Leximet e ditës
JAVA E KATËRT E KRESHMEVE
E HËNË
Antifona e hyrjes Krh. Ps 30, 7-8
Unë shpresën e kam në Zotin, me gëzim do t’i brohoras mirësisë sate, sepse e shikove mjerimin tim.
Kolekta
O Zot, ti që e përtërin botën me sakramente të madhërueshme, bëj, po të lutemi, që Kisha jote të përparojë drejt të mirave të amshuara dhe mos ia mungo ndihmën tënde të përkohshme. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Is 65, 17-21) (fq. 1048)
Nuk do të dëgjohet më zë vajtimi as zë dënese.
Lexim prej librit të Isaisë profet
Kështu thotë Zoti Hyj: 17 ja, unë po krijoj, qiell të ri e tokë te re, të kaluarat s’do të kujtohen, më ndër mend nuk do të bien. 18 Por do të gëzohet e do të galdohet përgjithmonë në ato që unë po krijoj: Jerusalemin do ta bëj gëzim, popullin e tij do ta bëj hare. 19 Do të galdoj mbi Jerusalem, do të kënaqem me popullin tim.
Në të më nuk do të dëgjohet zë vajtimi as zë dhënëseje. 20 Aty më s’do të ketë foshnjë që rron pak ditë, as plak që të mos ia arrijë moshës së vet, sepse djalosh do të mbahet kush të vdesë njëqind vjeç, e ai që s’i mbush njëqind vjet, do të mbahet për njeri të mallkuar. 21 Do të ndërtojnë shtëpi e do të banojnë në to, do të mbëltojnë vreshta e do t’i hanë frytet e tyre.
Fjala e Zotit
Psalmi 30 (29), 2.4.5-6.11-12a.13b (fq. 688)
Ref. Të madhëroj, o Zot, sepse më shpëtove.
2 Të madhëroj, o Zot, pse më shpëtove
e nuk lejove të ngihen armiqtë e mi mbi mua.
4 Ti, o Zot, ma nxore shpirtin nga Nëntoka,
më ktheve në jetë që të mos zbres në varr.
Ref. Të madhëroj, o Zot, sepse më shpëtove.
5 Këndoni Zotit ju, o besimtarët e tij,
falënderojeni Emrin e shenjtë të tij!
6 Sepse një çast zgjat hidhërimi i tij
e tërë jetën dashamirësia e tij!
Mbrëmja vjen me lot, e mëngjesi plot hare!
Ref. Të madhëroj, o Zot, sepse më shpëtove.
11 Më dëgjoi Zoti e pati mëshirë për mua,
Zoti u bë ndihmëtari im.
12 Ti vajin ma ktheve në valle,
ma zhgjeshe grathoren time e më ngjeshe me hare,
13 “O Zot, Hyji im, do të të lavdëroj për amshim”!
Ref. Të madhëroj, o Zot, sepse më shpëtove.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Kërkoni të mirën e jo të keqen: e atëherë do të jetoni dhe Zoti Hyj do të jetë me ju. (krh. Am 5, 14)
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Ungjilli (Gjn 4, 43-54) (fq. 1511)
Shko, djali yt është shëndosh.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Në atë kohë, 43 Jezusi u nisë (prej Samarisë) dhe shkoi në Galile. 44 Në të vërtetë Jezusi kishte thënë se profeti nuk nderohet në vendin e vet. 45 Kur arriti në Galile, galileasit e pritën mirë, sepse kishin parë se çka kishte bërë në Jerusalem në kohë të festës. Sepse edhe ata kishin qenë për festë.
46 Erdhi, pra, prapë në Kanë të Galilesë, ku e kishte shndërruar ujin në verë. Aty ishte një nëpunës i mbretit, i cili e kishte djalin të sëmurë në Kafarnaum. 47 Ky, kur mori vesh se Jezusi kishte ardhur prej Judesë në Galile, shkoi tek ai e iu lut të zbriste t’ia shëronte djalin që ishte në fill të vdekjes.
48 Jezusi i tha: “Po nuk patë shenja e mrekulli, ju nuk besoni.” 49 Nëpunësi mbretëror iu përgjigj: “Zotëri, eja para se të më vdesë fëmija.” 50 “Shko ‑ i tha Jezusi ‑ djali yt është shëndoshë!” Njeriu i besoi fjalës që i tha Jezusi dhe shkoi.
51 Ndërsa ai po zbriste, shërbëtorët e tij i dolën para dhe i thanë: “Djali yt është shëndoshë e mirë!” 52 I pyeti për kohë kur filloi të bëjë më mirë. Ata i thanë: “Dje rreth orës shtatë e lëshuan ethet!” 53 I ati e kuptoi se ajo ndodhi në atë orë, kur Jezusi i tha: “Djali yt është shëndoshë!” Dhe besoi ai e mbarë shtëpia e tij. ‘
54 Kjo ishte mrekullia e dytë që Jezusi bëri, kur u kthye prej Judesë në Galile.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Bëj, po të lutemi, o Zot, t’i fitojmë frytet e flisë së kushtuar, na pastro nga fajësia e vjetër dhe na përtërij duke u rritur në jetën qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I KRESHMËVE – III
Frytet e pendesës
41. Ky prefacion thuhet në Meshët e ditëve të lira të Kreshmëve dhe në ditë agjërimi.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Ti deshe që ne të të falënderojmë
me anën e mbajtjes së Kreshmëve
që neve mëkatarëve na e zbut krenarinë
dhe duke na nxitur t’i ndihmojmë skamnorët
na bën t’i përngjajmë dashamirësisë sate.
Dhe prandaj, po të madhërojmë bashkë me engjëjt e panumërt
duke kënduar këngën e lavdit:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
PREFACIONI I KRESHMËVE – IV
Frytet e agjërimit
42. Ky prefacion thuhet në Meshët e ditëve të lira të Kreshmëve dhe në ditë agjërimi.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Ti me agjërim trupor i ndrydh veset, e lartëson mendjen
dhe jep virtytet e shpërblimet,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Nëpër të engjëjt e lavdërojnë madhërinë tënde,
zotëruesit të adhurojnë e dridhen pushtetet.
Qiejt e fuqitë qiellore e serafinët e lumtur
bashkohen për të brohoritur me galdim.
Me ta, po të lutemi, bëj të marrin pjesë edhe zërat tanë
ndërsa përvujtërisht po themi:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Antifona e kungimit Ez 36, 27
Shpirtin tim do ta fus në ju e do të bëj që të ecni urdhërimeve të mia, e t’i zbatoni e t’i shtieni në veprim gjyqet e mia, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
Sakramenti i kungimit, o Zot, e përtëriftë dhe e shenjtëroftë jetën tonë dhe na përcjelltë për jetën e pasosur. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Lutja mbi popull
Përtërije krejtësisht, o Zot, popullin tënd dhe ti, që nuk do që gjëra trupore, të bëhen pengesë për shpirtrat tona, na forco në dëshirat tona të mira. Nëpër Krishtin Zotin tonë.