Leximet e ditës

JAVA E TRETË E KRESHMEVE

 

E SHTUNË

 

Antifona e hyrjes Ps 102, 2-3

 

Bekoje, shpirti im Zotin dhe i mos i harro bamirësitë e tij, ai i fal të gjitha fajësitë e tua.

 

Kolekta

 

Duke kremtuar me gëzim këto kreshme, po të lutemi, o Zot, që të përshkuar me misteret pashkore, t’i gëzojmë plotësisht frytet e tyre. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Oz 6, 1-6) (fq. 1237)

 

Dashurinë dua e jo flinë.

 

Lexim prej librit të Ozesë profet

 

1 Ejani të kthehemi te Zoti! Ai na bëri kortarë – kortarë Ai edhe do të na shërojë, na goditi, por edhe do të na shëndoshë. 2 Pas dy ditësh do të na e kthejë jetën, të tretën ditë do të na çojë në këmbë, do të jetojmë në praninë e tij. 3 Le ta njohim, le ta ndjekim për njohjen e Zotit. E sigurt si agimi ardhja e tij, do të vijë porsi shiu për ne i përshtatshëm, si shiu i vjeshtës që lag tokën.

4 Çka do të bëj për ty, o Efraim, çka do të bëj për ty, o Judë? Re mëngjesi dashuria juaj e kalon si vesa e mëngjesit. 5 Këndej i latova me anë të profetëve, i vrava me fjalë të gojës sime, gjyqi im do të lindë si drita. 6 Dashurinë dua e jo flinë, njohjen e Hyjit më se holokaustet.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 51 (50), 3-4.18-19.20-21ab (fq. 714)

 

Ref. Ti, o Zot, i pëlqen të përvuajturit në zemër.

 

3 Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate,

pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!

4 Më laj krejtësisht prej mëkatit tim

e më pastro prej fajit tim!

 

Ref. Ti, o Zot, i pëlqen të përvuajturit në zemër.

 

18 Sepse ti nuk kënaqesh në fli,

e, nëse të kushtoj fli shkrumbimi, s’të pëlqejnë.

19 Flija e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar;

ti, o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërmuar!

 

Ref. Ti, o Zot, i pëlqen të përvuajturit në zemër.

 

20 Pashë mirësinë tënde, o Zot, bëji mirë Sionit,

ndreqi përsëri muret e Jerusalemit.

21 Atëherë do t’i pranosh flitë e drejtësisë,

flitë e shkrumbimit e të gjitha kushtet.

 

Ref. Ti, o Zot, i pëlqen të përvuajturit në zemër.

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Sot mos e bëni zemrën tuaj gur por dëgjojeni zërin e Zotit. (krh. Ps 95 (94), 8ab)

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

Ungjilli (Lk 18, 9-14) (fq. 1491)

 

Tagrambledhësi u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar, e fariseu jo.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë, 9 Jezusi ju tregoi edhe këtë shëmbëlltyrë për disa që e mbanin veten të drejtë e i përbuznin tjerët: 10 “Dy njerëz u ngjitën në Tempull për t’u lutur: njëri farise e tjetri tagrambledhës.

11 Fariseu, qiri në këmbë, lutej në vetvete kështu: ‘Të falënderoj, o Hyj, që nuk jam porsi njerëzit tjerë: cuba, të padrejtë, kurorëshkelës, ose si ky tagrambledhës. 12 Agjëroj dy herë në javë, jap të dhjetën e krejt fitesës.’

13 Kurse tagrambledhësi zuri vend në fund, nuk i bëhej as sytë t’i ngrejë drejtë qiellit, por rrihte kraharorin e vet e thoshte: ‘O Hyj, ki mëshirë për mua mëkatarin!’

14 Unë po ju them: ky u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar e jo ai, sepse: kushdo krenohet, do të përvujtërohet ndërsa kush përvujtërohet, do të lartësohet.”

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

O Hyj, me hirin tënd, me zemër të pastruar, u afrohemi mistereve të tua. Bëj, po të lutemi, që me kremtimin e themelimin e tyre të ta japim ty nderimin e duhur. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

PREFACIONI I KRESHMËVE – III

Frytet e pendesës

 

41. Ky prefacion thuhet në Meshët e ditëve të lira të Kreshmëve dhe në ditë agjërimi.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ti deshe që ne të të falënderojmë

me anën e mbajtjes së Kreshmëve

që neve mëkatarëve na e zbut krenarinë

dhe duke na nxitur t’i ndihmojmë skamnorët

na bën t’i përngjajmë dashamirësisë sate.

Dhe prandaj, po të madhërojmë bashkë me engjëjt e panumërt

duke kënduar këngën e lavdit:

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I KRESHMËVE – IV

Frytet e agjërimit

 

42. Ky prefacion thuhet në Meshët e ditëve të lira të Kreshmëve dhe në ditë agjërimi.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ti me agjërim trupor i ndrydh veset, e lartëson mendjen

dhe jep virtytet e shpërblimet,

nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Nëpër të engjëjt e lavdërojnë madhërinë tënde,

zotëruesit të adhurojnë e dridhen pushtetet.

Qiejt e fuqitë qiellore e serafinët e lumtur

bashkohen për të brohoritur me galdim.

Me ta, po të lutemi, bëj të marrin pjesë edhe zërat tanë

ndërsa përvujtërisht po themi:

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

Antifona e kungimit Lk 18, 13

 

Tagrambledhësi zuri vend në fund, rrihte kraharorin e vet dhe thoshte: O Hyj, ki mëshirë për mua mëkatarin.

 

Lutja pas kungimit

 

Bëj, po të lutemi, o Hyj i mëshirshëm, t’i afrohemi me nderim të çiltër dhe ta pranojmë me zemër të pastër kungimin e shenjtë me të cilin vazhdimisht ushqehemi. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Lutja mbi popull

 

Shtrijua besimtarëve të tu, o Zot, të djathtën tënde me ndihmë qiellore, që të të kërkojnë ty me gjithë zemër dhe të meritojnë ta fitojnë atë, që denjësisht lypin. Nëpër Krishtin Zotin tonë.