Leximet e ditës
JAVA E KATËRT E KRESHMEVE
E DIEL - A
Në këtë meshë përdoret ngjyra vjollcë ose rozë. Lejohet përdorimi i veglave muzikore dhe altari mund të zbukurohet me lule.
Në këtë të diel bëhet vlerësimi i dytë përgatitor për pagëzim, për katekumenët që do të pranohen për sakramentet e fillimit të jetës së krishterë në Vigjiljen e Pashkëve, duke përdorur lutjet rituale dhe lutjet ndërmjetësuese të veçanta, fq. 816.
Antifona e hyrjes Krh. Is 66, 10-11
Gëzohu, Jerusalem, gëzohuni edhe ju që e doni; galdoni me të, të gjithë ju që qatë mbi të, që të kënaqeni dhe të ngiheni prej parzmave të ngushëllimit të tij.
Nuk thuhet Lavdi.
Kolekta
O Hyj, ti që me anën e Fjalës sate e pajton mrekullisht gjininë njerëzore. Bëj, po të lutemi, që populli i krishterë të përgatitet me nxitim, me përshpirtëri të gatshme dhe me fe të flaktë për të kremtet e ardhshme. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (1 Sam 16, 1b.4.6-7.10-13ab) (fq. 345)
Samueli e mori bririn dhe e shuguroi Davidin midis vëllezërve të tij.
Lexim prej librit të parë të Samuelit
Në ato ditë, 1 Zoti i tha Samuelit: Mbushe bririn tënd me vaj e eja të të çoj tek Jeseu betlehemas: sepse gjeta për vete mbretin ndër bijtë e tij”. 4 Samueli bëri sikurse i kishte urdhëruar Zoti dhe erdhi në Betlehem.
6 Kur hynë, Samueli e pa Eliabin e tha: “S’ka dyshim se para Zotit është i shuguruari i tij”. 7 Por Zoti i tha Samuelit: ”Mos e shiko fytyrën e tij dhe lartësinë e shtatit të tij, sepse e kam përjashtuar. Unë nuk gjykoj sipas pamjes së njerëzve: njeriu sheh çka duket përjashta, kurse Zoti vëren zemrën”.
10 Kështu Jeseu i solli shtatë djemtë e vet para Samuelit dhe Samueli i tha Jeseut: “Prej këtyre Zoti nuk ka zgjedhur asnjërin”.
11 Samueli i tha përsëri Jeseut: “A janë vetëm këta bijtë e tu”? Ai iu përgjigj: “Kam edhe një, më të voglin, është duke kullotur delet”. Samueli i tha Jeseut: “Ço e sille këtu! Nuk do ta shtrojmë bukën derisa të vijë ai këtu”. 12 Dërgoi pra, dhe e solli. Ishte kuqlosh, i bukur e i hijshëm nga pamja. Zoti i tha: “Çohu e lyeje, sepse ky është”. 13 Atëherë Samueli e mori bririn dhe e shuguroi mes vëllezërve të tij. Shpirti i Zotit e pushtoi Davidin prej asaj dite e më tutje.
Fjala e Zotit
Psalmi 23 (22), 1-3a.3b-4.5.6 (fq. 681)
Ref. Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.
1 Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.
2 Nëpër fusha të gjelbra ai më jep pushim,
më prin në ujëra të qeta,
3 shpirtin ma përtërin.
Ref. Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.
Ai më prin shtigjeve të drejta
në saje të dashurisë së Emrit të vet.
4 Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes,
s’trembem nga e keqja sepse ti je me mua:
thupra jote dhe kërraba për mua janë ngushëllim.
Ref. Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.
5 Ti ma shtron tryezën përpara
ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kryet ma lyen,
gotën ma mbush plot e përplot.
Ref. Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.
6 Hiri dhe mirësia do të më përcjellin
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit
derisa të jem gjallë.
Ref. Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.
Leximi i dytë (Ef 5, 8-14) (fq. 1651)
Ngritu nga të vdekurit, dhe do të të shndrisë Krishti!
Lexim prej letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve.
Vëllezër, 8 dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotërinë. Jetoni porsi bij të dritës. 9 Fryti i dritës është: mirësia, drejtësia, e vërteta – 10 vendosni të bëni çka i pëlqen Hyjit!
11 Mos kini pjesë në veprat e pafrytshme të errësirës, por përkundrazi, më mirë zbulojini! 12 Sepse veprat që këta njerëz i bëjnë fshehtazi është turp edhe të fliten! 13 E çdo gjë që zbulohet, del në dritën e vërtetë të vetën, 14 sepse çdo gjë që është e zbuluar, është dritë. Prandaj thotë: ‘Zgjohu ti që fle, ngrihu nga të vdekurit, dhe do të të shndrisë Krishti!’
Fjala e Zotit
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Unë jam drita e botës, thotë Zoti, kush vjen pas meje, nuk do të ecë në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës! (krh. Gjn 8, 12)
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Kur përdoret forma e shkurtër teksti në kllapa nuk lexohet.
Ungjilli (Gjn 9, 1-41) forma e shkurtër (Gjn 9, 1.6-9.13-17.34-38 (fq. 1521-1523)
I verbëri shkoi, u la dhe kur po kthehej, shihte.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Në atë kohë, 1 Jezusi duke kaluar rrugës pa një njeri të verbër, që kishte lindur i verbër. (2 Nxënësit e tij e pyetën: “Rabbi, kush mëkatoi, ky apo prindërit e tij që lindi i verbër?”
3 “Nuk mëkatoi as ky as prindërit e tij ‑ u përgjigj Jezusi ‑ por ndodhi kështu që në të të dëftohen veprat e Hyjit. 4 Derisa të jetë ditë na duhet t’i kryejmë veprat e Atij që më dërgoi Po vjen nata, kur askush s’mund të punojë. 5 Derisa të jem në botë, jam drita e botës.”
6 Si tha kështu,) pështyu në dhe, bëri baltë me pështymë, ia leu sytë me baltë 7 dhe i tha: “Shko e lahu në banjën Siloam (që do të thotë; I dërguari)”. Ai shkoi, u la dhe, kur po kthehej, shihte.
8 Fqinjët e tij dhe ata, që më parë e kishin parë duke lypur, thoshin: “Po a nuk është ky ai që rrinte e lypte?” 9 “Ai është” ‑ thoshin disa. “Jo, por është një që i përngjan atij ‑ thoshin disa të tjerë. Ai vetë thoshte: “Unë jam”.
(10 Atëherë i thanë: “Po si (atëherë) të erdhi drita e syve?” 11 Ai u përgjigj: “Njeriu që quhet Jezus, përzjeu baltë, m’i leu sytë dhe më tha: ‘Shko në Siloam dhe lahu!’ Shkova, pra, u lava dhe pashë.” 12 “Ku është ai?” ‑ i thanë. “Nuk di” ‑ u përgjigj.)
13 Atëherë e çuan atë, që përpara ishte i verbër, te farisenjtë. 14 Ajo ditë kishte qenë e shtunë, kur Jezusi përzjeu baltën dhe ia dha dritën e syve. 15 Edhe farisenjtë filluan prapë ta pyesin si e fitoi të pamit e syve. Ky u përgjigj: “Më vuri baltë në sy, unë u lava ‑ dhe, ja, tani shoh!” 16 Atëherë disa prej farisenjve thanë: “Ky njeri nuk është prej Hyjit, sepse nuk e mban të shtunën!” Por disa të tjerë thoshin: “Një mëkatar si mund të bëjë këso shenjash?” Dhe u bë përçarje ndër ta. 17 Pastaj e pyetën prapë të verbrin: “E ti, çfarë thua për atë njeri që ta dha të pamit e syve?”
“Është profet” ‑ iu përgjigj. (18 Judenjtë nuk besuan se kishte qenë vërtet i verbër dhe se iu shëruan sytë, derisa thirrën prindërit e atij që u shërua, 19 dhe i pyetën: “A është ky djali juaj, për të cilin pohoni se lindi i verbër? E si sheh tani?”
20 Atëherë prindërit e tij u përgjigjën: “E dimë se ky është djali ynë dhe se lindi i verbër. 21 Si sheh tani, nuk e dimë. As nuk dimë se kush ia shëroi sytë. Pyetni atë: është njeri i rritur, ai do t’ju tregojë për vete.” 22 Prindërit e tij folën kështu, sepse i druanin judenjtë. E njëmend, judenjtë kishin marrë vendim të përjashtohet nga sinagoga ai që Jezusin ta dëshmonte për Mesi. 23 Për këtë arsye u përgjigjën prindërit e tij: ‘I rritur është, pyetni atë!’
24 Atëherë e thirrën për së dyti atë që kishte qenë i verbër dhe i thanë: “Jepi lavdi Hyjit! Ne e dimë se ai është njeri mëkatar!” 25 “A është mëkatar ‑ u përgjigj ‑ s’e di; një gjë e di: kam qenë i verbër e tani shoh!” 26 Atëherë ata i thanë: “Çka të bëri? Si t’i shëroi sytë?” 27 “Tashti ju thashë ‑ u përgjigj ‑ e nuk më dëgjuat? Çka? Doni prapë të dëgjoni? A mos doni të bëheni edhe ju nxënësit e tij?” 28 Atëherë ata filluan ta fyejnë e i thoshin: “Ti je nxënësi i tij! Ne jemi nxënësit e Moisiut! 29 Ne e dimë se Hyji ka folur me Moisiun e për këtë nuk dimë as prej kah është!” 30 “Shih kjo gjë është e çuditshme ‑ u përgjigj njeriu ‑ ju s’dini as prej nga është, e mua më dha dritën e syve! 31 E ne e dimë fort mirë se Hyji nuk i dëgjon mëkatarët, por dëgjon atë që e nderon Hyjin dhe e kryen vullnetin e tij! 32 Që prej amshimit s’është dëgjuar se ndokush ia ka dhënë të pamit e syve të verbrit që lindi i verbër! 33 Po të mos ishte ky njeri prej Hyjit, s’do të mund të bënte asgjë!”) 34 “Që se linde, s’je tjetër veç mëkat ‑ iu përgjigjën ‑ e ti po na mëson!?” Dhe e hodhën përjashta.
35 Jezusi e mori vesh se e kishin qitur jashtë. Kur e gjeti, i tha: “A beson ti në Birin e njeriut?” 36 Ai i përgjigji: “Po kush është ai, Zotëri, që të besoj në Të?” 37 “E pe ‑ i tha Jezusi ‑ Është ai që po flet me ty!” 38 Ai tha: “Besoj, o Zot!” dhe ra përmbys para tij. (39 Jezusi i tha: “Erdha në këtë botë të bëj gjyq: që të shohin ata që janë të verbër e të verbohen ata që shohin!” 40 Disa prej farisenjve që ishin me të i dëgjuan këto fjalë dhe thanë: “Vallë, a thua se edhe ne jemi të verbër?”
41 Jezusi u përgjigji: “Po të ishit të verbër, s’do të kishit mëkat. Porse ju thoni: ‘Shohim!’ prandaj mëkati juaj mbetet.”)
Fjala e Zotit
Thuhet Besoj.
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
Duke t’u lutur me përvujtëri, me gëzim po t’i kushtojmë, o Zot, dhuratat e shërimit të amshuar dhe bëj që t’i nderojmë besnikërisht dhe të t’i kushtojmë si lypet për shpëtimin e botës. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I KRESHMËVE – II
Pendesa shpirtërore
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund Ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar:
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ai gjininë njerëzore, që ecte në errësirë,
e pruri në dritën e fesë nëpër misterin e mishërimit
dhe ata që lindnin skllevër të mëkatit të vjetër,
në saje të larjes së rilindjes, i pranoi për bij të adoptuar.
Dhe prandaj qielli dhe toka, duke të adhuruar,
po të këndojnë një këngë të re
dhe ne, me mbarë ushtritë e engjëjve,
brohorasim duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Antifona e kungimit
Kur lexohet Ungjilli i të verbërit: Krh. Gjn 9, 11.38
Zoti i leu sytë e mi. Shkova, i lava, pashë dhe besova në Hyjin.
Kur lexohet Ungjilli i djalit të humbur: Lk 15, 32
U desh të gëzohemi, biri im, sepse vëllai yt pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet.
Kur lexohet një Ungjill tjetër: Krh. Ps 121, 3-4
Jerusalem, o qytet i fortë, pothuajse i shkrirë në një. Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit, për të kremtuar emrin tënd, o Zot.
Lutja pas kungimit
O Hyj, ti që shndrit çdo njeri që vjen në këtë botë, shndriti, po të lutemi, me shkëlqimin e hirit tënd, zemrat tona, që të mund të mendojmë gjithmonë çka është e denjë dhe e pëlqyeshme për madhërinë tënde dhe të të duam me dashuri të sinqertë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Lutja mbi popull
Shikoji, o Zot, ata që të luten me përvujtëri. Janë të dobët dhe ecin në errësirën e të vdekshmëve, por ti ndriçoji gjithmonë me dritën tënde, dhe pasi të lirohen, me mëshirën tënde, nga mëkatet, bëj të fitojnë të mirat e amshuara. Nëpër Krishtin Zotin tonë.