përmendur si vera e Libanit.

9 Efraimi ç’ka më të përbashkët me idhuj? Unë e vështroj e kujdesem për të. Unë si bredhi gjithmonë i blertë: prej meje të vjen fryti yt!”

10 Kush është i urtë, t’i marrë vesh këto, Kush është i mençur, do t’i dijë këto! Të drejta janë rrugët e Zotit e të drejtët nëpër to ecin, ndërsa të këqijtë në to marrin në thua.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 81 (80), 6c-8a.8bc-9.10-11ab.14.17 (fq. 752)

 

Ref. O Zot, ti i ke fjalët e jetës së pasosur.

 

6 Dëgjova një zë që s’e njihja:

7 “Nga barra krahët ia çlirova,

nga duart ia hoqa shportën.

8 Në ditë të vështirë më thirre e unë të shpëtova.

 

Ref. O Zot, ti i ke fjalët e jetës së pasosur.

 

Të jam përgjigjur i fshehur në stuhi,

të vura në provë tek uji i Meribës.

9 Dëgjo, populli im, dua të të qortoj:

oh sikur të më dëgjoje, ti, o Izrael!

 

Ref. O Zot, ti i ke fjalët e jetës së pasosur.

 

10 Pranë teje tjetër zot të mos kesh,

zot të huaj mos adhuro!

11 Sepse unë Zoti jam Hyji yt,

unë që të nxora nga dheu i Egjiptit!

 

Ref. O Zot, ti i ke fjalët e jetës së pasosur.

 

12 Por populli im s’e dëgjoi zërin tim,

Izraeli nuk pati kujdes për mua.

17 Unë do t’i ushqeja me më të mirin grurë,

do t’i ngija me mjaltë të nxjerrë nga shkëmbi”.

 

Ref. O Zot, ti i ke fjalët e jetës së pasosur.

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Kthehuni, thotë Zoti, sepse mbretëria e Hyjit është ngjat. (krh. Mt 4, 17)

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

Ungjilli (Mk 12, 28b-34) (fq. 1448)

 

Zoti Hyji ynë, është një Zot i vetëm: duaje Zotin, Hyjin tënd.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

 

28 Në atë kohë, një nga skribët ju afrua Jezusit dhe e pyeti: “Cili urdhërim është i pari i të gjitha urdhërimeve?”

29 Jezusi i përgjigji: “I pari është: ‘Dëgjo, Izrael! Zoti Hyji ynë, është një Zot i vetëm. 30 Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë mendjen tënde e me gjithë fuqinë tënde!’ 31 Urdhri i dytë është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ Tjetër urdhër më të madh se këta nuk ka.”

32 Skribi u përgjigj: “Mirë fort, Mësues! U përgjigje ashtu siç është e vërteta! Ai është i Vetmi, e pos tij s’ka tjetër. 33 Të duash Atë me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë fuqi e të duash të afërmin tënd porsi vetveten, ’ vlen më shumë se të gjitha flitë e shkrumbimit e theroret.”

34 Jezusi, duke parë se u përgjigj me urti, i tha: “Nuk je larg prej Mbretërisë së Hyjit.” Dhe askush s’pati më guxim të hyjë me të në rragatje.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Priri, o Zot, sytë e tu mbi dhuratat që po t’i kushtojmë: që të të pëlqejnë ty dhe neve të na japin shpëtimin. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

PREFACIONI I KRESHMËVE – III

Frytet e pendesës

 

41. Ky prefacion thuhet në Meshët e ditëve të lira të Kreshmëve dhe në ditë agjërimi.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ti deshe që ne të të falënderojmë

me anën e mbajtjes së Kreshmëve

që neve mëkatarëve na e zbut krenarinë

dhe duke na nxitur t’i ndihmojmë skamnorët

na bën t’i përngjajmë dashamirësisë sate.

Dhe prandaj, po të madhërojmë bashkë me engjëjt e panumërt

duke kënduar këngën e lavdit:

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I KRESHMËVE – IV

Frytet e agjërimit

 

42. Ky prefacion thuhet në Meshët e ditëve të lira të Kreshmëve dhe në ditë agjërimi.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ti me agjërim trupor i ndrydh veset, e lartëson mendjen

dhe jep virtytet e shpërblimet,

nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Nëpër të engjëjt e lavdërojnë madhërinë tënde,

zotëruesit të adhurojnë e dridhen pushtetet.

Qiejt e fuqitë qiellore e serafinët e lumtur

bashkohen për të brohoritur me galdim.

Me ta, po të lutemi, bëj të marrin pjesë edhe zërat tanë

ndërsa përvujtërisht po themi:

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

Antifona e kungimit Krh. Mk 12, 33

 

Të duash Hyjin me gjithë zemër dhe të afërmin porsi vetveten, vlen më shumë se të gjitha flitë.

 

Lutja pas kungimit

 

Po të lutemi, o Zot, që veprimi i fuqisë sate të përshkojë shpirtin dhe trupin tonë, kështu që, çka morëm me kungim, ta gëzojmë me shëlbimin e plotë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Lutja mbi popull

 

Shikoji me mirësi, o Zot, besimtarët e tu që po kërkojnë mëshirën tënde, sikurse ata besojnë në bamirësinë tënde, ashtu të përhapin dhuratat e dashurisë sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë.