Leximet e ditës
JAVA E PESTË E KRESHMEVE
E MARTË
Antifona e hyrjes Ps 26. 14
Shpreso në Zotin, bëhu burrë, ji zemërfortë e prite Zotin.
Kolekta
Bëj, po të lutemi, o Zot, të qëndrojmë në shërbimin e vullnetit tënd, që edhe në kohën tonë Kisha jote të shtohet për nga numri i anëtarëve dhe përtërirja e shpirtit. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Nr 21, 4-9) (fq. 195)
Kushdo që, pasi ta ketë ngrënë gjarpri, e shikon gjarprin e punuar, do të shpëtojë.
Lexim prej librit të Numrave
Në ato ditë, 4 Izraelitët u nisën prej malit Hor për t’i rënë tërthor tokës së Edomit udhës që shpie te Deti i Kuq. Por populli udhës filloi ta humbasë durimin, 5 zuri të ankohej kundër Zotit e Moisiut. Thonin: “Pse na nxore nga Egjipti a për të vdekur në këtë shkretëtirë? S’ka bukë, s’ka ujë; kurse kjo e zezëhaje na e mërziti shpirtin”!
6 Për këtë arsye Zoti çoi në popull gjarpërinj të hidhur, të cilët e hanin popullin dhe vdiqën shumë njerëz prej Izraelit. 7 Atëherë erdhën te Moisiu e i thanë: “Bëmë mëkat kur folëm kundër Zotit e kundër teje; lutu ti që të na i heqë qafës gjarpërinjtë”!
Moisiu u lut për popull, 8 e Zoti tha: “Punoje gjarprin helmues e vëre në shtyllë si shenjë: kushdo, pasi ta ketë ngrënë gjarpri, po qe se e shikon, do të shpëtojë”.
9 Moisiu e punoi një gjarpër prej bronzit dhe e vuri për shenjë; këdo që hante gjarpri, si e shikonte atë, shërohej.
Fjala e Zotit
Psalmi 102 (101), 2-3.16-18.19-21 (fq. 773)
Ref. Dëgjoje, o Zot, lutjen time.
2 O Zot, dëgjoje lutjen time
e britma ime le të mbërrijë tek ti.
3 Mos e fsheh fytyrën tënde para meje
në ditën time të vështirë,
prire veshin tënd drejt meje:
kurdo që të thërras më dëgjo shpejt!
Ref. Dëgjoje, o Zot, lutjen time.
16 Paganët do ta druajnë Emrin tënd, o Zot,
të gjithë mbretërit e tokës lavdinë tënde.
17 Sepse Zoti e ndërtoi Sionin,
u dëftua në lavdinë e vet.
18 E mori parasysh lutjen e të vobektëve
dhe nuk e përbuzi uratën e tyre.
Ref. Dëgjoje, o Zot, lutjen time.
19 Le të shënohet kjo për brezninë e ardhshme
dhe populli që do të vijë le ta lavdërojë Zotin.
20 Sepse Zoti shikon nga Shenjtërorja e vet e lartë,
nga qielli ai vrojton mbi tokë,
21 për t’i dëgjuar ofshamat e robërve,
për t’i shpëtuar të dënuarit me vdekje.
Ref. Dëgjoje, o Zot, lutjen time.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Fara është fjala e Hyjit, mbjellësi është Krishti: kushdo e gjënë atë, e ka jetën e pasosur.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Ungjilli (Gjn 8, 21-30) (fq. 1519/20)
Kur ta ngritni Birin e njeriut, atëherë do ta merrni vesh se UNË JAM.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Në atë kohë 21 Jezusi u tha farisenjve: “Unë po shkoj e ju do të më kërkoni dhe do të vdisni në mëkatin tuaj. Ku unë shkoj, ju s’mund të vini.” 22 Atëherë judenjtë thanë: “A mos mendon të vrasë veten pasi thotë: ‘Ku unë shkoj ju s’mund të vini?’“
23 E Jezusi u tha: “Ju jeni prej këtu poshtë kurse unë jam prej së Larti. Ju jeni prej kësaj bote kurse unë nuk jam prej kësaj bote. 24 Prandaj edhe ju thashë: ‘Do të vdisni në mëkatet tuaja!’ Për të vërtetë nëse nuk besoni se UNË JAM do të vdisni në mëkatet tuaja.” 25 Atëherë ata i thanë: “Kush je ti?” “Po përse ‑ u përgjigj Jezusi ‑ t’ju tregoj prapë prej fillimit? 26 Shumë gjëra kam për të thënë për ju e të gjykoj; porse Ai, që më dërgoi, është i vërtetë dhe çka dëgjova prej Tij atë i them botës.” 27 Ata nuk e morën vesh se u foli për Atin.
28 Atëherë Jezusi u tha: “Kur ta ngritni Birin e njeriut, atëherë do ta merrni vesh se UNË JAM dhe se prej vetvetes nuk bëj asgjë, por flas ashtu si më mësoi Ati. 29 Ai që më dërgoi, është me mua e nuk më la vetëm, sepse unë gjithmonë bëj çka i pëlqen Atij.” 30 Në këto fjalë të tij, shumë besuan në Të.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Po ta kushtojmë, o Zot, flinë e pajtimit, që në mirësinë tënde t’i falësh fajet tona dhe zemrat tona të luhatshme t’i drejtosh nga Ti. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I MUNDIMIT TË ZOTIT – I
Fuqia e Kryqit
43. Ky prefacion thuhet brenda javës së pestë të Kreshmëve dhe në Meshët e misterit të Kryqit dhe të Mundimit të Zotit.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Me mundimet shëlbimprurëse të Birit tënd,
mbarë bota mësoi ta shpallë madhërinë tënde,
e nëpër fuqinë e patregueshme të Kryqit,
kryhet gjykimi i botës dhe shfaqet pushteti i të Kryqëzuarit.
Dhe prandaj edhe ne, o Zot, bashkë me engjëj
dhe me të gjithë shenjtërit
po të madhërojmë, duke thënë me galdim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Antifona e kungimit Gjn 12, 32
Kur të jem lartësuar nga toka, do t’i tërheq tek unë të gjithë, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
O Hyj i gjithëpushtetshëm, bëj që pjesëmarrja jonë e vazhdueshme në misteret e tua, të na afrojë përherë e më fort nga të mirat qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Lutja mbi popull
O Hyj, atyre që shpresojnë në ty Ti u dëftohesh jo i hidhëruar, por i mëshirshëm, bëj që besimtarët e tu të pendohen sinqerisht për të keqen që kanë ushtruar, që të meritojnë të fitojnë hirin e ngushëllimit tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.