Leximet e ditës
JAVA E PESTË E KRESHMEVE
E DIEL - A
Dokja e mbulimit të kryqit dhe të figurave në kishë, që nga kjo e diel, mund të ruhet, sipas vendimit të Konferencës Ipeshkvore. Kryqet rrinë të mbuluar deri sa të kryhet kremtimi i Mundimeve të Zotit, të Premten e Madhe, ndërsa figurat deri në fillim të Vigjiljes së Pashkëve.
Në këtë të diel bëhet vlerësimi i tretë përgatitor për pagëzim, për katekumenët që do të pranohen për sakramentet e fillimit të jetës së krishterë në Vigjiljen e Pashkëve, duke përdorur lutjet rituale dhe lutjet ndërmjetësuese të veçanta, fq. 817.
Antifona e hyrjes Krh. Ps 42, 1-2
Më gjyko, o Hyj, mbroje çështjen time prej gjindes së pafe, më shpëto prej njeriut të keq dhe dinak, sepse ti je Hyji im dhe mburoja ime.
Nuk thuhet Lavdi.
Kolekta
Po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, të mund të jetojmë e të veprojmë gjithherë me atë dashuri, që e shtyri Birin tënd ta japë jetën për ne. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Ez 37, 12-14) (fq. 1189)
Do t’jua jap shpirtin tim dhe ju do ta rifitoni jetën.
Lexim prej librit të Ezekielit profet
12 Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë do t’i hap varret tuaja dhe do t’ju nxjerr nga varret tuaja, o populli im, dhe do t’ju shtie në tokën e Izraelit. 13 Do ta dini se unë jam Zoti kur t’i kem hapur varret tuaja e t’ju kem nxjerrë nga varret tuaja, o populli im! 14 Do t’jua jap shpirtin tim dhe ju do ta rifitoni jetën dhe do t’ju vendos në tokën tuaj. Ju do ta dini se unë jam Zoti. Çka them unë, atë edhe e bëj ‑ thotë Zoti Hyj.”
Fjala e Zotit
Psalmi 130 (129), 1-2.3-4.5-6.7-8 (fq. 811)
Ref. Zoti është butësia dhe mëshira.
1Prej humnerës klitha tek ti, o Zot,
2 o Zot, dëgjoje britmën time!
Le ta dëgjojnë veshët e tu,
zërin e lutjes sime.
Ref. Zoti është butësia dhe mëshira.
3 Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot,
O Zot, e kush do të qëndrojë para teje?
4 Por tek ti gjendet falja
që të dimë të të druajmë.
Ref. Zoti është butësia dhe mëshira.
5 Shpresoj në ty, o Zot,
shpirti im shpreson në premtimin e tij.
E pret 6 shpirti im Zotin
më tepër se rojtarët agimin.
Ref. Zoti është butësia dhe mëshira.
7 Le të shpresojë Izraeli në Zotin,
sepse te Zoti është mëshira
dhe i madh është tek Ai shpërblimi.
8 Ai do ta nxjerrë Izraelin
prej të gjitha paudhësive të tija.
Ref. Zoti është butësia dhe mëshira.
Leximi i dytë (Rom 8, 8-11) (fq. 1597)
Shpirti i Atij që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin banon në ju.
Lexim prej letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve.
Vëllezër, 8 ata që jetojnë nën ndikimin e trupit, nuk mund t’i pëlqejnë Hyjit. 9 Ju nuk jeni nën ndikimin e mishit, por nën atë të Shpirtit Shenjt, në qoftë se Shpirti i Hyjit banon në ju. Nëse ndokush nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Atij.
10 E nëse Krishti është në ju, trupi është patjetër i vdekur për shkak të mëkatit e Shpirti është jetë për shkak të drejtësisë. 11 Nëse Shpirti i Atij që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin banon në ju, atëherë Ai që ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t’i japë jetë edhe trupit tuaj të vdekshëm me anë të Shpirtit të vet që banon në ju.
Fjala e Zotit
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Unë jam Ringjallja dhe Jeta, thotë Zoti, kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë. (Lk 14, 11)
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Kur përdoret forma e shkurtër teksti në kllapa nuk lexohet.
Ungjilli (Gjn 11, 1-45) forma e shkurtër (Gjn 11, 3-7.17.20-27.33-45) (fq. 1525/6)
Unë jam Ringjallja dhe Jeta.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
(1 Asohere ishte i sëmurë një farë Lazri nga Betania, prej fshatit të Marisë e të motrës së saj, Martës. 2 Maria ishte ajo, që e pati përeruar Zotërinë me erëra të mira dhe ia pati fshirë këmbët me flokët e saj. Pra, vëllai i saj, Lazri, ishte sëmurë. 3 Prandaj motrat i çuan fjalë:) “Zotëri, ai që ti e do është i sëmurë.”
4 Jezusi, kur dëgjoi, tha: “Kjo sëmundje nuk është për vdekje, por për lavdi të Hyjit, që të nderohet në saje të saj Biri i Hyjit.” 5 Jezusi e kishte fort për zemër Martën, motrën e saj dhe Lazrin. 6 Megjithatë, kur mori vesh për sëmundjen e tij, u ndal edhe dy ditë në atë vend ku ndodhi. 7 Veç atëherë u tha nxënësve: “Ejani të shkojmë prapë në Jude.” (8 Nxënësit i thanë: “Mësues! Tani judenjtë deshën të të vrasin me gurë e ti përsëri do të kthehesh atje?” 9 Jezusi u përgjigji: “Vallë, a nuk i ka dita dymbëdhjetë orë? Kush ecën ditën, nuk merr në thua, sepse e sheh dritën e kësaj bote. 10 Kush ecën natën, merr në thua, sepse nuk ka dritë në të.” 11 U tha kështu, pastaj shtoi: “Lazri, dashamiri ynë fle, por po shkoj ta zgjoj.” 12 Atëherë, nxënësit e tij i thanë: “Zotëri, nëse fle, do të shërohet!”
13 Jezusi u foli për vdekjen e tij, kurse ata menduan se e kishte për gjumë të rëndomtë. 14 Atëherë Jezusi u tha haptas: “Lazri ka vdekur! 15 Jam i kënaqur pse s’ndodha atje, shi për ju ‑ që të besoni! Por, ejani të shkojmë tek ai!” 16 Atëherë Toma, i quajtur Binjak, u tha bashkënxënësve: “Të shkojmë edhe ne të vdesim bashkë me të!”) 17 Kur, pra, Jezusi arriti, mori vesh se ai ishte varrosur para katër ditësh.
(18 Betania ishte afër Jerusalemit diku rreth pesëmbëdhjetë stadje. 19 Shumë judenj kishin ardhur te Marta e Maria për t’i ngushëlluar për vëllain e tyre.) 20 Kur Marta mori vesh se po vinte Jezusi, i doli para, kurse Maria ndenji në shtëpi. 21 Atëherë Marta i tha Jezusit: “Zotëri, të kishe qenë ti këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur. 22 Por edhe tani e di se çkado që të lypësh prej Hyjit, Hyji do të ta japë.” 23 “Do të ngjallet vëllai yt!” ‑ i tha Jezusi. 24 “E di se do të ngjallet ‑ iu përgjigj Marta ‑ në ringjallje ‑ Ditën e fundit.” 25 Jezusi iu përgjigj: “Unë jam Ringjallja dhe Jeta: kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë. 26 Edhe kush jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë. A e beson ti këtë?” 27 Marta i përgjigji: “Po, Zotëri! Unë besoj se ti je Mesia, Biri i Hyjit ‑ ai që duhej të vijë në botë!” (28 Si tha kështu, shkoi dhe thirri Marinë, motrën e vet dhe i tha lehtë: “Mësuesi është këtu dhe të thërret.” 29 Kjo, posa dëgjoi, u çua vrap e shkoi tek ai. 30 Jezusi ende nuk kishte hyrë në fshat, por deri atëherë qëndroi atje, ku e kishte ndeshur Marta. 31 Tashti judenjtë që ishin me Marinë në shtëpinë e saj dhe po e ngushëllonin, kur panë se si u çua me të shpejtë dhe doli përjashta, shkuan pas saj të bindur se po shkonte te varri për të qarë. 32 Maria, kur arriti atje, ku ishte Jezusi e, kur e pa, ra përmbys para tij dhe i tha: “Zotëri, të kishe qenë ti këtu, im vëlla s’do të kishte vdekur!”)
33 Jezusi, (kur pa duke qarë atë dhe se po qanin edhe judenjtë, që po e përcillnin,) u trand në shpirt, u turbullua 34 dhe pyeti: “Ku e keni vënë?” “Zotëri, eja e shih!” ‑ i përgjigjën. 35 E Jezusit i ngufi vaji. 36 Atëherë judenjtë thanë: “Shih, sa e ka dashur!” 37 Disa prej tyre thanë: “A thua ky, që i dha dritën e syve të verbrit, nuk mundi të bëjë që ky të mos vdiste?”
38 Mandej Jezusi, përsëri i tronditur, arriti te varri. Ishte shpellë e grykën ia kishin zënë me një gur. 39 Jezusi tha: “Hiqeni gurin!” Marta, motra e të ndjerit, i tha: “Zotëri, tashmë ka marrë erë! Vdiq, që, katër ditë!” 40 “A nuk të thashë ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ nëse do të besosh, do ta shohësh lavdinë e Hyjit?” 41 E hoqën, pra, gurin. Jezusi i çoi sytë kah qielli dhe tha: “O Atë, të falënderoj që ma dëgjove uratën. 42 Unë e dija se gjithmonë më dëgjon, por thashë kështu për shkak të popullit që më rrethon: që të besojnë se Ti më dërgove.” 43 Si foli kështu, thirri me zë të madh: “Lazër, dil jashtë!” 44 Dhe, ai që pati vdekur, doli jashtë i lidhur duarsh e këmbësh me rripa pëlhure. Fytyrën e kishte të mbështjellë me rizë. Jezusi u tha: “Zgjidheni dhe lëreni të ecë!”
45 Atëherë shumë judenj që kishin ardhur te Maria, kur panë çka bëri Jezusi, besuan në të.)
Fjala e Zotit
Thuhet Besoj.
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
Na vështro, o Hyj i gjithëpushtetshëm dhe bëj që shërbëtorët e tu, të cilëve u dhe dijen e fesë së krishterë, t’i pastrojë vepra e kësaj flije. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Kur nuk lexohet Ungjilli mbi Lazrin, thuhet prefacioni i Kreshmëve I ose II.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund Ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar:
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ai, si njeri i vërtetë, e qau mikun e vet Lazrin
dhe si Hyj i amshuar, e ngjalli nga varri.
Ai, në mëshirën e vet për gjininë njerëzore,
me mistere të shenjta na jep jetën e re.
Nëpër të e adhurojnë madhërinë tënde fuqitë engjëllore
që për amshim galdojnë në praninë e fytyrës sate.
Me ta, po të lutemi, bëj të marrin pjesë edhe zërat tanë,
që, të shoqëruar në galdim, po themi:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Antifona e kungimit Gjn 11, 26
Kur lexohet Ungjilli mbi Lazrin
Kush jeton dhe beson në mua, nuk do të vdesë kurrë, thotë Zoti.
Kur lexohet Ungjilli mbi gruan kurorëthyerse Gjn 8, 10-11
O grua, askush nuk të dënoi? Askush, Zotëri. As unë nuk po të dënoj, por që tani e tutje mos mëkato më.
Kur lexohet një Ungjill tjetër Gjn 12, 24-25
Përnjëmend, përnjëmend po ju them: Nëse kokrra e grurit e mbjellë në dhe nuk vdes, mbetet e vetme, por nëse vdes, jep shumë fryt.
Lutja pas kungimit
Po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, bëj të numërohemi përgjithmonë ndër gjymtyrët e Krishtit, me Korpin e Gjakun e të cilit kungohemi. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.
Lutja mbi popull
Bekoje, o Zot, popullin tënd, i cili pret veprimin e mëshirës sate dhe bëj të dëshirojë çka Ti frymëzon dhe të pranojë çka Ti dhuron. Nëpër Krishtin Zotin tonë.