Leximet e ditës
JAVA E PESTË E KRESHMEVE
E HËNË
Antifona e hyrjes Krh. Ps 55, 2
Ki mëshirë për mua, o Hyj, sepse njerëzit po shkelin mbi mua, sulmuesi im po më ngushton gjithë ditën.
Kolekta
O Hyj, me hirin tënd Ti na pasuron me çdo bekim, bëj, po të lutemi, të shndërrohemi rrënjësisht në krijesa të reja, që të bëhemi gati për lumturinë e mbretërisë qiellore. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Kur përdoret forma e shkurtër teksti në kllapa nuk lexohet.
Leximi i parë (Dan 13, 42-62) forma e shkurtër (Dan 13, 1-9.15-17.19-30.33-62) (fq. 1227-1229)
Pafajësia e Suzanës.
Lexim prej librit të Danielit profet
(1 Në ato ditë ishte në Babiloni një njeri që e kishte emrin Joakim. 2 Kishte marrë për grua Suzanën, bijën e Helcisë, që ishte shumë e bukur dhe e druante Zotin. 3 Prindërit e saj, pasi ishin njerëz të drejtë, e edukuan vajzën e vet sipas Ligjit të Moisiut. 4 Joakimi ishte shumë i pasur. Përbri shtëpisë së vet kishte një kopsht. Tek ai tuboheshin judenjtë me shumicë, sepse e çmonin më tepër se të gjithë të tjerët.
5 Atë vit zgjodhën për gjykatës dy pleq nga populli. Ishin asish, për të cilët Zoti ka thënë: “Paudhësia doli nga Babilonia me anë të pleqve gjykatës që vetëm dukeshin si udhëheqës të popullit. 6 Këta shkonin në shtëpinë e Joakimit e te ata shkonin të gjithë ata që kishin ndonjë çështje gjyqësore. 7 Kur, rreth mesditës, populli shpërndahej, Suzana dilte e shëtiste në kopshtin e burrit të vet. 8 Ata dy pleqtë e shihnin çdo ditë duke hyrë e shëtitur dhe e lakmuan. 9 E humbën dritën e arsyes, sytë e vet më nuk i lartësuan për ta parë Qiellin e për t’i kujtuar gjyqet e drejta. 15 Kështu ata po prisnin rastin e volitshëm. Një ditë prej ditësh erdhi Suzana, sikurse edhe ditëve më përpara, vetëm me dy shërbëtore e, pasi bënte vapë, deshi të bëjë banjë në kopsht. 16 Aty s’ishte askush tjetër, përveç dy pleqve të fshehur që po e shikonin. 17 Suzana u tha shërbëtoreve: “Më sillni vaj e erëra të mira dhe ma mbyllni derën e kopshtit që të lahem.”
19 Kur shërbëtoret dolën, u çuan dy pleqtë, vrapuan tek ajo e i thanë: 20 “Ja, dyert e kopshtit janë të mbyllura e askush nuk na sheh. Ne kemi rënë në dëshirimin tënd: na u dorëzo e të biem me ty! 21 Por, nëse s’dëgjon, do të bëjmë dëshmi kundër teje se ka qenë me ty një djalosh e për këtë arsye i ke nisur shërbëtoret larg teje.” 22 Suzana dënesi e tha: “Kam rënë gjallë e ngushtë: unë nëse bëj atë çka kërkoni, më pret vdekja, në qoftë se s’bëj ashtu, s’do të mund të shpëtoj prej duarve tuaja; 23 por më mirë është për mua të bie në duart tuaja pa e pasë bërë këtë të keqe se të mëkatoj para syve të Zotit.” 24 Atëherë Suzana lëshoi një britmë të madhe. Bërtitën edhe pleqtë kundër saj 25 dhe njëri prej tyre u lëshua vrap dhe e hapi derën e kopshtit.
26 Kur anëtarët e familjes dëgjuan britmat në kopsht, u lëshuan vrap nëpër derën anësore për të parë se ç’kishte ndodhur. 27 Kur pleqtë i treguan fjalët e veta, shërbëtorëve u ra një hije e zezë, sepse kurrë për Suzanën nuk ishte thënë një fjalë e tillë.
28 Të nesërmen, kur u mblodh populli në kuvend te Joakimi, burri i saj, erdhën edhe dy pleqtë plotësisht të vendosur që ta dënojnë Suzanën me vdekje. 29 Ata thanë para popullit: “Silleni Suzanën, bijën e Helcisë, gruan e Joakimit!” Ata çuan për ta sjellë. 30 Ajo erdhi me prindër, me fëmijë e me të gjithë kushërinjtë. 33 Qanin të gjithë njerëzit e saj dhe të gjithë ata që e shikonin.
34 Dy pleqtë u ngritën mes popullit e ia vunë duart mbi kokë. 35 Ajo, duke qarë, i çoi sytë drejt qiellit: sepse kishte ngulur zemrën në Zotin. 36 Pleqtë thanë: “Ndërsa ne po shëtisnim vetëm në kopsht, kjo hyri në kopsht me dy shërbëtore, e mbylli derën e kopshtit e i nisi shërbëtoret. 37 Atëherë iu afrua një djalosh që kishte qenë i fshehur, dhe ra me të. 38 Ne që ndodheshim në një kënd të kopshtit, kur e pamë këtë poshtërsi, vrapuam tek ata e i pamë mirë se ishin bashkuar. 39 Por atë nuk mundëm ta kapnim, sepse ishte më i fuqishëm se ne dhe, si e hapi derën, iku. 40 Këtë e kapëm dhe e pyetëm kush ishte ai djalosh, por nuk deshi të na tregojë. Për këtë gjë ne jemi dëshmitarë!” 41 Njerëzit u besuan porsi pleqve të popullit e gjykatësve dhe e dënuan Suzanën me vdekje.)
42 Suzana lëshoi një britmë të madhe e tha: “O Hyj i amshueshëm, ti që i njeh fshehtësitë, ti që di gjithçka para se të ndodhë, 43 ti e di mirë se kundër meje sollën dëshmi të rreme! Ja, unë po vdes, megjithëse nuk bëra asgjë prej atyre që i sendërtoi shpirtligësia e tyre kundër meje!” 44 Zoti e dëgjoi uratën e saj.
45 Ndërsa po e çonin për ta vrarë, Hyji zgjoi shpirtin e shenjtë të një djaloshi të ri, që quhet Daniel. 46 Ai bërtiti me zë të lartë: “Unë jam i pafajshëm në gjakun e saj!” 47 Mbarë populli u soll prej tij e i tha: “Ç’është kjo fjalë që e the?” 48 Ai qëndroi mes tyre e tha: “Kaq të marrë jeni, bijtë e Izraelit? Pa e pasë pleqëruar të vërtetën e pa e njohur, e dënuat bijën e Izraelit! 49 Kthehuni në gjyq, sepse kanë dhënë dëshmi të rreme kundër saj!”
50 Vrik u kthye mbarë populli e të parët i thanë: “Eja, ulu mes nesh e na trego, sepse Zoti ta dha nderin e pleqërisë!” 51 Atëherë Danieli u tha: “Ndajini ata larg njëri‑tjetrit e unë do t’i marr në pyetje.”
52 Pasi qenë ndarë prej njëri‑tjetrit, e thirri njërin prej tyre e i tha: “Plakushani i ditëve të zeza, tash po dalin në dritë mëkatet e tua, që më parë i bëje, 53 duke gjykuar gjyqe padrejtësisht: të pafajshmit i dënoje e fajtorët i liroje, e mirë e di se Zoti thotë: ‘Mos e vra të pafajshmin e të drejtin!’ 54 Tani, pra, nëse e ke parë, thuaj nën cilën lëndë i pe duke biseduar?’ Ai u përgjigj: “Nën xinë.” 55 Danieli i tha: “Me të drejtë rrejte në dëm të kokës sate! Sepse, ja, posa engjëlli e mori dënimin prej Hyjit, do të të presë përmidis!”
56 Si e larguan atë, urdhëroi të sillet tjetri e i tha: “Pjellë e Kanaanit e jo e Judës, t’i mori mendtë bukuria e lakmia ta prishi zemrën. 57 Kështu ua bënit bijave të Izraelit e ato prej frikës ju lëshoheshin në duar, por bija e Judës nuk e duroi poshtërsinë tuaj. 58 Tani, pra, më thuaj: nën cilën lëndë i zure ata duke biseduar?” Ai tha: “Nën plepin e egër!” 59 Atëherë Danieli i tha: “Me të drejtë rrejte në dëm të kokës sate edhe ti! Gati është në këmbë engjëlli i Hyjit, me shpatë në dorë për të të prerë përmes e për të të vrarë!”
60 Atëherë mbarë kuvendi zuri të bërtasë me zë të lartë e t’i japë lavdi Hyjit, që i shpëton ata që shpresojnë në të. 61 U çuan kundër dy pleqve ‑ të cilët Danieli i shtrëngoi të pohonin me gojën e vet se kishin dhënë dëshmi të rreme ‑ dhe ua bënë atyre ashtu si ata, të shtyrë nga shpirtligësia e vet, kishin sendërtuar t’ia bënin të afërmit, 62 sipas Ligjit të Moisiut i vranë ata. Dhe atë ditë e shpëtuan gjakun e pafajshëm.
Fjala e Zotit
Psalmi 23 (22), 1-3a.3b-4.5.6 (fq. 681)
Ref. Me ty, o Zot, nuk trembem nga asnjë e keqe.
1 Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.
2 Në fusha të gjelbra ai më jep pushim,
më prin në ujëra të qeta, 3 shpirtin ma përtërin.
Ai më prin shtigjeve të drejta
në saje të dashurisë së Emrit të vet.
Ref. Me ty, o Zot, nuk trembem nga asnjë e keqe.
4 Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes,
s’trembem nga e keqja sepse ti je me mua:
thupra jote dhe kërraba
për mua janë ngushëllim.
Ref. Me ty, o Zot, nuk trembem nga asnjë e keqe.
5 Ti ma shtron tryezën përpara
ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kryet ma lyen,
gotën ma mbush plot e përplot.
Ref. Me ty, o Zot, nuk trembem nga asnjë e keqe.
6 Hiri dhe mirësia do të më përcjellin
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit
derisa të jem gjallë.
Ref. Me ty, o Zot, nuk trembem nga asnjë e keqe.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Nuk e dua vdekjen e mëkatarit, thotë Zoti, por dua që të kthehet nga e keqja e tij e të jetojë. (Ez 33, 11)
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Ungjilli (Gjn 8, 1-11) (fq. 1518/9)
Kush është prej jush pa mëkat, le ta hedhë i pari gurin në të!
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Në atë kohë, 1 Jezusi shkoi në Malin e Ullinjve. 2 Në mëngjes erdhi prapë në Tempull. Mbarë populli shkonte tek ai. Ai u ul e po i mësonte.
3 Atëherë skribët e farisenjtë i sollën para një grua të zënë në kurorëshkelje. E vunë në mes 4 dhe i thanë: “Mësues, kjo grua u zu ndërsa po bënte mëkatin e kurorëshkeljes. 5 Në Ligj Moisiu na urdhëroi që të tillat të vriten me gurë. Po ti çka thua?” 6 Folën kështu për ta vënë në provë që të kishin për çka ta padisnin.
Jezusi u përkul e filloi të shkruajë me gisht në dhe. 7 E, pasi ata vijonin ta pyesnin, ai iu drejtua e tha: “Kush është prej jush pa mëkat, le ta qesë i pari gurin në të!” 8 Përsëri u përkul e vazhdoi të shkruajë me gisht në dhe. 9 Ata, kur e dëgjuan përgjigjen, nisën një nga një të largohen duke filluar prej më të vjetërve.
Jezusi mbeti vetëm ‑ dhe gruaja që po qëndronte në këmbë në mes. 10 Jezusi iu drejtua dhe i tha: “Grua, ku janë ata? Askush nuk të dënoi?” 11 “Askush, Zotëri!” ‑ iu përgjigj ajo. “As unë nuk po të dënoj ‑ i tha Jezusi ‑ Shko, por mbas tashit mos mëkato më!”
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Bëj, po të lutemi, o Zot, që, ndërsa po kremtojmë misteret e shenjta, të të kushtojmë, si fryt të pendesës sonë trupore, pastërtinë e hareshme të shpirtrave tanë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I MUNDIMIT TË ZOTIT – I
Fuqia e Kryqit
43. Ky prefacion thuhet brenda javës së pestë të Kreshmëve dhe në Meshët e misterit të Kryqit dhe të Mundimit të Zotit.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Me mundimet shëlbimprurëse të Birit tënd,
mbarë bota mësoi ta shpallë madhërinë tënde,
e nëpër fuqinë e patregueshme të Kryqit,
kryhet gjykimi i botës dhe shfaqet pushteti i të Kryqëzuarit.
Dhe prandaj edhe ne, o Zot, bashkë me engjëj
dhe me të gjithë shenjtërit
po të madhërojmë, duke thënë me galdim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Antifona e kungimit
Kur lexohet Ungjilli mbi gruan kurorëthyese Gjn 8,10-11
O grua, askush nuk të dënoi? Askush, Zotëri. As unë nuk po të dënoj, por që tani e tutje mos mëkato më.
Kur lexohet Ungjill tjetër Gjn 8, 12
Unë jam drita e botës, thotë Zoti. Kush vjen pas meje nuk do të ecë në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës.
Lutja pas kungimit
Të përforcuar me bekimin e sakramenteve të tua, po të lutemi, o Zot, të na pastrojnë prej veseve që, duke ndjekur Krishtin, me gëzim të vrapojmë drejt teje. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.
Lutja mbi popull
Liroje prej mëkateve, o Zot, popullin që po të lutet, që, duke u angazhuar për një jetë të shenjtë, të mbrohet nga çdo mbrapshti. Nëpër Krishtin Zotin tonë.