Leximet e ditës

JAVA E KATËRT E KRESHMEVE

 

E SHTUNË

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 17, 5.7

 

Më rrethuan valët e vdekjes, më tmerruan përrenjtë e nëntokës, në ngushtimin tim e thirra Zotin dhe nga tempulli i vet e dëgjoi zërin tim.

 

Kolekta

 

Po të lutemi, o Zot, që mëshira jote t’i drejtojë zemrat tona, sepse pa ty ne nuk mund të të pëlqejmë ty. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Jer 11, 18-20) (fq. 1069)

 

Unë isha si qengji i butë që e çojnë për ta prerë.

 

Lexim prej librit të Jeremisë profet

 

18 Ti, o Zot, më tregove dhe unë mora vesh; atëherë m’i dëftove synimet e tyre. 19 Unë isha si qengji i butë që e çojnë për t’a prerë; nuk dija se ata kishin synime të mbrapshta kundër meje: “Ta presim drurin në fuqinë e tij të plotë, ta çrrënjosim nga toka e të gjallëve dhe emri i tij s’do të përmendet më.”

20 O Zoti i Ushtrive, gjykatës i drejtë, që i shqyrton veshkat e zemrat, bëj të shoh si hakmerresh, sepse ty ta kam besuar çështjen time.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 7, 2-3.9bc-10.11-12 (fq. 664)

 

Ref. Në ty, o Zot, gjeta strehim!

 

2 Ndore tënde, o Zot, Hyji im!

Më shpëto prej të gjithë salvuesve të mi e më liro

3 që të mos ma rrëmbejnë shpirtin porsi luani

që shqyen kur s’ka kush të shpëtojë!

 

Ref. Në ty, o Zot, gjeta strehim!

 

Më gjyko, o Zot, sipas drejtësisë sime,

dhe sipas pafajësisë sime.

10 Le të zhduket fajësia e mëkatarëve,

lart ngrite të drejtin, Hyji i drejtë,

që shqyrton zemrat e veshkat!

 

Ref. Në ty, o Zot, gjeta strehim!

 

11 Mburoja ime është në Hyjin

që i shpëton zemërdrejtët.

12 Hyji është gjykatës i drejtë,

i fortë e që zemërohet çdo ditë.

 

Ref. Në ty, o Zot, gjeta strehim!

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Lum ata që e dëgjojnë Fjalën e Zotit dhe e ruajnë në zemër të mirë e bujare dhe japin fryt me qëndrueshmëri. (Lk 8, 15)

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

Ungjilli (Gjn 7, 40-53) (fq. 1518)

 

Vallë, a prej Galilesë do të dalë Mesia?

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

 

40 Disa prej popullit, kur i dëgjuan këto fjalë të Jezusit, thoshin: “Ky është me të vërtetë Profeti!” 41 Të tjerë thoshin: “Ky është Mesia!” Prapë disa të tjerë thoshin: “Vallë, a prej Galilesë do të dalë Mesia? 42 Po a nuk thotë Shkrimi i shenjtë se Mesia vjen nga pasardhësit e Davidit, mu nga Betlehemi, prej vendit nga ishte Davidi?” 43 Kështu u bë përçarje në popull për shkak të tij.

44 Disa deshën edhe ta kapin, por prapë askush s’vuri dorë në të. 45 U kthyen, pra, rojtarët te kryepriftërinjtë e te farisenjtë dhe këta u thanë: “Pse nuk e sollët?” 46 Rojtarët përgjigjën: “Askurrë askush s’ka folur si ky njeri!” 47 Atëherë farisenjtë u përgjigjën: “Po a mos u mashtruat edhe ju? 48 Pse, a është ndokush prej anëtarëve të Këshillit apo prej farisenjve që besoi në të? 49 Por veç, kjo vegjëli që s’e njeh Ligjin qoftë mallkuar!”

50 U tha njëri prej tyre, Nikodemi ai që më parë pati qenë te Jezusi: 51 “Ligji ynë a thua dënon ndokënd para se ta marrë në pyetje, para se ta dijë se çka bën?” 52 Ata iu përgjigjën: “A mos je edhe ti prej Galileje? Hulumto e do të shohësh se prej Galileje nuk ngritet profet!” 53 Dhe se cili shkoi në shtëpinë e vet.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji, o Zot, kushtesat tona dhe, në saje të tyre, na pajto me ty dhe ktheji te ti vullnetet tona, edhe pse kundërshtare. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

PREFACIONI I KRESHMËVE – III

Frytet e pendesës

 

41. Ky prefacion thuhet në Meshët e ditëve të lira të Kreshmëve dhe në ditë agjërimi.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ti deshe që ne të të falënderojmë

me anën e mbajtjes së Kreshmëve

që neve mëkatarëve na e zbut krenarinë

dhe duke na nxitur t’i ndihmojmë skamnorët

na bën t’i përngjajmë dashamirësisë sate.

Dhe prandaj, po të madhërojmë bashkë me engjëjt e panumërt

duke kënduar këngën e lavdit:

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I KRESHMËVE – IV

Frytet e agjërimit

 

42. Ky prefacion thuhet në Meshët e ditëve të lira të Kreshmëve dhe në ditë agjërimi.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ti me agjërim trupor i ndrydh veset, e lartëson mendjen

dhe jep virtytet e shpërblimet,

nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Nëpër të engjëjt e lavdërojnë madhërinë tënde,

zotëruesit të adhurojnë e dridhen pushtetet.

Qiejt e fuqitë qiellore e serafinët e lumtur

bashkohen për të brohoritur me galdim.

Me ta, po të lutemi, bëj të marrin pjesë edhe zërat tanë

ndërsa përvujtërisht po themi:

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

Antifona e kungimit 1 Pjt 1, 18-19

 

Kemi qenë shëlbuar me gjak të paçmueshëm të Krishtit, Qengjit të patëmetë dhe të panjollë.

 

Lutja pas kungimit

 

Na pastrofshin, o Zot, sakramentet e tua dhe veprimi i tyre na bëftë të aftë të jetojmë sipas vullnetit tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Lutja mbi popull

 

Shikoje, o Zot, popullin tënd, që po përgatitet për kremtimet e ardhshme dhe shoqëroje me hirin tënd qiellor, që, i ndihmuar me mjete të dukshme, të nxitet drejt të mirave të padukshme. Nëpër Krishtin Zotin tonë.