Leximet e ditës

JAVA E KATËRT E KRESHMEVE

 

E MARTË

 

Antifona e hyrjes Krh. Is 55, 1

 

Ju që jeni të etshëm, ejani tek ujët, thotë Zoti: edhe ju që nuk keni para, ejani dhe pini me gëzim!

 

Kolekta

 

Ky ushtrim kreshmor në jetën e krishterë, i përgatittë, o Zot, zemrat e besimtarëve të tu, që ta pranojnë denjësisht misterin e Pashkëve dhe t’ua shpallin vëllezërve lajmin shpëtimtar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Ez 47, 1-9.12) (fq. 1201)

 

Uji dilte nga Tempulli, dhe atje ku arrinte çdo gjë shërohej.

 

Lexim prej librit të Ezekielit profet

 

1 Atëherë engjëlli më ktheu te hyrja e Tempullit dhe, ja, buronte ujët nën pragun e Tempullit në lindje, sepse ballaniku i Tempullit ishte në krahun e lindjes, kurse ujët rridhte nën krahun e djathtë të Tempullit, në anën jugore të lterit. 2 Atëherë më priu në derën e veriut e më priu rreth e rrotull përjashta në daljen e jashtme që shikon nga lindja: dhe, ja, uji buronte në krahun e djathtë!

3 Kur njeriu doli në drejtim të lindjes me litar në dorë mati një mijë kute. Më bëri të kaloj nëpër ujë: ujët më arrinte deri në nyje të këmbës. 4 Prapë mati një mijë kute. Më bëri të kaloj ujët: ujët më arrinte deri në gju. 5 Mati edhe një mijë e më bëri të kaloj ujin: ujët më arrinte deri në ijë. Mati edhe një mijë: u bë një përrua që s’mund ta kaloja, sepse ujët u çua e duhej të kalohej not: ishte përrua që nuk mund të kalohej këmbë. 6 Atëherë më tha: “A po sheh, biri i njeriut!”, dhe më ktheu në brigjet e përroit. 7 Posa u ktheva, kur qe, në brigje, në të dy anët, shumë lëndë!

8 E më tha: “Ky ujë rrjedh në krahinën e lindjes, zbret në Arabë e derdhet në det: në ujë të kripur dhe e shëron ujët. 9 Çdo gjë e gjallë, që lëviz, kudo të arrijë burimi, do të jetojë; do të ketë shumë peshq, sepse, kudo që arrin ky ujë, gjithçka përtërihet në jetë e shërohet kudo kalon ky përrua. 12 Përmbi përrua, në të dy anët, në brigjet e tij, do të rritet çdo lloj peme: gjethet s’do t’u bien e frutat nuk do t’u mungojnë: çdo muaj do të japin fruta të reja, sepse ujët u vjen nga Shenjtërorja. Frutat do t’u jenë për ushqim e gjethet do të përdoren për barna.”

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 46 (45), 2-3.5-6.8-9 (fq. 709)

 

Ref. Na shëlbo, o Zot, me praninë tënde.

 

2 Hyji është për ne strehim dhe fuqi,

ndihmë gjithherë e gatshme në çdo vështirësi.

3 Prandaj as s’do të trembemi edhe nëse lëkundet toka

dhe nëse malet do të kapërdihen nga deti!

 

Ref. Na shëlbo, o Zot, me praninë tënde.

 

5 Rrëketë e lumit do ta gëzojnë qytetin e Hyjit,

tendat e shenjta të të Lartit Zot.

6 Hyji është brenda nuk do të trandet askurrë,

Hyji i ndihmon herët në agim.

 

Ref. Na shëlbo, o Zot, me praninë tënde.

 

8 Zoti i Ushtrive është me ne,

strehimi ynë, Hyji i Jakobit!

9 Ejani e shikoni veprat e Zotit

mrekullitë që i bëri ai përmbi dhe!

 

Ref. Na shëlbo, o Zot, me praninë tënde.

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër, ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd. (Ps 51 (50) 12a.14a)

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

Ungjilli (Gjn 5, 1-16) (fq. 1512)

 

Përnjëherë ai njeri u shëndosh.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

 

1 Mbas do kohe ishte festa e judenjve dhe Jezusi u ngjit në Jerusalem. 2 Në Jerusalem, te Dera e dhenve, është një ndërtesë banje, që hebraisht quhet Betsata. Ajo ka pesë treme. 3 Nën to rrinin të shtrirë shumë të sëmurë të verbër, të çalë dhe të marrë gjymtyrësh.

5 Aty ishte një njeri që ishte i sëmurë tash tridhjetë e tetë vjet. 6 Jezusi, kur e pa ashtu ratë e kur e mori vesh se është për një kohë të gjatë në atë gjendje, i tha: “A dëshiron të shërohesh?” 7 “Zotëri iu përgjigj i sëmuri nuk kam njeri që, kur të tundet uji, të më shtjerë në banjë e, derisa unë ulem, një tjetër zbret para meje.” 8 “Çohu i tha Jezusi merre shtrojën tënde dhe ec!” 9 Ai njeri u shëndosh përnjëherë, mori shtrojën e vet dhe ecte.

Ajo ditë ishte e shtunë. 10 Prandaj judenjtë i thoshin të shëruarit: “Është e shtunë! Nuk ke leje ta mbartësh shtratin tënd!” 11 Ai u përgjigji: “Ai që më shëroi, më tha: ‘Merre shtrojën tënde dhe ec!’“ 12 Ata e pyetën: “Kush është ai njeri që të tha: ‘Merre dhe ec?’“ 13 Por, i shëruari nuk e dinte kush është, sepse Jezusi u zhduk në popullin që gjendej aty. 14 Më vonë Jezusi e gjeti në Tempull dhe i tha: “Ja, u shërove! Mos mëkato më, që të mos të gjejë ndonjë e zezë më e madhe!” 15 Ai njeri shkoi te judenjtë dhe u tha se Jezusi ishte ai që e shëroi. 16 Prandaj judenjtë zunë ta sulmojnë Jezusin, sepse bënte vepra të tilla ditën e shtunë.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Po ta kushtojmë, o Zot, dhuratën që ti na e fale si dëshmi të kujdesit tënd për jetën tonë tokësore, që të na bëhet burim për jetën e pasosur. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

PREFACIONI I KRESHMËVE – III

Frytet e pendesës

 

41. Ky prefacion thuhet në Meshët e ditëve të lira të Kreshmëve dhe në ditë agjërimi.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ti deshe që ne të të falënderojmë

me anën e mbajtjes së Kreshmëve

që neve mëkatarëve na e zbut krenarinë

dhe duke na nxitur t’i ndihmojmë skamnorët

na bën t’i përngjajmë dashamirësisë sate.

Dhe prandaj, po të madhërojmë bashkë me engjëjt e panumërt

duke kënduar këngën e lavdit:

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I KRESHMËVE – IV

Frytet e agjërimit

 

42. Ky prefacion thuhet në Meshët e ditëve të lira të Kreshmëve dhe në ditë agjërimi.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ti me agjërim trupor i ndrydh veset, e lartëson mendjen

dhe jep virtytet e shpërblimet,

nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Nëpër të engjëjt e lavdërojnë madhërinë tënde,

zotëruesit të adhurojnë e dridhen pushtetet.

Qiejt e fuqitë qiellore e serafinët e lumtur

bashkohen për të brohoritur me galdim.

Me ta, po të lutemi, bëj të marrin pjesë edhe zërat tanë

ndërsa përvujtërisht po themi:

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 22, 1-2

 

Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon, më mballon kullotave të gjelbëra, më prin në ujëra të qeta.

 

Lutja pas kungimit

 

Pastroje, o Zot, dhe përtërije shpirtin tonë me sakramente qiellore, që të meritojmë ndihmën tënde për jetën e tanishme dhe të ardhshmen. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Lutja mbi popull

 

Bëj, o Hyj i mëshirshëm, që populli yt të jetë gjithmonë i devotshëm ndaj teje dhe të pranojë vazhdimisht prej mirësisë sate çka është në dobinë e tij. Nëpër Krishtin Zotin tonë.