Leximet e ditës

JAVA E KATËRT E KRESHMEVE

 

E PREMTE

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 53, 3-4

 

Më shpëto, o Hyj, pash emrin tënd dhe me fuqinë tënde më liro. Dëgjoje, o Hyj lutjen time dhe vështroji fjalët e gojës sime.

 

Kolekta

 

O Hyj, ti që ligështisë sonë i përgatite ndihma të përshtatshme. Bëj, po të lutemi, t’i pranojmë me gëzim frytet e shëlbimit dhe t’i dëshmojmë me një jetë të shenjtë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Urt 2, 1a.12-22) (fq. 887/8)

Të dënojmë të drejtin me vdekje të turpshme.

 

Lexim prej librit të Urtisë

 

Të paudhët 1 duke llogaritur gabimisht thonë: 12 T’i vëmë pritë të drejtit, sepse na pengon dhe u kundërshton veprave tona, sepse na qorton për mëkatet kundër ligjit e na i përplas në sy mungesat e edukatës që kemi marrë. 13 Ai shpall se e ka njohjen e Hyjit dhe veten e quan bir të Hyjit. 14 Ai është bërë një qortim i gjallë për mendimet tona, barrë na bëhet posa e shikojmë. 15 Jeta e tij ndryshon nga jeta e të tjerëve, sjellja e tij është krejtësisht e ndryshme. 16 Monedhë e rreme prej tij mbahemi dhe u shmanget udhëve tona sikurse ndyrësisë; fatin e fundit të të drejtit e çmon të lumtur dhe mburret se Hyjin e ka babë. 17 Të shikojmë a janë fjalët e tija të vërteta dhe të shqyrtojmë çfarë mbarimi do të ketë: 18 nëse i drejti është vërtet bir i Hyjit, Ai patjetër do ta ketë kujdes dhe do ta shpëtojë nga duart e kundërshtarëve. 19 Ta vëmë në sprovë me fyerje e me mundime e ta shohim butësinë e sedrës së tij, ta sprovojmë durimin e tij. 20 Ta dënojmë me vdekje të turpshme: sepse, siç thotë ai, shpëtimi do t’i vijë”!

21 Kështu mendojnë të patenzonët, por gabojnë, i verboi paudhësia e tyre, 22 nuk i njohin fshehtësitë e Hyjit, nuk e presin shpërblimin për shenjtëri dhe nuk besojnë në shpërblimin e shpirtrave të pastër.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 34 (33), 17-18.19-20.21.23 (fq. 693)

 

Ref. Zoti është afër atij që e ka zemrën e thyer.

 

17 Fytyra e Zotit është kundër bakëqijve

për ta zhdukur prej dheut kujtimin e tyre.

18 Klithin të drejtët, Zoti i dëgjon,

i liron prej të gjitha vështirësive të tyre.

 

Ref. Zoti është afër atij që e ka zemrën e thyer.

 

19 Zoti është ngjat atyre që pendohen me zemër,

i shpëton shpirtpërgrirët.

20 Sado të vështira të ketë i drejti,

prej të gjithave do ta shpëtojë Zoti.

 

Ref. Zoti është afër atij që e ka zemrën e thyer.

 

21 Zoti i ruan eshtrat e tyre:

asnjë prej tyre nuk do t’u thyhet.

23 Zoti e shpaguan shpirtin e shërbëtorëve të vet,

nuk do të ndëshkohen ata që shpresojnë në të.

 

Ref. Zoti është afër atij që e ka zemrën e thyer.

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit. (Mt 4, 4b)

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

Ungjilli (Gjn 7, 1-2.10.25-30) (fq. 1516/7)

 

Kërkonin ta zënin, por ende nuk kish’ ardhur koha e tij.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

 

1 Në Atë kohë Jezusi vazhdoi të përshkojë Galilenë. Nuk donte të shkojë në Jude, sepse judenjtë e kërkonin për ta vrarë.

2 Ishte afruar festa e judenjve, ajo e Tëbanave. 10 Pasi shkuan vëllezërit e tij në festë, shkoi edhe ai, jo ballafaqe, por si fshehtazi.

25 Atëherë disa jerusalemas thanë: “Po a nuk është ky ai që kërkojnë ta vrasin? 26 E qe, ky po flet ballafaqe dhe askush s’po i thotë gjë! A thua mos pranuan edhe krerët se është Mesia? 27 Por këtë e dimë se prej nga është e, kur të vijë Krishti, askush s’do ta dijë se nga është.” 28 Atëherë Jezusi, që po mësonte në Tempull, foli me zë të lartë: “Po, ju më njihni dhe e dini se nga jam! E pra, unë nuk erdha prej vetvetes: por është Një i Vërtetë që më dërgoi, të cilin ju s’e njihni. 29 Unë e njoh Atë, sepse jam prej tij dhe Ai më dërgoi.”

30 Qysh atëherë kërkonin ta zënë, por askush s’vuri dorë mbi të, sepse ende nuk kish ardhur koha e tij.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Na pastroftë, o Zot, fuqia e kësaj flie, kështu që përherë e më të pastër të arrijmë te themeluesi i saj. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

PREFACIONI I KRESHMËVE – III

Frytet e pendesës

 

41. Ky prefacion thuhet në Meshët e ditëve të lira të Kreshmëve dhe në ditë agjërimi.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ti deshe që ne të të falënderojmë

me anën e mbajtjes së Kreshmëve

që neve mëkatarëve na e zbut krenarinë

dhe duke na nxitur t’i ndihmojmë skamnorët

na bën t’i përngjajmë dashamirësisë sate.

Dhe prandaj, po të madhërojmë bashkë me engjëjt e panumërt

duke kënduar këngën e lavdit:

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I KRESHMËVE – IV

Frytet e agjërimit

 

42. Ky prefacion thuhet në Meshët e ditëve të lira të Kreshmëve dhe në ditë agjërimi.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ti me agjërim trupor i ndrydh veset, e lartëson mendjen

dhe jep virtytet e shpërblimet,

nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Nëpër të engjëjt e lavdërojnë madhërinë tënde,

zotëruesit të adhurojnë e dridhen pushtetet.

Qiejt e fuqitë qiellore e serafinët e lumtur

bashkohen për të brohoritur me galdim.

Me ta, po të lutemi, bëj të marrin pjesë edhe zërat tanë

ndërsa përvujtërisht po themi:

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

Antifona e kungimit Ef 1, 7

 

Në Krishtin, në saje të gjakut të tij, e fituam shëlbimin, në të na u falën fajet me anë të begatisë së hirit të tij.

 

Lutja pas kungimit

 

Po të lutemi, o Zot, që, sikurse kalojmë prej gjërave të shkuara në të rejat, ashtu ta flakim vjetërsinë e mëkatit e të përtërihemi të shenjtëruar në shpirt. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Lutja mbi popull

 

Priri sytë e tu, o Zot, mbi besimtarët e tu dhe në mirësinë tënde mbroji ata që shpresojnë në mëshirën tënde. Nëpër Krishtin Zotin tonë.